“Ndizet” sfida Roma-Inter

Roma dhe Inter do të ndeshen të shtunën në mbrëmje, në fushën e lojës, por dy klubet po arrijnë kulmin edhe në përballjen në merkaton verore. Kështu, pasi zikaltrit i morën trajnerin Spalletti, tentuan të afrojnë disa futbollistë të Romës, por pa ia arritur qëllimit. Këtë javë, përballja mes dy klubeve po bëhet për të marrë shërbimet e sulmuesit çek të Sampdorias, Patrick Schick. Të dy klubet kanë prezantuar ofertë të njëjtë ndaj Sampdorias dhe verdhekuqtë kanë mbështetjen e presidentit Ferrero, ndërsa zikaltrit janë zgjidhja e parë e sulmuesit çek.
Gjatë ditës së mërkurë, legjenda e Romës, Francesco Totti dhe trajneri Di Francesco, ‘zbritën në fushë’ dhe takuan Schick, për ta bindur të zgjedhë kryeqytetin. Por, në mbrëmje erdhi edhe kundërpërgjigja drejtuesve të Interit, të cilët darkuan me menaxherët e sulmuesit çek, në tentativë për të mbyllur marrëveshjen. Deri ditën e shtunë pritet të mësohet se kush do ta ketë fituar betejën për Schick dhe më pas do t’i lihet vendi fushës së lojës, për një tjetër përballje spektakolare.
E ardhmja e Patrick Schick do të vendoset përfundimisht gjatë ditës së sotme, nga vetë futbollisti. Transferimi i sulmuesit çek ishte kthyer në një telenovelë të vërtetë verore. Kështu, pasi ngjalli interes në shumë klube, Schick zgjodhi bardhezinjtë e Juventusit, të cilët hoqën dorë më vonë, pas disa problemeve në zemër, që u konstatuan gjatë vizitave të 21-vjeçarit. Por, pasi kaloi me sukses testet e dyta mjekësore, çeku përfundoi sërish në qendër të merkatos së shumë klubeve. Së fundi, Inter dhe Roma janë klubet që ndodhen shumë pranë transferimit të tij dhe siç njofton klubi i Sampdorias, Schick do të bëjë të ditur vendimin e tij mbi zgjedhjen e klubit të ardhshëm, gjatë ditës së sotme.

Monaco hedh sytë nga Belotti

Largimi i mundshëm i Kylian Mbappe ka bërë që Monaco të rikthehet në merkato në kërkim të një sulmuesi. Alternativat për klubin nga principata për të zëvendësuar 18-vjeçarin janë tre, Diego Costa, Kasper Dolberg, dhe Andrea Belotti. Drejtuesit e Monaco vazhdojnë bisedimet me Torinon, përsa i takon shumës që presidenti i granatave Cairo kërkon, pasi nuk duan të paguajnë klauzolën prej 100 milionë eurosh. Klubi nga “Stade Louis II” për të arritur te italiani është gati të derdhë në arkat e Torinos shumën e 80 milionë eurove plus bonuse.

Marchisio shuan zërat

Ka mjaftuar publikimi i një fotoje në rrjetin social “Instagram” nga ana e vet të përfshirit në thashethemet e merkatos verore, për të treguar se pozicioni i tij është i palëkundur, i qartë dhe që nuk lë vend për interpretime. Pas fjalëve të Marottës, është vet Marchisio që largon zërat e merkatos për një transferim të mundshëm te Milani. Fotoja me fanellën e Juves dhe me dorën te stema e skuadrës, në zemër, flet mëse qartë: përjetësisht te Juve, padyshim!
Një veprim ky që tregon se mesfushori juventin mendon vetëm për bardhezinjtë, aspak për Milanin apo për Chelsean. “Princi” mban në zemër vetëm fanellën e “Zonjës së vjetër”, e për ta treguar këtë nuk lodhet të shkruajë gjatë. “Princi nuk preket”, ishte shprehur Marotta pak ditë më parë, fjalë që gjejnë edhe konfirmimin e vet lojtarit.

Valencia serish në merkato

Te Valencia merkato nuk është mbyllur me afrimet Gabriel Paulistës nga Arsenali dhe Murillos e Kondogbia nga Interi. Trajneri Marcelino Garcia Torral u ka kërkuar drejtuesve edhe dy përforcime të tjera, një qendërmbrojtës dhe një sulmues. Me të ardhmen e Ezequiel Garay-it që mbetet në pikëpyetje, Valencia përpara se të mendojë për blerjet duhet të largojë nga skuadra 4 futbollistë që nuk bëjnë më pjesë në planet e trajnerit. Bëhet fjalë Aymen Abdenour, Fabian Orellanan, Luis Nanin dhe Vinicius Araujo.

Artikulli paraprakBatuta e Ronaldos me Bufon që bëri edhe Messin të qeshë
Artikulli tjetërSkënderbeu heroik