Kryebashkiaku i Kavajës, Roshi është një fenomen në formularin e dekriminalizimit të dorëzuar zyrtarisht në institucione. Që në krye të plotësimit të këtij formulari, Roshi pranon se ka ndryshuar emrin. “Emrin e kam pasur Ervin, por e kam ndryshuar në Elvis”, thotë Roshi në formularin e dekriminalizimit. Ky ndryshim ka ndodhur në nëntorin e vitit 2002, pra 14 vjet më parë dhe për këtë ka edhe vendim të Këshillit Bashkiak të Kavajës. Por, në formular nuk jepen arsyet se përse Roshit i është dashur të ndryshojë emrin?
Nga formular kuptohet se ky ndryshim i emrit ka ndodhur pas një sërë ndjekjeve dhe dëbimeve që Roshi ka pasur në Mynih të Gjermanisë. Pyetjes në formular nëse ka qenë ndonjëherë në hetim apo gjykim nga ndonjë autoritet i huaj për kryerjen e ndonjë vepre penale, Roshi i përgjigjet me “Po”. Ai thotë se është proceduar nga Gjykata e Mynihut në Gjermani, por çuditërisht ai thotë se nuk e mban mend se përse është gjykuar. Ky hetim i Gjykatës ka ndodhur në vitin 2002. Po në mënyrë të habitshme, Roshit nuk i kujtohet as cili ka qenë vendimi i Gjykatës së Mynihut në Gjermani në lidhje me hetimin penal për të cilin ai është gjykuar.
Pyetjes nëse është caktuar ndonjë masë shtrënguese e sigurisë personale ndaj tij Roshi i përgjigjet me “Po” dhe vendimi është lënë në fuqi ndaj arrestit me burg.
Një tjetër pyetje që ka një përgjigje interesante nga “fenomeni Roshi” i Ramës në krye të bashkive të vendit është nëse ndaj tij është marrë ndonjëherë masa e dëbimit nga një shtet i huaj? Përgjigja e kësaj pyetje nga Roshi është “Po”. Ai saktëson se qyteti nga ku është dëbuar është Mynihu dhe ai shton se kjo ka ndodhur përpara vitit 2002, kur ai ndryshoi edhe emrin. Çuditërisht edhe në këtë rast, Roshit nuk i kujtohen arsyet se përse ai është dëbuar nga Gjermania.
Kjo është një pjesë e përgjigjeve që gazeta ka mundur të sigurojë nga formulari i dekriminalizimit që Roshi ka dorëzuar zyrtarisht.
Përgjigjet e mësipërme janë të mjaftueshme që mandati i kryebashkiakut të Ramës që mban mend shumë mirë se kur ka ndryshuar emrin, kur është arrestuar, kur është hetuar dhe kur është dëbuar nga Gjermania, por nuk mban mend arsyen se përse i kanë ndodhur të gjitha këto janë të mjaftueshme që mandati i tij të hidhet në koshin e plehrave.
I mbetet institucioneve të verifikimit të ndërmarrin hapat e tjerë të nevojshëm dhe të përcaktuar me ligj për të zyrtarizuar vendimin dhe kjo kërkon një kohë jo më shumë se dy muaj. Çfarë do të duhet të verifikojnë institucionet është shumë e thjeshtë. I duhet që t’i rifreskojnë kujtesën kryebashkiakut trafikant droge të Ramës për arsyet se përse ai është arrestuar, hetuar, gjykuar dhe dëbuar nga Gjermania përpara vitit 2002, kohë kur ndryshoi edhe emrin, të cilin e ka Ervin, por që Rama i thërret Elvis.
Investigimi
Nga një investigim i gazetës i bërë kohë më parë rezulton se, kryebashkiaku i Ramës në Kavajë, Roshi rezulton me precedent penalë edhe më parë. Ai gjatë viteve 1997-2000 ka kryer dënimin me burg për trafik droge në shtetin e Zvicrës, gjë e cila nuk deklarohet në formularin e deklarimit të pasurisë dhe kjo mbetet për t’u verifikuar përmes shenjave të gishtërinjve, pasi të zgjedhurit e Ramës kanë kryer krime dhe vepra të ndryshme penale me emra të rremë.
Fakti që kryetari i PS për Bashkinë e Kavajës Elvis Roshi, ka kryer dënimin me burg për trafik droge nga periudha 1997-2000 e kanë konfirmuar burime zyrtare zviceriane. Pasuria e tij është e pajustifikuar gjatë këtyre viteve. Ai disponon një hotel dhe pasuri të tjera, të cilat në një vend normal nuk do t’i lejoheshin një trafikanti droge qoftë edhe me mandat kryebashkiaku, por do të duhet që të sekuestroheshin. I mbetet drejtësisë që gjatë ditëve të ardhshme të bëjë punën e saj për të verifikuar të gjitha të dhënat nga i zgjedhuri i Ramës në krye të Kavajës përmes blerjes së votave me paratë e pista të drogës.
I dënuari në Gjermani për drogë, në krye të PS së Kavajës
Trafikantët e drogës drejtojnë edhe Partinë Socialiste në Kavajë. Krahas Elvis Roshit, që nga i dënuar për trafik droge në Zvicër, u bë kryetar Bashkie në Kavajë pas kandidimit nga Rama, një tjetër eksponent i trafiqeve të drogës, Gentian Daja, është i besuari i Ramës në krye të Partisë Socialiste në këtë qytet. Përveçse drejtimin e PS së Kavajës, Rama i ka besuar Dajës edhe një tjetër post të rëndësishëm, Drejtorinë Rajonale të Tiranës për shërbimin e transportit rrugor. Arsyeja pse Rama ka afruar Gentian Dajën dhe madje siç shihet edhe në foton që gazeta boton sot, shfaqet në krahun e djathtë të tij është e kaluara e tij e errët e lidhur ngushtë me trafikun e drogës në vende të ndryshme të Europës. Gentian Daja është një person me precedent të fortë penal. Ai është dënuar në Kazerta të Italisë për trafik droge dhe po me të njëjtën akuzë ai është dënuar edhe në Frankfurt të Gjermanisë. Por sot ai ndodhet në krahun e djathtë të Ramës. Ky është modeli i Ramës, futja e njerëzve me precedent penal në postet drejtuese të Partisë Socialiste, e më pas veshja e tyre me pushtet, duke i emëruar në poste të larta drejtuese të administratës publike.
Arben SHAHINI