– Mbi librin e Ilir Demalisë-
Ilir Demalia është një emër i njohur që prej fundit të viteve ‘90 si një zë rebel kundër diktaturës komuniste. Intervistat e tij në radion “Zëri i Amerikës” kanë qenë shpërthimi i urrejtjes për regjimin komunist dhe sot janë një dëshmi autentike e një të riu të bindur që atëherë se atij regjimi i kishte ardhur fundi dhe duhej bërë gjithçka të rrëzohej. Sot, pas njëzetepesë vjetësh, Demalia, i sjell publikut librin e tij me atmosferën e asaj kohe. E sjell si një dëshmitar serioz, e sjell si një veprimtar i shquar, e sjell si një atdhetar i madh, të cilit edhe gjendja aktuale e Shqipërisë nuk i duket hiç më e mirë se ajo e Shqipërisë së viteve ‘90 kur miu thyente kokën edhe te dyqani i bukës.
Gjatë këtyre viteve janë shkruar shumë libra memuare për rënien e komunizmit, një pjesë jo e vogël e të cilëve janë të mbushur me mashtrime faktesh, me prirjen e disa autorëve për t’u shfaqur disidentë. Ka nga ato libra që madje, pohojnë se regjimin komunist e tranformoi në demokraci ish-diktatori Alia.
Përkundër gjithë kësaj butaforie dhe maskarade morale shkarrashkruesish, Ilir Demalia na ka dhënë në dorë një dëshmi autentike me një saktësi gati-gati matematike dhe me një humanizëm që buron prej një zëri antikomunist të vërtetë. Libri i tij është si një dokumentar i filmuar nga kamera e syve të tij, pa lajle, thjesht ashtu siç ishte Shqipëria e atyre ditëve, kur si një kështjellë në rërë, po binte si thotë në mënyrë metaforike autori, si guri i fundit i dominosë i perandorisë komuniste.
I zhytur në faktet reale Demalia sjell dëshmitë e kaosit që po përjetonte nomenklatura, e cila e tronditur nga ngjarjet e Rumanisë dhe nga ekzekutimi i Çausheskut bëri çfarë ishte e mundur të shpëtonte kokën e vet duke evituar të njëjtin fat me atë të Çausheskut. Demalia ka të drejtë plotësisht mendoj në konkluzionin e tij, sipas të cilit klasa e intelektualëve shqiptarë u gjend totalisht e papërgatitur për të kontribuar për demokracinë pas rënies së Murit të Berlinit.
Këtë klasë e inkurajoi faktori ndërkombëtar në mënyrë të jashtëzakonshme, veçanërisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por, sikurse e vë në dukje edhe Demalia, elita shqiptare ishte ose e shkatërruar nëpër burgjet politike ose peng i favoreve që kishte marrë prej regjimit. Prandaj, nuk është e rastit që pas 25 vjetëve të vetmet dëshmi reale mbi rënien e diktaturës janë librat e At Zef Pllumit, Dom Simon Jubanit, të poetit Visar Zhiti dhe tash së fundi “Guri i fundit i dominosë” i Ilir Demalisë.
Demalia ka meritën që me fakte dhe dëshmi të ballafaqojë se gjithçka dukej në horizontin politik shqiptar deri në fillim të korrikut 1990 ishte një farsë e kurdisur në mënyrën më të ndyrë nga regjimi për gjoja të ashtuquajturin ndryshim gradual, çka në fakt ishte një grusht manovrash krejt të pashpresë për ruajtjen e status quo-së politike dhe ekonominë. Por, ngjarjet do të rrokulliseshin shumë shpejt, shumë më shpejt se ç’e kishte menduar Ramiz Alia në skutat e mykura të perandorisë së privilegjeve të Bllokut dhe do të vinte një moment fatal për regjimin, ngjarja e ambasadave në fillim të korrikut 1990.
