PD denoncoi dje emërimin në krye të Radio Televizionit të mikut të Olsi Ramës, Thoma Gëllçi. Sekretari Boçi deklaroi se një vendim i tillë është marrë pasi vëllezërit Rama tani kërkojnë dorë të lirë edhe tek buxheti 20 milionë euro në vit i Radio Televizionit.
“Edi Rama ka bërë publik udhërrëfyesin se si mund të bëhesh drejtor i Përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar, të këtij institucioni me mijëra të punësuar, me fond 20 milionë euro në vit dhe me disa tendera dhjetëra milionë euro në vazhdim.
Ja ku është udhërrëfyesi i Edi Ramës, i publikuar dje në disa media.
Ky është mesazhi i Edi Ramës për këdo që aspiron të bëjë karrierë, të drejtojë institucione të rëndësishme në vend.
Rregulloje me Olsin dhe e ke të garantuar.
Kjo është oligarkia në aksion, korrupsioni ulëritës, nepotizmi pa asnjë limit.
Thoma Gëllçi e kapi lojën. Ai nuk është sot drejtor i RTSH, për shkak të vizionit, pasi e kaluara e tij në krye të organit zyrtar të partisë komuniste nuk ia lejon.
Nuk është aty për shkak të integritetit apo cilësive të tjera, sepse ato nuk i ka. Është aty për shkak të Olsi Ramës, vëllait të Kryeministrit. Ja pra, si përfundoi Radio Televizioni Shqiptar në Olsi Radio Televizion”, u shpreh Boçi.