“Shteti kundër shtetit”: Faturat e papaguara, KESH sekuestron OST

Korporata Elektronenergjetike Shqiptare (KESH) ka vendosur të arkëtojë me forcë detyrimet që palë të treta kanë ndaj saj mes të cilëve bën pjesë edhe Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), të dyja në pronësi shtetërore. Në datën 21 gusht është vendosur edhe masa e sekuestros mbi aksionet e OST, ku sipas përmbaruesit bëhet me dije se kjo vjen si efekt i një fature të papaguar.
Për këtë faturë ka edhe një vendim nga Gjykata e Tiranës për t’u ekzekutuar. Në vendimin e përmbarimit nuk jepen detaje për vlerën e faturës apo shërbimin që KESH ka dhënë ndaj OST dhe për të cilin nuk është paguar, por një situatë e tillë ishte në axhendën e diskutimit edhe në mbledhjen e fundit të Entit Rregullator të Energjisë. Kjo çështje gjatë mbledhjes nuk është diskutuar në detaj, pasi përfaqësuesit e KESH nuk kanë preferuar të ndalen në detaje, duke i konsideruar si çështje të brendshme të kompanisë. Por duket se OST dhe KESH kanë konflikte më të hershme me njëra-tjetrën. Siç referohet dhe në raportin e auditorëve në bilancin e KESH për vitin 22016, një ndër to është edhe pjesa e faturave që Transmetimi ka hartuar për fatura me të cilët KESH nuk është dakord dhe që i përkasin mbulimit të humbjeve në rrjetin e transmetimit, shërbimet ndihmëse dhe disbalancat, një detyrim ky që vjen nga një vendim i Entit Rregullator të Energjisë.
Për vitin 2016 faturat e hartuara nga OST për shërbimin e balancimit sipas KESH nuk reflektojnë sasinë e energjisë së injektuar në kuadër të ofrimit të këtij shërbimi. Kjo ka bërë që operatorët të jenë të shoqëruar prej kohësh nga një konflikt në distancë për gjetjen e një zgjidhjeje. Situata e vështirë e krijuar si efekt i mungesës së reshjeve, importeve të larta dhe funksionimit të tregut të transmetimit brenda rregullave që imponon ENTSO-E, ka vënë nën presion financat e tre operatorëve, të cilët po kërkojnë të arkëtojnë çdo detyrim mes njëri-tjetrit apo palëve të treta në mënyrë që të zbusin disi situatën. Kjo ka bërë që për momentin pagesat të ndaleshin vetëm tek faturat korente të operatorëve mes njëri-tjetrit, por që detyrimet e prapambetura janë një tjetër çështje që duhet të marrë zgjidhje për të mos krijuar një zinxhir të ri borxhesh që mund të kërcënojë qëndrueshmërinë e tyre.

KESH për importin

Në shtator nuk do të jetë vetëm Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë që do të sigurojë furnizimin me energji të vendit. Stafeta këtë herë duket se i ka kaluar Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare, e cila ka çelur procedurat për shprehje interesi nga palët që duan të marrin pjesë. KESH bën me dije se kjo energji do të sigurohet përmes kredisë së Bankës Botërore prej 22.4 milionë euro, e cila prej kohësh ishte në negocim për t’u përdorur si rezultat i situatës problematike hidrike në vend, por sasia e kredisë nuk do të përdoret e gjitha menjëherë. Kompanitë e interesuara duhet që të ofertojnë pranë KESH dhe ofertat e tyre duhet të jenë të vlefshme deri në datën 28 gusht, ndërkohë që lëvrimi do të bëhet në 1-30 shtator.

Artikulli paraprakMokra ka vdekur
Artikulli tjetërNë kurrizin e shqiptarëve, OSHEE blen energji, 20 milionë euro për shtatorin