Turizmi i vdekjes, 16 të mbytur në dy javë

Turizmi është kthyer në një rrezik vdekje për pushuesit. Çdo ditë po mbyten njerëz të lënë në mëshirë të fatit. Sipas statistikave, në dy javë kanë humbur jetën 16 pushues në brigjet tona, ndërsa një ditë më parë, një restorant shpërtheu në plazhin e Velipojës, ku 2 nga 4 të plagosurit po luftojnë me vdekjen. Shpërthimi ndodhi, sepse askush nga strukturat shtetërore s’ka marrë mundimin për të kontrolluar kushtet që ofrohen nga turizmi. Qeveria harxhon miliona me broshurat e promovimit dhe bën llogje në ekrane, ndërsa nuk merr asnjë masë për sigurinë e jetës së njerëzve. Janë jetë njërëzish që ikin çdo ditë në kushtet e turizmit që ofron kjo qeveri.
Ngjarja më e rëndë është ajo e para dy javëve që ndodhi në Vlorë, ku 4 të rinj u mbytën, mes tyre edhe një djalë 24-vjeçar nga Tetova e Maqedonisë. Njëra prej viktimave, u mbyt në det dhe dy të tjerët kanë shkuar për ta ndihmuar e për pasojë kanë humbur jetën edhe vetë.
Po ashtu një 35-vjeçar nga Kosova u mbyt në plazhin e Velipojës. Ndërsa një ditë më pas u mbyt një 62-vjeçar po nga Kosova në plazhin e Durrësit. Ndërsa para dy ditësh u mbyt një tjetër pushues në Golem të Kavajës.
Mungesa e rojeve të plazhit dhe ndihmës së parë është kthyer vdekjeprurëse për shumë pushues. Në disa raste kanë qenë pushuesit që kanë ndihmuar të gjendurit në vështirësi, për shkak se kullat e vrojtimit mungojnë në çdo plazh të Shqipërisë. Vazhdimisht është ngritur shqetësimi nga qytetarët se mungojnë rojet e plazhit që do ta bënin bregdetin më të sigurtë dhe më me pak incidente.

Vdekja e dy turistëve

Dy turistë të huaj që kishin ardhur për të pushuar në vendin tonë u mbytën para një jave në det. Fillimisht u mbyt një 16-vjeçare ruse në Ksamil të Sarandës. Disa orë pas mbytjes së 16-vjeçares ruse, një tjetër turist i huaj humbi jetën në det, në një plazh në zonën e Kavajës.
Turistja ruse u godit nga një mjet lundrues në Ksamil. Nga kryerja e hetimeve rezultoi, se mjeti lundrues që drejtohej kishte kaluar me shpejtësi në hapësirën ujore ku po notonte shtetësja ruse dhe e ka goditur me helikë. Grupi hetimor konfirmon se turistja, e cila ishte duke notuar në det gjeti vdekjen si pasojë e goditjeve të forta me mjete prerëse në kokë dhe trup.
Ashtu si turistja ruse, mijëra pushues të tjerë rrezikojnë çdo ditë nga motorët e ujit që bëjnë xhiro me shpejtësi marramendëse mbi kokat e pushuesve pa u shqetësuar nga askush. Qeveria dështoi edhe këtë vit të disiplinojë këto mjete të rrezikshme që janë shqetësim dhe rrezik për jetën e mijëra pushuesve që frekuentojnë plazhet shqiptare. Edhe pse për përdorimin e motorëve të ujit janë të përcaktuar rregulla se ku duhet dhe si duhet të lëvizin në det, në të gjitha këto plazhe me dhjetëra mijëra pushues nuk gjen qoftë edhe një polic të vetëm që të monitorojë ashtu siç duhet zbatimin e këtyre rregullave thelbësore për të garantuar jetën.
Në çdo vend të botës janë zonat ku duhet të lëvizin motorët e ujit, por në Shqipëri jo vetëm mungojnë shenjat, por këto mjete nisen që nga bregu i detit me shpejtësi. Pushuesit shqiptarë i shohin këto motorë të ujit çdo ditë t’u rrezikojnë jetën, por ndihen të pafuqishëm e të pambrojtur, sepse policia që e ka për detyrë t’i mbrojë nuk ekziston.
Personat e papërgjegjshëm që përdorin motorët e ujit në pjesën ku lahen pushuesit rrezikojnë jetën edhe të tjerë turistë vendas apo të huaj, sepse inekzistenca e shtetit i bën plazhet shqiptare si të jenë xhungël ku mbizotëron logjika e më të fortit dhe jo rregulli. Pushuesit shprehen se, motorët e ujit qarkullojnë me shpejtësi skëterrë në një distancë më të afërt se 200 metra larg bregut, duke rrezikuar seriozisht jetën e qindra plazhistëve.

R.POLISI

Artikulli paraprakDëshmia për vrasjen në Borsh: Policia na braktisi
Artikulli tjetërBE nis procedurat e ndëshkimit të Polonisë