Memolla: Nuk e prisja

“Nuk e prisja këtë ftese, por jam shumë i lumtur që bëj pjesë në Kombëtare dhe shpresoj të jap 100% me skuadrën”. Kjo ishte fjalia hapëse e konferencës së parë për shtyp si kuqezi për mbrojtësin 25-vjeçar Hysen Memolla, i cili po shijon momentet e krenarisë që të dhuron fanella e skuadrës përfaqësuese. Me një karrierë të madhe ndërkombëtare, Memolla do të shtojë më shumë cilësi në repartin e tërhequr të skuadrës kuqezi dhe me përulësi pranon çdo vendim që trajneri Christian Panucci do të marrë. “Jam këtu për të punuar. Agolli është kapiten i ekipit dhe unë e respektoj, për të tjerat vendos trajneri. Ky është shansi im dhe tani shpresoj të tregoj veten”, tha ai.
Në vijim, mbrojtësi i lindur në Kavajë e pranon se Gianni De Biassi nuk e ka kontaktuar asnjëherë dhe thirrja e Panuccit është si një rrufe në qiell të hapur për të. Ai nuk kursen gjithashtu një koment edhe për çështjen “Cikalleshi”. “Nuk kisha raport me De Biasin, por jam shumë i lumtur edhe pse nuk e di se çfarë ka ndryshuar me Panuccin. Trajneri kërkon shumë disiplinë dhe ne duhet të jemi të gjithë të bashkuar”, tha Memolla.
Në këndvështrimin e mbrojtësit 25-vjeçar, asnjë kundërshtar nuk duhet të nënvlerësohet, madje as Lihtenshtejni. Ai e mbyll konferencën e shtypit, duke theksuar se dy sfidat e para të muajit shtator kanë të njëjtën shkallë vështirësie dhe duhen vlerësuar maksimalisht.
Valon Ahmedi në konferencen për shtyp deklaroi se ai ndihet krenar për grumbullimin dhe se do të japë maksimumin për Shqipërinë. “Kam lindur në Ohër, por jam rritur në Kërçovë, jam i Kërçovës. Kombëtarja është një ëndërr për mua, pasi jam dhe shqiptari i vetëm nga Maqedonia. Një ëndërr e bërë realitet dhe një nder për mua. Kam luajtur me Latifin dhe Grezdën është një lojtar i mirë dhe ndihem mirë që do të luaj më të te Kombëtarja e madhe. Kam patur miq edhe shokë që më thonin shko te Maqedonia. Kam bërë zgjedhje me zemër. Sikur edhe një ndeshje te Shqipëria të luaj do isha më i kënaqur sesa dy te Maqedonia. Panucci në telefonatën e parë më përgëzoi për lojën që bëj. Shpresoj që me kualitet që kam ta ndihmoj kombëtaren. Ftesa erdhi në momentin më të mirë të karrierës time, pas kualifikimit në Champions, tashmë edhe ftesa në Kombëtare. Mendoj se trajneri është një njeri që kërkon shumë disiplinë, kjo i bën mirë grupit. Disipilina është e domosdoshme. Për mua është krenari të jem këtu, pavarësisht minutazhit që do të më jepet. Çdo ndeshje duhet të merret seriozisht. Luajmë në shtëpi para tifozerisë tonë, do të japim maksimumin. Jam shqiptar ndihem shqiptar, përballë Maqedonisë do të jetë një takim si gjithë të tjerat”, u shpreh Ahmedi.

Artikulli paraprakArlind Ajeti, i bind të gjithë te Crotone
Artikulli tjetërGati zëvendësuesi i Latifit