Australia reagon e alarmuar për luftën mes Koresë dhe SHBA-së

Kërcënimet e flakta mes Amerikës dhe Koresë së Veriut duket se kanë alarmuar mbarë botën. I fundit që ka reaguar ka qenë Kryeministri australian, Malcolm Turnbull. Pas rritjes së tensioneve midis Uashingtonit dhe Phenianit, ai paralajmëroi sot se konflikti me Korenë e Veriut do të ishte shkatërrimtar, Presidenti Donald Trump tha dje se do të përgjigjej me “zjarr dhe zemërim”, nëse Koreja e Veriut do të vazhdonte me kërcënimet bërthamore, ndërsa Pheniani ka lajmëruar se është duke shqyrtuar një sulm me raketa kundër territorit amerikan të Guamit. Gjatë një konference për shtyp, në Canberra, Turnbull u tha gazetarëve se e vetmja mënyrë për të ndaluar kërcënimet e Koresë së Veriut ishte “presioni maksimal ekonomik”, duke mbështetur sanksionet reja të vendosura nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara. Ministrja e Jashtme, Julie Bishop tha se situata mund të përfshihet në një konflikt akoma më serioz, duke u bërë thirrje të gjitha palëve të tërhiqeshin për të shmangur përshkallëzimin e krizës. Ndërkohë, Koreja e Veriut ka deklaruar se plani i saj për të sulmuar me katër raketa territorin amerikan të Guamit do të jetë gati nga mesi i gushtit. Media shtetërore tha se raketat “Hwasong-12” do të kalonin mbi Japoninë dhe do të shpërthejnë në det rreth 30 kilometra larg Guamit. Mësohet se plani u miratua nga Kim Jong-un. Lideri suprem i Koresë së Veriut denoncoi paralajmërimet e Donald Trump për “zjarri dhe tërbim kundër regjimit” dhe tha se presidenti amerikan ishte i “paarsyeshëm”. SHBA-ja ka paralajmëruar Veriun se veprimet e Kim Jong-un mund të nënkuptojnë fundin e regjimit të saj.

Artikulli paraprakGjermania do t’i kthejë refugjatët në Greqi
Artikulli tjetërSërish tensione SHBA-Kubë, përjashtohen 2 diplomatë kubanë