Sot Superkupa e Gjermanisë

Superkupa e Gjermanisë luhet sot në “Signal Iduna Park”, por Bayern është krejtësisht i papërgatitur. Sikur të mos mjaftonte forma e dobët fizike e lojtarëve pas një turi veror 12-ditor në Kinë dhe Singapor, skuadra e trajnerit Carlo Ancelotti ka edhe shtatë mungesa (kryesore, madje) për takimin me Dortmundin. “Nuk jemi në formën ideale, por kemi 14 ditë për ta arritur atë, para se të fillojë kampionati”, e nisi konferencën e tij për shtyp italiani. “Presion kemi, por është presion pozitiv, ashtu si në çdo finale. Kemi humbur pesë ndeshje këtë verë, por po flasim për miqësore dhe në fazë ndodhin këto gjëra, ashtu si dëmtimet e lojtarëve dhe lodhja. Nesër (sot) duam fitoren. Do të kemi 80 mijë tifozë verdhezi kundër dhe në Dortmund na pret me të vërtet një atmosferë elektrizuese”, shtoi tekniku. Meqë gazetarët këmbëngulën se Bayern ka probleme të mëdha fizike, Ancelotti u detyrua të shpjegojë se skuadra e tij do të përpiqet të mbështetet tek elementë të tjerë. “Ju e dini se futbolli nuk është vetëm përgatitje fizike. Ka edhe shumë faktorë të tjerë, strategjia, personaliteti dhe motivimi. Këto jam i sigurt se do t’i tregojmë nesër (sot). Dëgjoni, kam pasur faza të mira përgatitore, ashtu si edhe të këqija. Te Real Madrid pata një histori të ngjashme dhe në fund të vitit fitova Ligën e Kampionëve. Këto ndeshje nuk tregojnë shumë”, përfundoi 58-vjeçari.

Artikulli paraprakNapoli “gjen” Balotelli-n
Artikulli tjetërInter bën gati rinovimin për Perisiç dhe kërkon Emre Mor!