Votim elektronik me shenjat e gishtërinjve

Partia Demokratike ka finalizuar diskutimet për platformën për procesin zgjedhor ku ka vendosur t’i propozojë Komisionit Ad Hoc për Reformën Zgjedhore votimin elektronik me shenjat e gishtërinjve. Kryetari i PD, Lulzim Basha deklaroi dje se zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e tyre janë dhe do të mbeten kusht absolut i PD.
“Partia Demokratike dhe unë e kemi bërë të qartë prej fillimit, pa një reformë zgjedhore që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme asgjë tjetër nuk do të funksionojë normalisht në këtë vend. Natyrisht ne jemi edhe sot kemi qenë pjesë dinjitoze e përpjekjes për një Reformë në Drejtësi, pa propagandë, pa shtirje siç bënë ata që thonë do ta votojmë pa e lexuar, por me seriozitetin që meriton Reforma në Drejtësi jemi angazhuar dhe do të vazhdojmë të angazhohemi. Por zgjedhjet e lira dhe të ndershme dhe gjithçka që ka të bëjë me garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme janë prioritet i prioriteteve. Ua kam thënë dhjetëra herë këtu dhe në të tjera forume dhe si të tilla janë dhe mbeten kusht absolut i Partisë Demokratike dhe i opozitës për gjithçka tjetër në këtë vend”, u shpreh Basha.
Basha parashtroi para medias propozimet që PD do të bëjë në Komisionin për Reformën Zgjedhore, ndërsa citoi votimin biometrik, numërimin elektronik, kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Ai citoi gjithashtu kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit, hapësirë e barabartë të partive politike në media.
“Kontrollin e plotë të financave të partive politike dhe kriminalizimin e donacioneve private përmes financimit 100% të partive nga buxheti i shtetit. Kufizimin e shpenzimeve në fushatë elektorale, të parave që nuk i ‘pjell’ gjeli i artë i ndonjë partie politike, por janë para korrupsioni të kryer apo që pritet të kryhet apo paraprihet. Lirinë e medias dhe hapësirën e barabartë –‘par condicio’ të faktorëve politikë, të partive politike në hapësirën mediatike, në funksion të informimit të publikut dhe të tjerë parametra europiane për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Natyrisht parametri i parametrave mbetet një qeveri teknike sepse Edi Rama tashmë është faktuar botërisht një person jo në gjendje për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme”, u shpreh Basha.
Ai bëri të ditur se së shpejti PD do të finalizojë qëndrimin për procesin zgjedhor bashkë me aleatët e saj, ndërsa tha se “pret që brenda kësaj jave apo fillimi i javës së ardhshme Komisioni Ad Hoc për Reformën Zgjedhore, mazhoranca të ketë të parashtruar në mënyrë profesionale standardin europian të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, votimin biometrik, numërimin elektronik dhe të gjithë aspektet e tjera që kanë të bëjnë me shkurtimin e duarve të korrupsionit dhe krimit nga vota e shqiptarit”.
I pyetur mbi debate në Grupin e PD, Basha u përgjigj: “Sigurisht ka patur dhe do të ketë gjithmonë e më shumë. Ky është standardi im si kryetar i Partisë Demokratike, parti e debatit, parti e rrahjes së mendimeve, parti e çdo demokrati, sigurisht edhe e çdo deputeti. Kjo ishte mbledhje e Grupit parlamentar dhe deputetët do të japin mendimet e tyre dhe në fund fare do të vendosim të gjithë së bashku si një parti e bashkuar dhe e vlerave. Dhe sot kemi arsye bashkë me shqiptarët të jemi edhe më me shumë besim se bashkimi rreth Partisë Demokratike, rreth vlerave, rreth vlerave e jo sloganeve po fillon të japë rezultat”.

Arben Shahini

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërTerrori i Lefterisë në KQZ: Kush tregoi për Elvisin