Policia e Krujës merr në mbrojtje parcelat e mbjella me kanabis. Denoncimi është bërë nga një qytetar, i cili i është drejtuar me një mesazh ish-Kryeministrit Berisha, duke i dërguar edhe foto të parcelës së mbjellë me kanabis. Sipas qytetarit, parcela me kanabis ndodhet ndërmjet Krujës dhe Laçit. Qytetari shkruan se Policia është në dijeni të parcelave me kanabis, por nuk ndërhyn sepse drejtuesit e policisë kanë marrë para.
“Arrat e kanabisit në mbrojtjen e Policisë së Noriegës! Lexoni mesazhin dhe shikoni foton e qytetarit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje doktor. Këto foto janë të bëra para pak ditësh, ku dëshmojnë parcelën e hashashit që policia e ka para syve ditën dhe natën. Personat që kanë këtë parcelë janë Binjak Basha dhe Xhelal Basha. Që të dy u bo vite që merren me këtë punë dhe janë shumë të lidhur me Policinë e Krujës dhe të Laçit, pasi zona ku ndodhen parcelat janë në vendin ku ndanë Kruja me Laçin. Këtë rast e di dhe shefi i zonës dhe eprorët e tij, por që të gjithë e kanë gojën e mbyllur nga lekët. Po këta persona kanë të mbjella dhe në katundin Mafsheq, poshtë shtëpisë së tyre te pishat. Kjo parcelë ndodhet sipër rrugës, e cila lidh dy katundet Brret. Në mesin e rrugës sipër tek shkalla e Brretit është parcela. Policia e di shumë mirë, sepse ka shkuar deri aty afër dhe nuk është futur aty”, shkruan qytetari.
Rreth një muaj më parë ish-kryeministri Berisha denoncoi parcelat me kanabis të kryetarit të Bashkisë së Krujës, Artur Bushi dhe shefit të Komisariatit të Policisë së Krujës. Ishte një punonjës policie, që iu drejtua me një mesazh ish-kryeministrit Berisha dhe me foto. Berisha teksa ka publikuar të plotë mesazhin e një qytetari dixhital, zbulon edhe lejtnantët e Noriegës sipas tij, të cilat janë Artur dhe Ilir Bushi. Në këtë denoncim të Berishës akuzohet drejtpërdrejt edhe shefi i Policisë së Krujës.
“Këto janë plantacionet e reja të lejtnantëve të Noriegës! Qytetari dixhital denoncon me foto plantacionet e freskëta të kanabisit të lejtnantëve të Noriegës: Artur dhe Ilir Bushi dhe Shefit të Policisë së Krujës, Kolonel Kanabisit! Lexoni mesazhin dhe shikoni fotot e tij”, shkruan Berisha.
“Si jeni Doktor, uroj të jeni mirë familjarisht! Desha të denoncoj te kjo faqja juaj një farsë që po luhet në Krujë. Në lumin e Drojës mbrapa fabrikës së çimentos Thumanë, Artur dhe Ilir Bushi, vëllai i kryetarit të Bashkisë kanë mbjellë 700 rrënjë kanabis në bashkëpunim me shefin e Policisë të Krujës. Në Malësi të Krujës, në përroin e Arrateshit, Islam Xaka në bashkëpunim me shefin e Policisë ka mbjellë 1000 rrënjë kanabis, ku nuk e kap helikopteri që vjen vërdallë kot e bën sikur patrullon. Unë jam një polic i ri në këtë komisariat dhe i bie që në qoftë se gjendet, ta marrim ne përgjegjësinë e këto trafikantë e shefat e mëdhenj të mos i gjejë gjë. Të lutem anonim se ato janë tepër të rrezikshëm e na hedhin në rrugë”, shkruante efektivi i policisë.
Vitin e kaluar, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe SHISH zbuluan një punishte droge vetëm 100 metra larg rrugës nacionale, në fshatin Derven të Krujës që i përkiste klanit të Bushit. Në operacionin e organizuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda në bashkëpunim me policinë më 18 tetor, policia gjeti në punishte kultivuesit që vijonin të qetë punën për përpunimin e kanabisit dhe përgatitjen e tij për shitje. Një nga të arrestuarit ishte një i afërm i kryebashkiakut të Krujës, të cilit Bushi i kishte besuar procesin e tharjes të drogës dhe përgatitjes për shitje.