Pep Guardiola është i vendosur që ta transferojë Alexis Sanchezin nga Arsenali. E ardhmja e Alexis Sanchez vazhdon të mbetet e paqartë. Lojtari ka edhe një vit kontratë me Arsenalin, derisa po kërkohet me ngulm nga Manchester City. Sipas “The Telegraph”, Pep Guardiola është i vendosur që ta transferojë yllin e Kilit nga Arsenali gjatë kësaj vere.
Thuhet se ekipi nga “Etihad” do të bëjë një ofertë prej 60 milionë (66 milionë euro) funteve për ish-sulmuesin e Barcelonës. Mbetet të shihet se çfarë vendimi do të marrë Arsenali. Duhet theksuar se Arsen Wenger më herët ka thënë se Arsenali nuk do t’i shesë yjet te rivalët e saj.
Chelsea ka gati goditjen e radhës në merkato. Pas Rudiger, Bakayokos dhe Moratës, presidenti rus Roman Abramovich do të vendosë në dispozicion të trajnerit Antonio Conte edhe një sulmues krahu. Bëhet fjalë për Alex Oxlade Chamberlain. Blutë e Londrës kanë arritur marrëveshjen me Arsenalin për transferimin në “Stamford Bridge” të mesfushorit të përfaqësueses angleze për shumën e 39 milionë eurove dhe në orët e ardhshme Chamberlain do të jetë zyrtarisht një futbollist i Chelsea-t.
Rikthim te Swansea për Wilfried Bony. Sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka marrë ok-in nga Manchester City për të biseduar me drejtuesit e klubit uellsian dhe për të arritur akordin për të bërë të mundur rikthimin e tij te Swansea. Bony nuk bën pjesë në planet e trajnerit të Citiziens, Pep Guardiola dhe pasi u aktivizua për një sezon në formë huazimi te Stoke City, do të largohet sërish nga “Etihad Stadium”.
Oliver Giroud pak ditë më parë konfirmoi qëndrimin e tij te Arsenali edhe për këtë sezon, por e ardhmja e sulmuesit francez pavarësisht deklaratave të lojtarit vazhdon të mbetet në dyshim. Pasi ka refuzuar disa oferta nga Anglia, Giroud mund të transferohet te Borussia e Dortmundit. Ish-lojtarin e Montpellier e tërheq projekti i verdhezinjve, por kalimi i tij në Gjermani mund të ndodhë vetëm nëse nga Borussia largohet Pierre Emerick.