Në listën e zezë të pastrimit të parave

Viti 2017 është përkufizuar nga një seri takimesh intensive të niveleve të larta për të ulur riskun e pastrimit të parave, por duket se ky vit ka rezultuar me shifra më pesimiste se ato të dy viteve të fundit.
Instituti i Bazelit për Qeverisje ka publikuar si çdo vit Basel AML Index (Indeksin Kundër-Pastrimit të Parave) ku merr në analizë 146 vende mes të cilëve edhe Shqipërinë, ku rezulton një përkeqësim i indeksit. Indeksi mat rrezikun e pastrimit të parave dhe financimeve terroriste, pazuar në të dhëna publike. Indeksi vlerësohet me pikë nga 0 (rrezik i ulët) te 10 (rrezik i lartë).
Konkretisht, Shqipëria renditet në vendin e 85 me një pikëzim prej 5.75, duke shënuar përkeqësim në raport me vitin e kaluar, kur i njëjti indeks ishte përmirësuar në 5.04, pas nivelit prej 5.56 në vitin 2015.
Shifrat tregojnë se kemi një përkeqësim në pikëzimin e indeksit, por ndërkohe një përmirësim në renditje. Në vitin 2016 sipas të njëjtit dokument renditeshim në vendin e 102.
Pra në një vit jemi ngjitur me 17 vende, por sikurse tregojnë shifrat kjo nuk është meritë e përmirësimit tonë, por e përkeqësimit të vendeve të tjera të marra në studim.
Në tabelat e raportit, Shqipëria renditet mes 15 vendeve me rrezik më të lartë në Europë dhe Azinë Qendrore, së bashku me Bosnjë Hercegovinën e Serbinë. Pas nesh renditet edhe Italia.
Më keq mes 146 vendeve në botë sipas Indeksit Kundër Pastrimit të Parave të Bazelit renditet Irani, ashtu sikurse ishte dhe në vitin 2016 me një indeks 8.60 për këtë vit. Kurse më mirë renditet Finlanda, e cila ka mbajtur edhe ajo të njëjtin pozicion të 2016, por duke përmirësuar indeksin nga 3.05 në 3.04 për këtë vit.
Por çfarë është në fakt indeksi AML i Bazelit. Ky indeks mat riskun e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizimit të vendeve bazuar në burimet publike të disponueshme. Një total prej 14 indikatorësh që lidhet me rregulloret kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër terrorizmit, korrupsionin, standardet financiare, ndikimin politik dhe zbatimin e ligjit agregohen në një vlerësim total risku.
Ashtu siç thuhet edhe në raport synimi i Institutit të Bazelit për Qeverisje nuk është që të verë vendet në krahasim me njëra tjetrën për nivelin e riskut që ka secila për pastrimin e parave, por që të shërbejë si një indikator referimi individualisht për çdo vend për të parë ku ka ecur dhe për të orientuar politikat drejt përmirësimit të këtij treguesi me vetveten.

Raporti i SHBA: Pastrim parash nga korrupsioni i shfrenuar i qeverisë

Pak javë më parë, ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt deklaroi se, në Shqipëri qarkullojnë më shumë se 2 miliardë euro para e pisët që vjen nga trafiku i drogës. Diplomati shprehu shqetësimin se këto para mund të përdoren për fushatë elektorale. Pavarësisht se nën presionin e qeverisë, Borchardt u detyrua ta ridimensionojë e ta zbusë qëndrimin e tij, duke thënë se edhe në kohën e Berishës kishte trafik droge në këto përmasa, fakti ngelet se qarkullimi i parasë se pisët përbën rrezik jo vetëm për zgjedhjet.
Në datën 14 mars, Departamenti i Shtetit publikoi raportin vjetor “Raporti i Strategjisë për Kontrollin e Narkotikëve-Pastrimi i Parasë dhe Krimet Financiare”, ku Shqipëria bashkë me Serbinë dhe Bosnjen është futur në listën e vendeve kryesore në botë që pastrojnë para.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit 2017

“Vendi mbetet në rrezik të konsiderueshëm për pastrimin e parave për shkak të korrupsionit të shfrenuar dhe institucioneve të dobëta ligjore dhe qeveritare. Shqipëria ka një ekonomi të madhe në cash dhe të sektorit informal, me prurje të mëdha të parave nga jashtë në formën e remitancave.
Të ardhurat më të mëdha të gjeneruara nga krimi në Shqipëri përfshijnë trafikimin e drogës, evazionin fiskal, kontrabandën dhe trafikimin e qenieve njerëzore. Shqipëria ka një treg të zi të konsiderueshëm për mallra të kontrabanduara, dhe kontrabanda është lehtësuar nga kontrollet e dobëta kufitare dhe procedurat doganore.
Shqipëria prodhon dhe eksporton sasi të konsiderueshme marijuanë, kryesisht për përdorim europian, dhe është një vend tranzit për heroinën afgane dhe kokainën, duke shërbyer si një portë kryesore për shpërndarjen e heroinës në të gjithë Evropën”, vlerëson raporti i Departamentit të Shtetit.
Në vitin 2015, agjencia FATF e Këshillit të Europës (Financial Action Task Force) vendosi ta heqë Shqipërinë nga lista e vendeve që pastrojnë para. Asokohe, edhe ministria jonë e Financave u mburr me këtë vendim dhe e paraqiti si sukses të reformave ligjore dhe bllokimit të qarkullimit të parasë së pisët në vend.
“Dalja nga procedura aktuale e monitorimit është me rëndësi të veçantë për vendin tonë, pasi së pari konfirmon efektivitetin e masave të ndërmarra tashmë nga autoritetet shqiptare në parandalimin e pastrimit të parave dhe krijon një bazë solide për ecurinë e mëtejshme të vlerësimit të vendit tonë”, thuhet në një reagim të Ministrisë së Financave në shtator 2015.
Çfarë ka ndodhur në 2 vite, ose më saktë në 1 vit (duke qenë se raporti i DASH publikohet në 2017, por përshkruan situatën në 2016)?
Asgjë më pak e asgjë më shumë se ajo që dihet publikisht nga opinioni, paraja e pisët që ka qarkulluar si rezultat i trafikut të drogës gjatë vitit të kaluar ka qenë në nivele rekord.
Plantacionet e mbjella në vitet 2015-2016 i dhanë “frytet” maksimale pikërisht vitin e kaluar. Avionë dhe pista të dedikuara për trafikun e drogës, qindra tonelata drogë të kapura (po sa të pakapura?) në Shqipëri, Itali dhe Greqi reflektohen në treg.
Çuditërisht euro është zhvlerësuar gjithnjë e më shumë dhe sipas specialistëve kjo i kushtohet pikërisht fluksit të parasë informale që vjen nga Europa, tregu kryesor dhe ndoshta i vetëm i hashashit shqiptar.

Artikulli paraprakMonitor jep alarmin për nivelin e ekonomisë kriminale
Artikulli tjetërMistiku në oborrin e Carit