Tepsija me tendera e gjitha për Ramën

Një nga vendimet e para që Rama do të marrë pas krijimit të qeverisë është ndryshimi i ligjit për tenderat. E gjithë tepsija e tenderave do të jetë në duart e tij dhe askush tjetër nuk do të vendosë se kush do të përfitojë nga thelat që do të ndajë Rama.
Qeveria e re e Edi Ramës do të ketë një strukturë të re, një strukturë, që do të lërë gjithë ministrat e kabinetit qeveritar “me gisht në gojë”, siç thotë fjala e urtë popullore.
Bëhet fjalë për Drejtorinë e Përgjithshme të Prokurimeve Publike, një strukturë e panjohur më parë në qeverisje, që do të mbledhë gjithë procedurat e tenderave të çdo institucioni që menaxhon para publike, në duart e një njeriu të vetëm, organ që do të ketë zyrën në selinë e Kryeministrisë, dhe do të jetë në varësinë e Kryeministrit.
Burime të besueshme thanë se struktura e re e Prokurimeve Publike do të varet nga Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.
Përfundimisht, ministritë do të bëjnë planet e tyre vjetore për nevojat që kanë, por tenderat, nuk do të realizohen në asnjë prej këtyre dikastereve.
Burimet thanë se ministritë mund të kenë nevojë për letra e lapustila, prodhime kancelarie, apo printera; siç mund të kenë nevojë policët e ushtarët për veshmbathje, apo edhe të burgosurit e spitalet për çarçafë e veshje; nevojat mund të jenë për blerje armatimesh apo për blerje makinash….por edhe për çdo lloj blerjeje tjetër.
Por, asnjë nga ministrat, apo stafet përkatëse, nuk do të menaxhojë asnjë tender. Të gjitha do të bëhen në Drejtorinë e Prokurimeve Publike në varësi të Kryeministrit.
Sipas lajmit të dalë nga Kryeministria, Edi Rama nuk ishte njohur me këtë ide të re deri një muaj më parë, kohë kur takoi kryeministrin kroat. Dhe siç informojnë burimet e besueshme, një ndër çështjet për të cilat është diskutuar, ka qenë edhe riorganizimi i qeverisë, por edhe procedurat e tenderave dhe mënyrat sesi mund të shmanget korrupsioni. Kryeministri kroat e ka njohur me idenë e Kroacisë, ku tenderat zhvillohen jo nga çdo institucion, por vetëm në një vend.
Edi Ramën e ka tërhequr shumë kjo ide dhe nuk ka ngurruar të kërkojë ndihmën e homologut për të trajnuar personel shqiptar në mënyrën sesi Kroacia po ecën me këtë procedurë. Dhe kryeministri kroat ka pranuar që njerëz nga Shqipëria të shkojnë në Kroaci, (dhe janë ende aty) për të marrë eksperiencën e nevojshme për të krijuar strukturën e re në Shqipëri.
Dhe njeriu është zgjedhur. Sigurisht është prapë një grua, dikur pjesë e kabinetit të ish-kryetarit të Bashkisë Edi Rama dhe sot në stafin e tij në qeveri. Kjo grua do të bëjë “zap” tenderat e gjithë buxhetit të shtetit.

KLSH: 60 miliardë lekë dëmi në dy vite nga tenderat

Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë analizës së bërë publike për auditimet e vitit të shkuar, ka cituar se një ndër kontrollet e realizuara ka konstatuar më tepër probleme kanë qenë në Prokurimet Publike, dëmi ekonomik i së cilës kishte rritjen më të ndjeshme.
Për Agjencinë e Prokurimeve Publike, auditimi tregoi se kishte rritje të konsiderueshme të vlerës së dëmit të konstatuar në fushën e prokurimeve publike krahasuar nga viti në vit gjatë tre viteve të fundit të qevrisë së Ramës.
“Për vitin 2015, kemi rritje të dëmit, i cili arriti në 2,621,594 mijë lekë e përllogaritur në 26 miliardë lekë (të vjetra) . Kjo shifër e abuzimeve në 2015 rezultoi të ishte 3.8 herë më e lartë se ajo e vitit 2014”, thuhet në raportin e KLSH.
Po shifrat sa vijnë edhe rëndëohen në fushën e prokurimeve publike. Po sipas raportit zyrtar të KSH abuzimi në vitin 2016 në fushën e prokurimeve publike, ose tenderave ka ardhur duke u rritur akoma dhe më shumë se në vitin 2015, duke kapur shumën e 34 miliardë lekëve.

46% e tenderave për prokurim të drejtpërdrejtë

Pas tenderave me shumën e qindramiliona eurove qëndron klientela e Ramës. Faktet janë bërë publike përgjatë katër viteve ku njerëzit e Ramës fitonin tenderat pa garë dhe mbi 70% e tyre me ofertën më të lartë. Kompanitë që futeshin në tender me ofertë më të ulët nuk fitonin. Fituesit e tenderave janë të paracaktuar nga vetë Rama dhe janë vetëm një grusht i vogël i klientelës afër tij që kanë përfituar gjatë këtyre viteve shumat marramendëse. Vendimi i fundit i Ramës për të përqendruar në duart e tij edhe ligjërisht tenderat nuk është gjë tjetër veçse një privatizim I qeverisë dhe shfrytëzimi i saj si të jetë një kabinet personal.
Sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, 46% e tenderave të qeverisë pra afro gjysma, janë bërë me prokurim të drejtpërdrejtë me qëllim që fituesit e paracaktuar-miq, klientë, ortakë-të shpallen në zyrën e Kryeministrit.
Edhe në ato pak raste, kur tenderat janë bërë formalisht me garë, fitues nuk janë shpallur ata që kanë dalë të parët, por ata që janë renditur nga fundi, miqtë, klientët, ortakët, që kanë paraqitur ofertat më të larta, në kufi të fondit limit.
Shqiptarët po e shohin, por duhet ta mësojnë deri në fund se këta, Edi Rama me ministrat e tij, e zhdukën de fakto garën, e zhdukën de fakto tenderin, këtë standard të konkurencës, trasparencës dhe ndërshmërisë në ekonominë e tregut.
Pse e zhdukën? Për të vjedhur. Për asgjë tjetër. Vetëm javët e fundit, ne, Partia Demokratike, kemi denoncuar njëzet e dy tendera të pastër korruptivë të klikës në krye të qeverisë.

