Një vit më parë, njerëzit e Ramës i thyen kockat biznesmenit libanez Faad Mitri, duke e detyruar që të largohet nga Shqipëria, ndërsa këtë vit në tokën që po ndërtonte biznesmeni i huaj, njerëzit e Ramës po ndërtojnë hotel dhe kazino. Kompania “Omniks” kishte nisur punimet për ndërtimin e një resorti të madh tek Gjiri i Lalzit, me një investim prej 1.5 miliardë eurosh, por drejtuesi i kësaj kompanie, biznesmeni Faad Mitri u masakrua në një pritë që iu bë afër Rinasit nga njerëz që kishin lidhje me qeverinë. Partia Demokratike e denoncoi si të qëllimshëm sulmin mafioz ndaj biznesmenit të huaj për ta larguar atë nga Shqipëria, ndërsa Rama nuk bëri asnjë reagim.
Biznesmeni i huaj publikoi emrin dhe foton e dhunuesit, por policia nuk e arrestoi, ndërsa Rama heshti pasi kishte si qëllim të merrte truallin ku ai po ndërtonte. Në një deklaratë për mediat, PD bëri të ditur atëherë se, megjithëse investitori i huaj nxori emrin dhe fytyrën e banditit, Rama hesht pasi ka një qëllim, marrjen e truallit tek Gjiri i Lalzit. “Në të vërtetë, investitori u largua nga Edi Rama, sepse toka në Gjirin e Lalzit do të ndahet si plaçkë me oligarkët e tij. Kjo është e vërteta. Ky është realiteti”, thuhej në deklaratën e PD. Tashmë është mëse e qartë se sulmi mafioz ndaj biznesmenit libanez ishte i qëllimshëm për t’i marrë tokën dhe për të ndërtuar aty njerëzit e Ramës, ashtu siç edhe po veprohet sot.
Për këtë skandal ka reaguar edhe ish-Kryeministri Berisha. Berisha shkruan në një postim në Facebook se, Rama iu thyen kockat disa investitorëve të huaj, teksa sjell në vëmendje rastin e menaxherit të kompanisë “Omniks”, ndërsa miqve të tij dhe Olsit iu heq taksat.
“Të dashur miq, një vit më parë Noriega përzuri nga Shqipëria kompaninë “Omniks”, duke rrahur me kriminelë profesionistë, që i njeh gjithë Durrësi dhe Tirana, dhe thyer 37 kocka të trupit menaxherit të kësaj kompanie, që kishte blerë, në transaksionin më të madh këto 26 vjet, tokën për ndërtimin në Gjirin e Lalzit të një resorti turistik me pesë yje dhe që do përfundonte me një investim 1.5 miliardë euro në Shqipëri.
Pas kësaj, Edvini duket se ka përzgjedhur së bashku me vëllaçko Olsin, kompaninë që do të futet në fushën e turizmit, për të cilën, me ndërmjetësinë e Olsit kanë bërë gati edhe licencën e Kazinosë më të madhe të rajonit. Por nuk mjafton kazinoja gjigante, por tani klientela shpërblehet me heqjen e taksave për 10 vite”, shkruan Berisha.
Më tej ish-Kryeministri Berisha shkruan se, në qeverisjen e tij hoqi taksat për 8 vite për investimet në zonat turistike malore, por Edvini i anuloi sapo erdhi në pushtet. “Unë jam dhe kam qenë për një paketë të fuqishme lehtësimesh fiskale në fushën e turizmit. Në këtë kontekst ne hoqëm taksat për 8 vite për investimet në zonat turistike malore dhe një seri lehtësirash të tjera, të cilat Edvini i anuloi sapo erdhi në pushtet.
Por përcaktimin e yjeve si kriter për heqjen për 10 vite të taksave për hotelet jo vetëm që nuk nxit, por përkundrazi zhyt në një korrupsion shkatërrues investimet në këtë fushë dhe shndërron yjet në një levë Arkimedi për megakorrupsion!”, përfundon Berisha.
Berisha reagoi edhe pas dhunës barbare që u ushtrua ndaj biznesmenit libanez Faad Mitri një vit më parë. Berisha shkruante atëherë se, aksidenti ndaj Mitrit, ishte i planifikuar për të vrarë atë dhe larguar kompaninë e madhe, që ai përfaqëson, nga Shqipëria.
Si u masakrua biznesmeni libanez dhe si u la i lirë agresori
Biznesmeni libanez, Faad Mitri u masakrua më 10 shtator të vitit të kaluar në një pritë që iu bë në afërsi të Rinasit. Biznesmeni libanez është qëlluar me një shkop bejzbolli dhe është lënë i shtrirë në mes të rrugës i mbuluar me gjak. “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet”. Me këto fjalë i është drejtuar agresori biznesmenit Faad Mitri, pasi i ka thyer brinjët nga dhuna e ushtruar.
Ngjarja ndodhi në kryqëzimin e Laknasit me rrugën e Rinasit, ku personat që udhëtonin me një makinë tip “Wolkswagen” kanë përplasur mjetin tip “Mitsubishi” ku ndodhej biznesmeni libanez dhe më pas e kanë masakruar barbarisht biznesmenin. Autorët e dhunës kishin planifikuar një aksident me makinën e biznesmenit me qëllim që ta detyronin atë të ndalonte makinën. Pas kësaj përplasje ka patur një konflikt mes personave që ushtruan dhunën.
Drejtuesi i mjetit “Wolkswagen” së bashku me pasagjerët që ushtruan dhunë janë larguar nga vendi i ngjarjes. Dhunuesi brutal i biznesmenit libanez që braktisi vendin dhe investimin 1.5 miliardë dollarësh me 1200 vende pune, është i lirë. Biznesmeni libanez publikoi emrin dhe fotografinë e dhunesit, e cila iu dërgua policisë, por policia nuk reagoi pasi kishte marrë urdhër nga Rama që të mos vepronte.
Presidenti i “OMNIX GROUP” në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke folur për mediat shqiptare shprehu zhgënjimin e thellë se, si qeveria nuk bën asnjë hap, dhe nuk ndalon autorin e rrahjes barbare të përfaqësuesit të kompanisë në prani të familjes së tij, në mes të ditës, në një aks të rëndësishëm kombëtar. “Me gjithë këto fakte, me gjithë këto qëndrime publike, Edi Rama nuk lëkundet nga qëndrimi i tij, për të mos kapur autorin, për të mos dënuar ngjarjen”, u shpreh ai atëherë.
R.POLISI