Drejtuesit e Interit kërkojnë përforcime për mbrojtjen dhe për këtë kanë hedhur sytë nga 23-vjeçari i Valencias, Joao Cancelo. Sipas mediave spanjolle, zikaltrit kanë shfaqur interes për mbrojtësin gjatë tratativave të nisura me klubin nga Mestalla për kalimin e Jeison Murillo nën urdhrat e trjanerit Marcelino Garcia Toral. Gjithsesi për të arritur te kartoni i futbollistit më parë Interi duhet të mposhtë edhe konkurrencën e Juventusit, që ka kohë në ndjekje të portugezit.
Mbrojtësi danez, Simon Kjaer ishte një nga objektivat e Milanit në këtë merkato, por 28-vjeçari ka refuzuar kalimin te kuqezinjtë duke zgjedhur të transferohet në Spanjë te skuadra e Seviljes.
Kjaer prej 2 sezonesh ishte pjesë e Fenerbahçes në kampionatin turk, ku u aktivizua në 54 takime dhe arriti të realizonte 3 gola. Konkurrenca e madhe në mbrojtjen e Milanit ka qenë arsyeja kryesore, e cila e ka shtyrë mbrojtësin të pranojë ofertën e Seviljas duke mos u rikthyer në Serinë A. Në të kaluarën ai ka qenë pjesë e Palermos dhe Romës. Ditën e nesërme Kjaer do të kryejë vizitat mjekësore, më pas danezi do të nënshkruajë edhe kontratën 4-vjeçare. Lajmi për arritjen e marrëveshjes është bërë publik nga klubi spanjoll nëpërmjet faqes zyrtare në Twitter.
Pavarësisht refuzimeve të Leicester, Roma nuk dorëzohet dhe vazhdon të ushtrojë presion për të arritur te kartoni i Riyad Mahrez. Por pavarësisht si shkojnë gjërat deri në fund të merkatos, verdhekuqtë nuk kanë ndërmend të hasin në surpriza të pakëndshme dhe sipas mediave italiane, po vlerësojnë edhe alternativa të tjera. Një nga objektivët që shikohet si alternativa e algerianit është Lucas Vazquez i Real Madrid.