Mbushja e ambasadave në Tiranë me mbi 5 mijë të rinj, (mbi tre mijë hynë në ambasadën gjermane) ishte grushti i parë vdekjesjellës për diktaturën në Tiranë. Ilir Demalia, duke qenë vetë njëri prej atyre pesë mijë të rinjve që me trimëri i vunë kazmën Murit të Berlinit në Tiranë, na e ka dëshmuar këtë ngjarje kulmore në historinë moderne të Shqipërisë si askush tjetër dhe për këtë do të ketë, mendoj, përjetë mirënjohjen e brezave të sotëm dhe të atyre që do të vijnë në të ardhmen. Nuk është vetëm përshkrimi i mijëra detajeve me një mjeshtëri si në romanet e Markezit, të fateve njerëzore në një ambasadë ku njerëzit shtypeshin si sardelet.
Është mbi të gjitha impakti shkatërrues që pati ngjarja e ambasadave në rrënimin përfundimtar të diktaturës komuniste. Kjo është edhe merita kryesore që ka libri i Demalisë. Sikur të lexosh qoftë edhe vetëm dëshminë e Demalisë për ato pesë ditë të ferrit në ambasadën gjermane do të kuptosh jo vetëm natyrën gjakatare të pushtetit komunist që po jepte shpirt, por edhe humanizmin e madh të diplomacisë gjermane dhe asaj perëndimore në përgjithësi që bëri gjithçka qe e mundur që Shqipëria të fitonte lirinë e merituar dhe të fillonte udhën e mundimshme drejt Perëndimit.
Po çfarë ndodhi pasi regjimi u detyrua, më në fund të lëshonte pe dhe t’i lejonte të rinjtë e ambasadave të emigronin. Pothuajse asgjë serioze. Kjo është edhe arsyeja që e bën autorin Demalia të konkludojë se “Një valë e shpërthimit revoltash në gjithë Shqipërinë në përkrahje të refugjatëve në kohën kur ne ishim të strehuar në ambasada do të kishte bërë që regjimi të ishte rrëzuar në mënyrë të menjëhershme brenda disa ditësh”.
Por kjo nuk ndodhi dhe sipas Demalisë nuk ndodhi sepse në Shqipëri ende nuk kishte kurajo dhe formim politik për akte të tilla civilizimi, siç në fakt u shfaqën pothuajse në të gjitha ish-vendet e Lindjes komuniste.
25 vjet më pas, kur së paku formalisht, thuhet se regjimi komunist ka rënë, gjendja e shtetit shqiptar dhe e demokracisë në Shqipëri është përsëri e mjerueshme. Këtë e pohon me të drejtë edhe Demalia. Vetëm vitin e kaluar u larguan nga vendi dhe aplikuan për azil në Gjermani mbi 50 mijë shqiptarë. 200 mijë të tjerë aplikuan të fitojnë Lotarinë Amerikane. Është një përsëritje e korrikut të vitit 1990 në dyndjen e refugjatëve në ambasada. Pse? Sepse bijtë e ish-komunistëve, tashmë kanë formuar oligarkinë financiare dhe janë në gjendje ta blejnë pushtetin me paret e drogës së trafikuar. Demalia ka gjithashtu meritën se e ka zbuluar dhe stigmatizuar këtë fenomen në librin e tij. Prandaj, unë mendoj, se libri i tij, qëndron si një margaritar dëshmie autentike përkrah librit “Rrno për me tregue” të Zef Pllumit.
Si përfundim do të thosha se, libri i Ilir Demalisë është një kontribut i pastër në publicistikën politike i një autori që ka jo vetëm të drejtën morale si dëshmitar dhe aktivist i klasit të parë, por edhe për faktin se me konkluzionet e tij ia çel sytë shqiptarëve se si të luftojnë për demokracinë e vërtetë dhe se si të hedhin në koshin e plehrave të historisë oligarkinë që e ka marrë peng Shqipërinë.