Rroftë Gjermania!

Me 45 dhjeta në dëftesën e Fakultetit të Mjekësisë nuk gjen punë

Miranda HAXHIA

Një studente që ka më shumë se 45 dhjeta në dëftesën e saj të Fakultetit të Mjekësisë, nuk gjeti dot punë, siç bën estradë Kryeministri me rastin që publikon në video.
Për historinë që do t’ju tregoj, duhen kapërcyer shtatë vullkane, shtatë qytete të rrafshuar nga tërmeti, shtatë pellgje kënetash me gropa thithëse… dhe ndoshta nuk ia mbërrin kurrë.
Sepse që kur e nisi këtë rrugë, e dinte se do të ishte e vështirë. Do të ishte e vështirë të merrte notën më të mirë, por ia doli; do të ishte e vështirë të përballonte shkollimin e gjatë, specializimin e gjatë, por ia doli. Dhe në fund, gati i thyet kocka e dorës nga pesha e dhjetave që ka marrë në diplomën e Fakultetit të Mjekësisë.
Mund të ishin të gjithë dhjeta, edhe ato nota të pakta që janë nëntë apo tetë, do të qenë padyshim dhjeta, sikur ta kishte babain ndonjë shef klinike, ndonjë dekan apo rektor, ndonjë deputet apo mik ministrash. Ndërsa, ajo e mban mend të atin, që prej tridhjetë vjetësh, bën çdo ditë tridhjetë kilometra rrugë për të shëruar fshatarët e një fshati të largët. Dhe pastaj, tridhjetë të tjera për t’i qenë pranë familjes e për të marrë gëzimin e vetëm: notat e shkëlqyera të fëmijës, që ditën kur u ul për herë të parë në bankë dhe deri kur përfundoi universitetin.
Mund të kishte shkuar për specializim jashtë vendit, por, asnjëherë nuk e vërejti kush atë shkëlqim perlash që kishin notat e saj, të cilat i mblodhi me mundim dhe djersë, me orë të gjata studimi, sa, vullnetin e saj do t’ia kishin zili afrikanët e Jugut që gërmojnë vite të tëra diamante në miniera. Mund të zgjonte zilinë e çdo spitali të huaj me aftësinë dhe pritshmërinë që ata do të kuptonin sa hap e mbyll sytë te diploma e studentes së mjekësisë. Por, fjala mund… është e bukur për të çliruar njeriun nga ëndrrat dhe për ta bërë të ecë me këmbë në tokë, aq sa i jep shoqëria këtu, si ekuivalencë të çka ajo i premtoi shoqërisë.
Justifikoj çdo profesion tjetër që të shtyhet me pesa, gjashta apo shtata, sepse një inxhinier i keq, e shumta, do të bëjë të shembet një pallat i ndërtuar keq; por kurrsesi një mjek të dobët, me pesa, gjashta apo shtata nuk duhet të marrë në dorë jetët e njeriut. Sepse nuk vlen eksperimenti. Vlen vetëm suksesi te njeriu.
Por të kesh nota të shkëlqyera, të premtosh të jesh një mjeke a mjek i shkëlqyer, nuk është talent në Shqipëri; këtu talent është të dish të kuptosh kush e shet fatin e punës tënde dhe sa e shet, e a ke mundësi ta blesh. E këtë notë, nuk do ta shikoni kurrë në dëftesa të këtij lloji që po ju tregoj.
Se ndryshe, do të prishte atë rrugë prej tridhjetë kilometrash që ka bërë babai i saj tërë jetën për të shëruar ca fshatarë të varfër të një fshati të humbur, por që i ka dhënë diplomën më të çmuar në botë, qoftë edhe më të çmuar se ai diamanti blu që gjetën afrikanët e minierave të Jugut- diplomën njeri.
Ti, ministër Shëndetësie që kur flet në intervista, na mallëngjen me historinë tënde të shkollimit; ti rektor i Fakultetit të Mjekësisë që habitesh që të kanë sjellë tërë Shqipërinë e sëmurë mbi ca mobilie të shtrenjta zyre; ti Kryeministër që ke premtuar cilësi në shëndetësi, përtej kontrollit të pastërtisë dhe a kanë apo jo shami dore punonjësit e perandorisë tënde; që ke nisur kryqëzatën në botë të kërkosh mjekë të zotë; të gjithë ju që keni në dorë fatin e diplomave të tilla që të rrëqethin mendjen:
Pse ia refuzoni një vend pune shteti? Po të kishte ndodhur, do të fitonit ju, do të fitonin njerëzit e zakonshëm që mund të fillojnë të besojnë se kur sëmuren shkojnë te mjeku dhe jo në dyqan bakalli; do të shpresojnë se mjeku i mirë matet jo nga tarafi, por nga vullneti dhe dija.
A gjeti një vend si mjeke mes ushtrisë së fëmijëve të shefave, ministrave, deputetëve, parellinjve? Kurrsesi nuk mund të ndodhte. Ajo ka gjasë të ndjekë të atin në atë rrugë të mundimshme 30-vjeçare në ndonjë fshat ku ka më shumë male sesa banorë.
Dhe nuk është as fotozhenike për video kryeministrore!!!!

Artikulli paraprakLlamba e alkoolit në dhomën dëshmi të Dr. Sali Berishës
Artikulli tjetërTë pashpresët e dekriminalizimit