Me dëmtimin e Luiza Gegës, që pritej të garonte në 3000 metra, i cili pasoi atë të Izmir Smajlajt, mbetet pa asnjë shqiptar Botërori i Atletikës në Londër. Ndër zhvillimet e fundit, padyshim më interesanti ai i Wayde van Niekerk, që fitoi medaljen e artë në garën e 400 metrave edhe pse nuk theu rekordin e botës siç mund të priste shumëkush. Van Niekerk nuk garoi me kronomentrin, por me rivalët duke u mjaftuar me një kohë normale për të 43”98, duke mos nxituar sidomos në 30 metrat e fundit, pasi la mbrapa Steven Gardiner me 44”41 dhe Abdalelah Harouin që fitoi medaljen e bronzit. Afrikanojugori që mban aktualisht rekordin e botës, mbron në këtë mënyrë titullin botëror pas medaljes olimpike.
Vijon mallkimi i botërorit për rekordmenin e kërcimit me shkop Renaud Lavillenie që nuk ka triumfuar në asnjë nga 5 botërorët ku ka marrë pjesë. Këtë herë ai që fitoi ishte ushtaraku amerikan Sam Kendricks që me vertikalizimin e tij arriti rezultatin 5.89 m, po aq sa Pitr Lisek, por që kishte bërë më shumë gabime, duke i lënë francezit vetëm medaljen e bronztë.
Surprizon Europa në garën e 800 metrave. Trashëgimtari i Rudoshas është Pierre-Ambroise Bosse, me atletin francez që i bëri 150 metrat e fundit në mënyrë të shkëlqyer duke mos i besuar madje as vetes kur arriti finishin me kohën 1’4”67. Lajmi është që Afrika është vetëm e treta në këtë garë, pasi finalja e polakut Adam Kzsczot i dha medaljen e argjendtë duke i lënë vetëm vendin e tretë kenianit që është shpallur kampion bote me të rinjtë, Kipyegon Bett.
Vijon të mbetet e fortë Kenia që dominon prej plot 30 vitesh në garën e 3000 metrave me pengesa. Marokeni Soufiane El Bakkali dhe amerikani Evan Jager provuan të ndërpresin këtë seri të pabesueshme, pasi gara nuk fitohet nga një atlet që nuk ka lindur në Kenia që nga 1987 e largët, por as këtë herë nuk ishte e thënë pasi në një xhiro të fundit plot pasion kampioni olimpik Conseslus Kipruto me kohën 8’14”12 i dogji të dy rivalët duke vijuar traditën keniane të triumfit edhe këtë botëror.
Në hedhjen e shtizës medalje e artë për Barbora Spotakovan me çeken që fiton titullin botëror, një medalje që për herë të parë e ka shijuar 10 vjet më parë në Korenë e Jugut, 36-vjeçarja çeke me rezultatin 66.76 m la pas dy kinezet Lingwei Li dhe Huihui Lyu.