Juventus ka nevojë për një mesfushor. Mes Matuidi (gjithmonë i pari në listë), N’Zonzi (i ndjekur prej kohësh), Emre Can (i preferuari, por Klopp nuk ka ndërmend ta shesë) dhe Andre Gomes, ja ku del në skenë edhe një emër i ri, kroati Mateo Kovaçiç, të cilin Inter e shiti te Real Madrid për 40 milionë euro. Profili taktik i Kovaçiç është shumë ndryshe nga emrat e lartpërmendur, por emri i tij, ashtu si një vit më parë, ka nisur të qarkullojë në korridoret e merkatos së klubit bardhezi.
Ndërkohë nga Holanda, gazeta sportive “Algemeen Dagblad”, prej disa ditësh, shkruan se Juventus është gati të paguajë klauzolën për blerjen e Kevin Strootman për 45 milionë euro, një lëvizje që mund të vijë menjëherë pas Superkupës së Italisë më 13 gusht. Megjithatë, klubi i Juventus ka mohuar gjithçka. Për më shumë që Strootman shihet si një nga pikat kyçe të Romës dhe ka shprehur disa herë dëshirën për të qëndruar në kryeqytet. Shumë e vështirë të mendohet një marrëveshje e tij me Juven, por jo e pamundur.