Sinjalet, që po vijnë nga ekonomia, janë aq të komplikuara dhe të ngatërruara dhe do të bënin konfuz çdo ekonomist (të huaj), që do të shihte Shqipërinë nga jashtë dhe do të priste që teoritë makro t’i gjente të zbatuara në praktikë. Paradokset me të cilat do të hasej, padyshim do të ishin të shumta dhe nuk do të kishte asnjë lloj teorie që do të mund t’i shpjegonte, duke e bërë të dorëzohej shumë shpejt.
E para lidhet me kursin e këmbimit. Vendi ka një deficit të llogarisë korente (që nënkupton bilancin e hyrje-daljes së parave nga shitblerja e mallrave dhe shërbimeve me shtetet e tjera të botës) prej 12% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, një ndër më të lartët në Europë.
Bilanci tregtar është thelluar me 20 milionë euro për 7-mujorin e parë të këtij viti, si rrjedhojë e rritjes së importeve me ritme më të shpejta se të eksporteve. Prurjet e emigrantëve ishin pothuajse në të njëjtat nivele, ndërsa investimet e huaja ndonëse janë në rritje, në pjesën më të madhe kanë ardhur nga gazsjellësi TAP, që më shumë sesa likuiditet i hedhur në ekonomi, kanë qenë tuba të shtruar nëntokë.
Në këto kushte, kur burimet zyrtare të hyrjes së valutës janë të kufizuara, ekonomisti do të priste një nënçmim të monedhës vendase. Në fakt, ka ndodhur e kundërta. Leku po sillet si monedha e një super-ekonomie. Ai po luhatet rreth nivelit më të ulët në 9 vitet e fundit ndaj euros dhe nuk ra as kur monedha europiane u rrit ndjeshëm në bursat ndërkombëtare (meqë ra fjala, euro u rrit si rrjedhojë e sinjaleve pozitive të ekonomisë europiane, në reflektim të pritshmërive).
E dyta, lidhet me burimet e rritjes. Ekonomia shqiptare zyrtarisht ka shfaqur sinjale pozitive rimëkëmbjeje. Në tremujorin e parë të vitit, ajo u zgjerua me afër 4%, me ritmet më të larta të 8 viteve të fundit (që nga 2008-ta, kur filloi kriza), e udhëhequr nga ndërtimi dhe tregtia. Në këto kushte, çdo ekonomist do të priste një rritje në ofertën e parasë dhe normat e interesit, që nga ana e tyre gjenerojnë më shumë investime dhe vënë më shumë para në duart e konsumatorëve, duke nxitur në këtë mënyrë shpenzimet, dhe kërkesën për kredidhënie. Në fakt, ka ndodhur krejt e kundërta. Në mënyrë të pashpjegueshme, paraja që qarkullon gjithsej në ekonomi, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë në 6 muajt e parë të vitit ka rënë me rreth 180 milionë euro në krahasim me dhjetorin 2016. Kjo është tkurrja më e madhe e këtij treguesi, që nga fillimi i viteve 2000, kur banka raporton të dhënat. Edhe kur ekonomia u rrit me 1% në 2013-ën, paraja në qarkullim nuk u reduktua (ishte plus 133 mln euro). Teoritë ekonomike pohojnë se ngadalësimi në ofertën e parasë reflekton natyrën e ndrydhur të ekonomisë dhe rënien në investime. Kjo faktikisht nuk rezulton se ka ndodhur. Përkundrazi, Banka e Shqipërisë pohon se investimet private po rriten.
Këtu vijmë te paradoksi tjetër. Bizneset kanë deklaruar prej vitesh se janë në krizë likuiditeti, bilancet e tyre tregojnë një raport të përkeqësuar të detyrimeve ndaj kapitalit (që nënkupton përkeqësim ta aftësisë paguese, që u reflektua dhe në rritjen e treguesit të huasë me probleme vitet e fundit) dhe kredia ndërkohë prej dy vitesh është negative (huatë me probleme vërtet po ulen, por merita më e madhe i takon fshirjes së tyre nga bilancet e bankave). Atëherë nga po vijnë burimet e financimit, që po derdhen sidomos në sektorin e ndërtimit?
Tjetër pikëpyetje shtrohet edhe nga ecja në linja të kundërta e rimëkëmbjes ekonomike me rritjen e pagave. Teorikisht të dyja janë në linjë të drejtë, rritja e njërës tërheq edhe tjetrën. Por, nga 21 sektorë, që raporton INSTAT, 10 prej tyre, apo gati gjysma, rezultojnë me rënie të pagave bruto. Në total, paga mesatare bruto në ekonomi ra me 2.1%, nga 46,829 në 45,845, për vitin 2016. Edhe në pjesën e parë të 2017-ës, të ardhurat nga TAP (ku peshën kryesore e zë tatimi mbi pagën) kanë shënuar performancën më negative, me rënie në vlerë nominale me 2.6% për 6-mujorin!
Ndërsa teoritë ekonomike vështirë të japin shpjegim për këto paradokse shqiptare, përgjigja është e thjeshtë: Ekonomia gri (informaliteti) dhe ajo e zezë (kriminale), me këtë të fundit që nuk reflektohet në statistikat e parasë në qarkullim të bankës. Një pjesë e bizneseve po rezultojnë se kanë kursyer shumë nga mospagimi i taksave në vite, ndërsa valuta që po hyn nga ekonomia kriminale po ushqen euron, konsumin dhe shumë aktivitete të tjera.
Dy janë problemet kryesore në horizont. E para, kjo rritje ekonomike e ushqyer nga të tilla burime nuk rezulton të jetë e qëndrueshme në afat të gjatë, duke na dhënë vetëm një kënaqësi dhe qetësi të rreme. E dyta, investimi i pashmangshëm i parave kriminale në ekonomi, do të sjellë një shtrembërim të konkurrencës, në dëm të bizneseve formale. Por, ajo që është më e rëndësishmja, kjo rritje do të nxiste vetëkënaqësinë e politikëbërësve dhe do të shmangte vëmendjen nga problemet reale të vendit!
“Monitor”