Te Barcelona janë të pavendosur për Sergi Roberton. Me afrimin në skuadër të Nelson Semedos dhe Paulinhos, për spanjollin që luan si mbrojtës i djathtë dhe si mesfushor parashikohet të ketë më pak hapësira në formacion dhe vetë Sergi Roberto dëshiron largimin nga katalanasit. Për shërbimet e lojtarit Manchester United dhe Chelsea i kanë shpallur luftë njëra-tjetrës dhe janë gati t’i ofrojnë Barcelonës shumë e 40 milionë eurove, ndërkohë 25-vjeçari për faktin se nuk konsiderohet titullar nga trajneri i ri Ernesto Valverde, po reflekton për të vendosur se cila mund të jetë zgjedhja më e mirë për karrierën e tij.
Mesfushori francez i Interit, Geoffrey Kondogbia është dëshira e madhe e trajnerit të Valencias Marcelino Garcia Torral në këtë merkato. Futbollisti, i cili nuk është paraqitur në seancat e fundit stërvitore të Interit, ka prishur çdo raport me klubin zikaltër duke kërkuar largimin, madje për këtë fakt pritet të marrë një gjobë të majme dhe të pezullohet për një periudhë pa afat. Kondogbia po i shtyn drejtuesit e Interit për ta shituar te Valencia, por për momentin kalimi i tij në “Mestalla” duket i pamundur për vetë faktin se oferta e Valencias është e ulët krahasuar me kërkesat e Interit. Mes palëve ka shumë distancë, pasi zikaltërit kërkojnë 30 milionë euro për kartonin e francezit, ndërsa spanjollët ofrojnë vetëm 15 milionë euro.