Do importohen 790 ton plehra në ditë

Shoqëria “Integrated Energy B.V” është fituese e koncesionit për ndërtimin e landfillit dhe inceneratorit të Tiranës. “Report Tv” zbardh detaje nga koncesioni me vlerë 140 milionë euro, të shpallur nga Ministria e Mjedisit, i cili ngre disa pikëpyetje.
Niveli i ndotjes nuk specifikohet, ndërsa kapacitetet e inceneratorit janë shumë herë më të mëdha se sasia e mbetjeve që prodhohen në Tiranë. Ky fakt ngre dyshime se shoqëria do të marrë mbetje të tjera për të përmbushur kapacitetet dhe për të shmangur vështirësitë financiare. Sipas Ministrisë së Mjedisit, fituese e këtij koncesioni është Shoqëria “Integrated Energy B.V., e cila një vit më parë bëri edhe ofertën e pakërkuar për ndërtimin e inceneratorit. Gjithashtu pikëpyetje ngrihen edhe mbi kapacitetet e këtij inceneratori, që pritet të përpunojë mbetjet si dhe të prodhojë energji nga përpunimi i tyre.
Sipas të dhënave dhe ofertës së vetë kompanisë, ky incenerator do të ketë një kapacitet ditor përpunimi prej 920 ton, të cilat do të përpunohen nga 4 linja, që përllogaritet të përpunojnë 230 ton secila. Pikërisht kapacitet e saj ngrenë pikëpyetje, pasi sipas të dhënave jo zyrtare, Qarku i Tiranës në një ditë prodhon afro 130 ton mbetje. Kapaciteti prej 920 tonësh përballë 130 ton të prodhuara në Tiranë, sjell nevojën që ky incenerator të marrë mbetje të tjera, për të vendosur në punë të gjithë kapacitetet e saj përpunuese. Edhe nga përllogaritja e pasqyruar në relacionin pas paraqitjes së ofertës, rezulton se nëse ky projekt nuk do të funksionojë me kapacitete të plota apo nëse do përpunojë mbetjet e Tiranës, pra vetëm 130 ton mbetje, atëherë firma koncesionare do të vihej në vështirësi financiare. Integrated Energy B.V që u vetëofrua për këtë koncesion ishte kompania e vetme në garën e shpallur zyrtarisht në 12 qershor 2017. Kjo shoqëri rezulton se është themeluar vetëm pak ditë para paraqitjes së ofertës për ndërtimin e inseneratorit. Integrated Energy Energy B.V është themeluar më 19 gusht të 2016-ës në Holandë, ndërsa vetëm pak javë më vonë, më 7 nëntor Ministria e Mjedisit i propozon Këshillit të Ministrave që të miratojë bonusin në procedurën e përzgjedhjes së kompanisë konçesionare. Si ortak të kësaj kompanie janë subjekti “Paul Wurth Italia” dhe “Energy Recuperation”. Më tej, në relacion, thuhet se shoqëria propozuese ka disa ortakë, për shkak të kompleksitetit të projektit, por pa specifikuar se kush janë ortaket e tjerë. Në bordin drejtues të shoqërisë Integrated Energy rezulton të jetë edhe biznesmeni shqiptar Klodian Zoto, i cili është aksioner me 100 për qind të aksioneve të shoqërisë Integrated Technology Service. Kjo e fundit është gjithashtu fituese e koncensionit për ndërtimin e inceneratorit në Fier, i cili hasi në protestat e banorëve për shkak të vendit ku do të ndërtohej. Edhe pse është ndryshuar dy herë vendi ku do të zbatohej projekti, sërish ndërtimi i inceneratorit nuk ka nisur për shkak të rezistencës së banorëve. Tashmë mbetet për t’u parë nëse pikëpyetjet e ngritura do të sqarohen në të ardhmen, pasi ndërtimi i këtij projekti parashikohet të nisë brenda këtij viti dhe, në vitin 2019, pritet të vihet në funksionim. Pas shpalljes së fituesit, janë lënë edhe 30 ditë afat që shoqëria dhe Ministria e Mjedisit të negociojnë përfundimisht kontratën.

