Kompania është regjistruar si kompani guackë në Holandë në qershor 2016. Por, çuditërisht, gati tre muaj para se kompania të ekzistonte ligjërisht, në maj 2016, ajo paraqiti propozimin e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt
Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare
Qeveria Rama ka vendosur të ndërtojë një incinerator- impiant djegieje – të plehrave për territorin e Qarkut Tiranë, duke përdorur sërish një skemë të Partneritetit Publik Privat (PPP). Ashtu siç pritej, një kompani me zyra në Amsterdam të Holandës është fituesja e koncesionit të ndërtimit të landfillit inceneratorit dhe rehabilitimit të vendepozitimeve në Tiranë. Ministria e Mjedisit që ishte edhe autoriteti kontraktor për këtë procedurë koncesioni njoftoi se Integrated Energy B.V ofroi 128 milionë euro, duke u shpallur edhe oferta e vlefshme në këtë procedurë. Nga ana tjetër mësohet se, kjo kompani ishte e vetmja në garë që paraqiti një ofertë. Procedura e koncesionit u shpall pak para zgjedhjeve, ndërkohë që ofertat u paraqitën në datë 12 qershor 2017 dhe përgjatë disa muajve u morën në analizë dokumentat tekniko-ligjorë të kompanisë. Kompania Integrated Energy B.V. është kompania e preferuar e qeverisë për fitimin e koncesionit 30-vjeçar me vlerë 128 milionë euro. Por kompania dhe përfshirja e saj në ndërtimin e incerneratorit është një histori që ka të gjitha tiparet e një historie korruptivo-kriminale. Kompania është regjistruar si kompani guackë në Holandë më qershor 2016. Por, çuditërisht, gati tre muaj para se kompania të ekzistonte ligjërisht, në maj 2016, ajo paraqiti propozimin e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit të Tiranës në Ministrinë e Mjedisit. Pas vlerësimit të propozimit, qeveria vendosi të fillojë procedurat e tenderimit për këtë projekt. Më datë 7 dhjetor 2016, qeveria miratoi një vendim, i cili i jep kompanisë Integrated Energy B.V. një bonus prej tetë për qind të pikëve në procedurën e konkurrimit. Ky vendim e favorizon kompaninë në krahasim me kompanitë e tjera, të cilat mund të marrin pjesë në garë. Sipas relacionit të Ministrisë së Mjedisit, i cili shoqëron vendimin e mësipërm, del qartë se kompania private do të ofrojë një shërbim për qytetarët, për të cilin do të paguhet direkt nga shteti, nëpërmjet shitjes së energjisë së prodhuar nga plehrat tek KESH, shitjes së materialeve të riciklueshme dhe pagesës direkt me tarifa ende të papërcaktuar nga bashkitë që janë pjesë e qarkut Tiranë. Qeveria shqiptare miratoi pranimin e një oferte të pakërkuar për koncesion dhe dhënien e një bonusi prej 8 pikësh për kompaninë “Integrated Energy BV”, Shpk, për “dhënien me koncesion të ndërtimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimin e venddepozitimeve ekzistuese të Tiranës”. Investimi i planifikuar bëri jo pak zhurmë. Ky investim do të jetë 128 milionë euro dhe afati i koncesionit është 30 vjet. Projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impianti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin, krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impiant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave. Të dhënat e këtij aktiviteti janë alarmante. Në këtë koncesion, përveç ndërtim landfilli dhe përpunim të mbetjeve, parashikohet edhe ngritja e një incerneratori ose e thënë shqip, një furrë gjigante ku do të digjen plehrat, me shumë gjasa jo vetëm ato të Shqipërisë nëse rrëzohet dekreti i Presidentit, për ligjin e importit të tyre. Por përveç kësaj, sipas kësaj VKM-je zbulohet, edhe se kush do të jetë ky koncesionar i ri. Kjo kompani pavarësisht se zyrtarisht u shpall fituese vetëm dje zyrtarisht, ajo prej një viti e kishte siguruar koncesionin, ndërsa me firmën e Edi Ramës merr paradhënie një bonus prej 8% të pikëve, duke u diferencuar nga çdo subjekt tjetër, që mund të jetë i interesuar të konkurrojë.
Cila është Integrated Energy B.V.?
Kompania e favorizuar për ndërtimin dhe shfrytëzimit të impiantit Integrated Energy B.V. është e regjistruar në Holandë më 1. 9. gusht 2016. Objekti i punës së saj është “zhvillimi i çdo lloj aktiviteti në fushën e përpunimit të mbetjeve, prodhimit të energjisë dhe aktivitete të njëjta, si vendore dhe financiare, si dhe mirëmbajtja dhe financimi i aktiviteteve”. Exit.al ka kontaktuar në numrin e shënuar në dokumentet e regjistrimit të kompanisë, i cili është në fakt numri i kompanisë FGG, kompanisë së punësuar për administrimin Integrated Energy B.V. Por në përgjigje të kërkesës sonë për informacion, FGG mohoi që Integrated Energy B.V. të jetë klient i saj. Kapitali fillestar i Integrated Energy B.V., e cila pretendon të investojë 128 milionë euro, është vetëm 50 mijë euro dhe kompania nuk ka asnjë person të punësuar. Në bordin drejtues të Integrated Energy gjendet shqiptari Klodian Zoto, pronar i kompanisë, dhe partneri i tij në biznes Ernesto Granelli, inxhinier në kompaninë Energy Recuperator Spa. Klodian Zoto është, gjithashtu, pronari i kompanisë Integrated Technology Services, e cila do të ndërtojë një incernerator mbetjesh në Fier, pavarësisht protestave të banorëve dhe mungesës së konsultimeve me publikun për projektin. Në bordin e kompanisë shërbejnë, gjithashtu, Thomas Walter Hansmann, drejtor i kompanisë Paul Wurth India Private Ltd. dhe Hans Wallage, përfaqësuesi i ANT Managment, kompani e specializuar në krijimin e strukturave financiare që mund të përdoren për fshehjen e evazionit fiskal. Për të përfunduar me emrat e Theo Spijkerman dhe Arnaud van der Werf, të cilët punojnë të dy për SGG Group, kompani e cila ofron shërbime financiare në shumë vende të botës dhe është specializuar në ndërtimin e kompanive të formës “trust”, shpesh të përdorura për evazion fiskal. Në dhjetor të viti 2014, Zyra e Hetimit për Mashtrime Financiare në Mbretërinë e Bashkuar (SFO) filloi hetimin e SGG Group, pasi kompania “kishte shitur aksione falco në një kompani të prodhimit të karburantit bio në Kamboxhia […] Vlera e përgjithshme e mashtrimit ishte rreth 23 milionë paund britanikë”. Përveç mashtrimit, SFO zbuloi gjithashtu se një nga drejtorët e SGG Group kishte marrë bakshish për të prodhuar fatura falco shitjeje, të cilat i jepnin të drejtë agjentit të merrte komisione të mëdha nga fondet e investimit. Dënimi i kompanisë SGG Group ishte i pari dënim nën ligjin mbi mashtrimet në Mbretërinë e Bashkuar.