Largimi i Liridon Latifit nga Skënderbeu mund të shihet si një dobësim për korçarët, duke qenë se ka mbajtur peshën më të madhe në fazën sulmuese për ekipin e Ilir Dajës. Por në Korçë i kanë të qarta strategjitë dhe asgjë nuk i lenë rastësisë. Afrimi i mesfushorit Suad Sahiti shihet si një goditje, pasi ish-futbollisti i Rabotniçkit ka kualitet për të bërë diçka të tillë. Nuk duhet harruar që tek Skënderbeu i kanë paraprirë një largimi të Latifit, teksa verën e kaluar afruan ish-mesfushorin e shpresave të Shqipërisë, Enis Gavazaj, duke pasuar në merkaton e dimrit me Nazmi Gripshin për të cilin u paguan 60 mijë euro tek klubi i Teutës.
Mesfushori durrsak është vetëm 20 vjeç dhe këtë vit pritet të ketë më shumë minuta, teksa sezonin e kaluar ka luajtur 19 ndeshje me Teutën dhe 10 me Skënderbeun, takime të cilat i ka nisur nga stoli. Pjesëmarrja në grupet e Europa League shton numrin e ndeshjeve për 6 herë radhazi kampionët e vendit si dhe ngjeshjen e kalendarit, çka mund të sjellë domosdoshmërinë për të lënë pushim ndonjë nga titullarët. Për këtë arsye pritet të ketë më shumë minuta për Gripshin, Reza Karimin apo Demte. Tek të 3 këta futbollistë, drejtuesit e klubit shpresojnë shumë, madje iraniani ka zgjidhur përfundimisht edhe çështjen e qëndrimit në Korçë, çka edicionin e kaluar e kushtëzoi për të fituar më shumë se 66 minuta aktivizim.
Yjet që mund të ndjekin Latifin e Merveille
Kampionati shqiptar ka treguar në vitet e fundit se mund të prodhojë jo vetëm garë të fortë, por edhe merkato të fuqishme në dalje. Skënderbeu ishte skuadra që pati një strategji të qartë, duke shitur futbollistë si Peter Olainka dhe Bernard Berisha. Në edicionin që sapo lamë pas, nuk ishin vetëm korçarët që përfituan në merkato, edhe pse transferimi i Liridon Latifit tek Akademia Puskas ishte për një shifër rekord prej 1 milion eurosh. Tirana edhe pse ra nga kategoria pati disa lëvizje të mira në dalje, ku Merveille Ndockyt u transferua në Spanjë tek Getafe, për vlerën e 400 mijë eurove. Bardheblutë përfituan edhe nga shitja e Reuben Acquah si dhe transferimi i Berishës tek Levante. Një tjetër skuadër që përfitoi në këtë periudhë merkatoje është Partizani, që në arkat e klubit futi 200 mijë euro nga transferimi i Ylber Ramadanit në Danimarkë.
Duket se klubet kanë nisur të kuptojnë se transferimet e futbollistëve në klube më të mëdha janë një zë i rëndësishëm për financat e tyre. Sezoni i ri mund të sjellë në vitrinë emra të tjerë të rinjsh që presin për të shpërthyer. Dejvi Bregu dhe Kristal Abazaj pritet të jenë dy yjet e kampionatit të ardhshëm, por një tjetër lojtar që mund të shpërthejë është beratasi Myrto Uzuni që këtë vit do të luajë për fanellën e Laçit. Edhe në Korçë i kanë strategjitë e qarta, teksa Bakary Nimaga është një emër që lakohet në çdo periudhë merkatoje për një transferim në kampionate më të forta.
Maqedonia “humbet” Hasanin ndaj Shqipërisë
Maqedonia nuk do të ketë në dispozicion një nga sulmuesit më të mirë të momentit në sfidën e 5 shtatorit kundër Shqipërisë. Bëhet fjalë për bomberin e Shkëndijës së Tetovës, Ferhan Hasani, i cili vuan nga një dëmtim që në sfidat e Europa League kundër Milanit. Lajmi bëhet i ditur nëpërmjet një komunikate të publikuar nga klubi tetovar që thekson se, sulmuesi nuk ishte i pranishëm as në ndeshjen e kampionatit kundër Akademia Pandevit dhe nuk ka mundur të rikuperohet as për sfidat eliminatore. Shkëndija thekson se Hasani do të punojë i veçuar për t’u rikthyer sa më shpejt në fushën e blertë. Gjatë eliminatoreve Rusi 2018, Hasani është aktivizuar në 4 ndeshje, ndërsa në duelin hapës me Shqipërinë në “Loro Boriçi” ai ka dalë nga fusha e lojës në minutën e 75, kur shifrat ishin fiksuar në barazim 1-1. Mungesa e Hasanit është një minus i madh për Maqedoninë, pasi ai është një nga lojtarët e momentit në Maqedoni, pasi e mbylli sezonin me 12 gola të shënuar në kampionat.