Pas një analize dhe një vlerësimi të bërë nga Agjencia Kombëtare e Krimit në Mbretërinë e Bashkuar, është konstatuar se grupet e krimit të organizuar shqiptar kryesojnë tregun e kokainës në Britani.
Sipas mediave britanike “Mafia shqiptare” ka hedhur rrënjë në krimin e organizuar në Britani që nga trafikimi dhe shitja e armëve në luftën e Kosovës e deri në ditët e sotme ku ata kryesojnë dhe ushtrojnë kontroll në tregun e drogës, veçanërisht të kokainës me cilësi të lartë.
Bosët shqiptarë të drogës në Britani, janë kthyer në një celulë të rrezikshme për policinë vendase dhe në këtë prizëm, mediat vendase raportojnë se që nga viti 2015 operacionet antidrogë kanë nisur të shpërbëjne këtë rrjet që bën furnizimin e tregut të kokainës në Angli.
Ndërkohë që me 7 gusht 2017 në Angli është arrestuar një nga kokat e grupit që furnizonte tregun e kokainës së pastër në Britani, Klodjan Copja, i cili u ekstradua nga Greqia në Angli. Mediat britanike bëjnë me dije se pas Çopjes, janë arrestuar edhe 41 persona të tjerë që ndihmuan importimin e drogës me vlerë 60 milionë funte në Britani të Madhe.
Ndërkohë që në prill të këtij viti në Londër u arrestuan 5 anëtarë të një bande shqiptare të trafikut të kokainës, pasi u kapën duke importuar 30 kg 90% e të cilës ishte kokainë e pastër. Dedektivët dyshojnë se banda mund të ketë futur kontrabandë deri në një ton (1.000 kg) kokainë gjatë 20-30 udhëtimeve midis Evropës dhe Londrës gjatë një periudhe dyvjeçare.