Tenderi 100 milionë euro i sterilizimit

Tenderi i sterilizimit është një nga vjedhjet më skandaloze e perverse të Beqjes, i cili çdo ditë po thyen edhe rekordet e veta në fushën e korrupsionit.
Dhënia e 100 milionë eurove, ose më saktë, ndarja e 100 milionë eurove me mikun e tij, është një krim i rëndë, që duhet ndëshkuar.
100 milionë euro për sterilizimin, ndërkohë që ky sistem ishte i ngritur në çdo spital.
Një investim prej 1.3 milionë euro i bërë nga qeveria e mëparshme, mjaft modern dhe efikas.
Por Rama dhe Beqja, kanë tjetër prioritet. Nuk u intereson sterilizimi, por milionat.
Jo vetëm kanë vendosur të japin 100 milionë euro për klientin e tyre, por i kanë dhënë atij edhe sistemin e ngritur, logjistikën, pajisjet dhe mjetet për kryerjen e sterilizimit.
Me një procedurë fiktive, për të blerë një shërbim që ekziston, që thjesht duhet vënë në punë. Dhe për këtë, me një dorë jepen, ndahen pra 100 milionë euro.

Tenderat simbole të korrupsionit, fytyra e pushtetit të Ramës

-Tenderin me vlerë 4 miliardë e 520 milionë lekë që Rama i ka dhënë ndërtuesit të sarajave të tij, Pandi Carapulit, duke e shpallur fitues nga vendi i fundit, edhe pse oferta e tij ishte 500 mijë euro më e lartë se ajo e vendit të parë.
-28 tenderat e Ilir Beqës, kampionit të korrupsionit, që ia ka dhënë ortakut të tij, kompanisë modeste Intech+, 11 milionë euro. Ky është një superskandal, por ministri dhe kryeministri as skuqen, as nxihen.
-Tenderin në vlerë 120 milionë euro, që i është dhënë kompanisë së oligarkes, Vilma Nushi dhe tendera e koncesione të tjera si ai i hemodializës apo i sterilizimit, që arrijnë në shumën e 338 milionë euro njëri më skandaloz se tjetri, të gjitha në ministrinë e dalluar të shpërdorimit dhe vjedhjes së parasë publike, në atë të Beqës.
-Tenderat skandalozë të Lames së ALUIZNI-t, tenderat skandalozë të OSHEE, tenderin skandaloz të Jaguar-ve, të autoambulancave, të cilët i bashkon si një fill i zi fakti se u janë dhënë në formë shpërblimi, dhe ortakërie shokëve, miqve të ngushtë të Ramës dhe klikës së tij.
-Tenderin skandaloz për rikonstruksionin e godinës së Ministrisë së Mbrojtjes, ku firma fituese është një kompani pastrimi, punonjësit e së cilës rezultojnë të jenë regjistruar si fshesarë.
-Konçesionin skandaloz të hekurudhës Vlorë-Fier, dhënë në shkelje të hapur të ligjit për konfliktin e interesit, djalit të zv/ kryetares së Kuvendit, Valentina Leskaj, djalit tjetër të së cilës Edi Rama i ka akorduar, edhe 700 milionë lekë si ofertues i vetëm në tenderin për shëndetin psikik të kryebanditit të OSHEE, Ardian Çela.

Miqtë e Ramës tek tenderi i Sheshit “Skëndërbej”

Emri i studios belge 51N4E ngjan i lidhur pandashmërisht me projektin pedonal të Sheshit “Skënderbej”.
Ajo është studioja që bëri projektin e rehabilitimit si pjesë e planit urbanistik, në kohën kur Edi Rama ishte kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Së fundi, 51N4E është shpallur fituese e tenderit për mbikëqyrjen e punimeve të fazës së parë të sheshit. Është përzgjedhur mes 7 kompanive në garë, edhe pse kishte ofertën më të lartë.
AIS një OJF promotore e Open Data Albania raporton se për fazën e parë të punimeve për Rikualifikim të Sheshit “Skënderbej”, vlera është 527.5 milion lekë dhe Kompania Fituese Fusha shpk.
Por për mbikëqyrjen e punimeve të kësaj faze është zhvilluar gjithashtu një tender dhe “u shpall fituese kompania me ofertën më të lartë, përkatësisht 51N4E, duke refuzuar/skualifikuar gjashtë kompanitë me renditje më të favorshme sipas ofertës”.

Artikulli paraprakAmbasadorja fshehu 40 faqe raport të krimit
Artikulli tjetërNga “fajin e ka Berisha”, Rama po kapet pas “fajin e ka Basha”