Roma bën Romën në “Olimpico” përballë Chievo Veronas, duke arritur një fitore të lehtë që e mban në garë për vendin e dytë të klasifikimit. Skuadra e Luciano Spalletit kaloi pastër 3-0 miqtë në një ndeshje pa histori, ku i pari që kaloi verdhekuqtë në avantazh ishte Radja Nainggolan në minutën e 18, ndërsa mbrojtësi gjerman Rudiger dyfishoi shifrat në të 39-ën, duke shuar përfundimisht shpresat e Chievos për të dalë me një reultat pozitiv nga kryeqyteti. 5 minuta nga fundi, Miralem Pjanic i asistuar nga Francesco Totti shënoi edhe golin e tretë.
Derbi i Genoas foli me gjuhën e skuadrës së Gaperinit që dominoi Sampdorian me rezultatin 3-0.
Dy golat e Susos dhe një i Pavolettit i rikthyen nderin Genoas, që rikthehet fituese në derbin e qytetit bregdetar. Ndërkohë, Fiorentina nuk shkoi më shumë se barazimi 0-0 ndaj Palermos, duke u dhënë një dorë të madhe skuadrës siçiliane që largohet përkohësisht nga zona e ftohtë me një pikë më shumë se Carpi, pasi në në Modena, Lazio nuk e mëshiroi skuadrën vendase, duke i rrëmbyer një fitore 3-1 që për bardhekaltrit shërben thjesht sa për statistika, ndërsa debutuesit rikthehen në zonën e ftohtë. Në takimet e tjera, Udinese siguroi pikën e mbijetesës në Bergamo ku barazoi 1-1 me Atalantan, ndërsa Frosinone rikthehet në Serinë B, pasi matematika nuk ia lejon të shpresojë te mbijetesa pas humbjes 0-1 ndaj Sassuolos.