Plani i landfillit

Sipas studimit të fisibilitetit të dhjetorit, Teknologjitë e ndryshme dhe instalimet e parapara në integrimin e Z.T.M.T (“Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë) janë parashikuar dhe dimensionuar për t’u adresuar në menaxhimin dhe trajtimin e mbetjeve të ngurta (inerte dhe mbetje urbane) të prodhuara në rrethin e Tiranës. Z.T.M.T. është projektuar për të pritur dhe trajtuar nga 550 në 800 ton/ditë mbeturina në fillim të operimit (Viti i 1) dhe është në gjendje të pranojë sasi më të lartë nëse është e nevojshme brenda kohëzgjatjes së koncesionit dhe në rast të një rritje të prodhimit të mbetjeve në Qarkun e Tiranës. Impianti i përpunimit të mbetjeve urbane, termovalorizator, do të jetë i përbërë nga 4 (katër) linja përpunimi të ndara. Kapaciteti i përpunimit të secilës linjë do të jetë 230 ton/ditë. Të katërta linjat do të ndërtohen në faza, linja e parë është parashikuar të fillojë punë në muajin e tetëmbëdhjetë të koncesionit. Linja e dytë është parashikuar të fillojë punë në muajin e 36 (tridhjetë e gjashtë), linja e tretë në muajin 50 (pesëdhjetë). Linja e fundit është parashikuar që të fillojë punë para muajit të 72-të. Secila linjë do të ketë një kapacitet përpunues prej 230 ton/ditë dhe në total të katërta linjat një kapacitet prej 920 ton/ditë. Në të njëjtën kohë ndërtimi i një sistemi të venddepozitimeve është planifikuar për të garantuar hedhjen e të gjithë mbeturinave dhe pas mbylljes përfundimtare të venddepozitimit ekzistues. Venddepozitimet e reja do të jenë të ndërtuar sipas standardeve bashkëkohore të BE-së dhe legjislacionit shqiptar dhe do të parashikohen për lloje të ndryshme të mbeturinave. Moduli i parë i venddepozitimit do të jetë operacional brenda 6 muajve nga fillimi i koncesionit. Ky venddepozitim i parë me një volum prej 1.67 milionë m3 do të jetë për mbeturinat e ngurta urbane. Ai është planifikuar për një jetëgjatësi prej 6 deri në 10 vjet, dhe do të lejojë nga muaji i gjashtë i funksionimit të koncesionit pas mbylljes së landfillit ekzistues, depozitimin e mbetjeve urbane në përputhje me rregulloren e BE-së. Ndërtimi i një sistemi të mbulimit dhe kapjes së biogazit për venddepozitimin ekzistues patjetër do të zgjidhë temën e funksionimit të një venddepozitim të mos menaxhuar dhe efektet e saj të mundshme mjedisore negative. Z.T.M.T. do të ketë venddepozitime të tjera të planifikuara për hedhjen e hirit nga objekti IPMU dhe mbetjet inerte. Venddepozitimi për hedhjen e hirit të gjeneruara nga instalimi i IPMU do të ketë kapacitet prej 1.8 milionë m3 dhe është projektuar për një jetëgjatësi të projektuar prej 40 (dyzet) vjet. Përveç këtyre moduleve 2 venddepozitime të mëtejshme parashikohen për të marrë material inerte dhe jo të riciklueshme të ngurta me një kapacitet total prej 900,000 m3 dhe një jetëgjatësi 40 (dyzet) vjet.

Kompania fantazmë që fitoi koncesionin

Për kompaninë “Integrated Energy B.V” nuk ka informacion në internet. Kompania nuk ka faqen e saj, ajo gjendet e listuar vetëm si emër kompanie dhe adresë në faqen e internetit të Dhomës Holandeze. Por, krahas Integrated Energy B.V, partnere në këtë projekt rezultojnë dhe dy shoqëri të tjera. Në studimin e fizibilitetit për zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, hartuar në dhjetor 2016, thuhet se iniciatori dhe propozuesi i projektit për ndërtimin, operimin e një “Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë–Z.T.M.T.” është shoqëria me propozim të pakërkuar “INTEGRATED ENERGY B.V.” shpk. Aksionerët e kompanisë janë “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. Integrated Technology Services është një kompani shqiptare, me aksioner 100% Klodian Zoto, e cila është krijuar në vitin 2010 dhe ndërkohë operon në Elbasan, në Kantierin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane. Në mars të vitit 2017, kompania, që deri atëherë kryente kryesisht “Shërbime kalibrimi si dhe ngritje laboratorësh, investimin, shërbime metrologjike”, ka shtuar si objekt të aktivitetit edhe “Ndërtime impiantesh teknologjike, impiante të prodhimit të energjisë së rinovueshme, landfillesh për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme, ndërtime të impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (incenerator). Për vitin 2016, ajo ka deklaruar të ardhura prej 1.3 miliardë lekësh (rreth 10 milionë euro), në katërfishim në raport me vitin e mëparshëm. Kompania kishte një total asetesh prej rreth 1.1 miliardë lekësh, nga të cilat rreth 90% ishin afatshkurta. Dy kompanitë e tjera “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. janë italiane. “Paul Wurth Italia s.p.a” Paul Wurth Italia S.p.A., me seli në Genova, është integruar Grupin Paul Wurth në korrik të vitit 2005, si rezultat i blerjes së furrës së shkrirjes, furrës së qymyrit dhe aktiviteteve direkte të ish-SMS Demag S.p.A. Ajo është e përqendruar në menaxhimin e projekteve të mëdha për ndërtimin e impianteve të integruara, si dhe në ekzekutimin e shërbimeve inxhinierike, në fushën e furrave të shkrirjes, karbonizimit të qymyrit dhe prodhimit të hekurit.

Artikulli paraprakPensioni mjafton vetëm për bukë dhe ilaçe
Artikulli tjetërVëzhguesit: Rezultat i pavlefshëm në rastet kur vullneti i votuesit cenohet