Mziu pret drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”

Drejtuesi i Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”Frank Hantke: Kamza përcaktohet si sinonim i Shkollës Profesionale, vazhdon të frekuentohet e nga e gjithë Shqipëria

Kryetari i Bashkisë Kamëz, Xhelal Mziu, priti në një takim drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Frank Hantke. Ky takim u zhvillua pas veprimtarisë me temë “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane” zhvilluar në Pallatin e Kulturës Kamëz, në të cilin pjesë morën pjesë z. Mziu dhe Hantke. Pasi falënderoi drejtuesin e fondacionit “Friedrish-Ebert-Stiftung” për këtë vizitë, Mziu tha se Kamza ka nevojë për shumë gjëra, ka nevojë për imazh, për një tullë të vendosur nga çdo aktor i rëndësishëm i përfaqësisë evropiane.
“Kamza ka nevojë për shumë gjëra, ka nevojë për imazh, për një tullë të vendosur nga çdo aktor i rëndësishëm i përfaqësisë evropiane dhe në këtë kontekst ju jeni ambasador i qytetit për kontributin dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi me institucione prestigjioze. Kamza ka nevojë për infrastrukturë të gjerë, përfshirë çdo lloj investimi”, u shpreh kreu i Bashkisë, duke shtuar: “Dua të theksoj se para disa ditësh festuam 20-vjetorin e Bashkisë dhe ne kujtojmë që kjo zonë deri në vitin 1990 ka qenë një zonë bujqësore, ndërsa tani 90% kjo zonë është kthyer në zonë urbane dhe për këtë arsye zona ka nevojë për investime, theksoi kryebashkiaku Mziu në këtë takim.
Edhe pse janë bërë investime në Kamëz, nga më të rëndësishmet, përsëri në Kamëz duhen ndërhyrje, pasi ritmi i investimeve është qëllimi në vetvete që ka institucioni për të përmirësuar, qoftë infrastrukturën, por edhe cilësinë e jetës së qytetarëve”. Kryebashkiaku Mziu theksoi gjatë takimit se mbetet i hapur për bashkëpunim çdo ditë për të përfituar institucionalisht projekte dhe investime për nevojat e qytetarëve. Mziu theksoi gjithashtu se zhvillimi i Kamzës do të impulsojë pozitivisht edhe zhvillimin e Tiranës. Zhvillimi i bizneseve të vendosura përgjatë kufirit ndarës me Tiranën do të ndikojë pozitivisht dhe në anën e kryeqytetit për shumë e shumë arsye.
Ndërkaq, drejtori i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, Frank Hantke, u shpreh: “E kam bërë në njëfarë mënyre detyrën e ambasadorit në Kamëz, pasi unë kam vizituar qytetin e Kamzës edhe herë të tjera. Kamza përcaktohet si sinonim i Shkollës Profesionale. Ndërsa sot po bëhet një politikë e gjerë për shkollat profesionale, në Kamëz vazhdon të frekuentohet Shkolla Profesionale nga e gjithë Shqipëria”.
Hantke foli edhe për kalimin e kompetencave nga pushteti qendror drejt atij vendor. “Problem mbetet kalimi i kompetencave nga niveli qendror në atë vendor. Për sa kjo vazhdon të ndodhë, ky do të jetë një problem mjaft madhor për qeverisjen vendore dhe aq më tepër për qytetarët, pasi pushteti vendor është qeverisja më pranë qytetarëve. Të drejtat dhe shërbimet janë aktet themelore ku duhet përqendrohet qeverisja vendore”, u shpreh Hantke, duke vlerësuar përpjekjet e vazhdueshme të z. Mziu për komunitetin e Kamzës. Në fund të dyja palët u shprehën se mbeten të hapur për bashkëpunim të gjerë në të ardhmen, si në organizimin e takimeve me në qendër rininë ashtu edhe për tema të tjera dhe çështje me interes të ndërsjellë.
Mziu ne takimin “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane” mbajtur ne pallatin e Kultures Kamëz
Para takimit me drejtuesin e Fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Frank Hantke së bashku me të, kryetari i Bashkisë Kamëz, z. Xhelal Mziu, ishte i pranishëm në një veprimtari zhvilluar në Pallatin e Kulturës Kamëz, organizuar nga grupi i aktivistëve “ATA”, nga EU Policy Hub në bashkëpunim me projektin “Lëviz Albania”, fondacionin “Shoqëria e Hapur për Shqipërinë” dhe fondacionin “Friedrich-Ebert-Stiftung”. Ky aktivitet i ideuar në formën e një takimi kishte temën “Evropian për së mbari – Aktivizmi rinor si vlerë evropiane”. Takimi, i cili përkonte edhe me 9 Majin, Ditën e Evropës, kishte si për qëllim nxitjen e debatit për rritjen e angazhimit rinor dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile në forcimin dhe promovimin e bashkëpunimit mes shoqërisë civile dhe pushtetit vendor.
Po ashtu takimi synonte krijimin dhe lehtësimin e mënyrave të pjesëmarrjes së të rinjve në proceset vendimmarrësve gjatë hartimit të politikave rinore në nivel vendor. Në panelin e sesionit të parë të takimit, i cili moderohej nga z. Admir Malaj, anëtar i Forumit të Politikave të Integrimit / EU Policy Hub, merrnin pjesë kryebashkiaku i Kamzës, z. Xhelal Mziu; drejtuesi i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung” në Tiranë, z. Frank Hantke; si dhe z. Nebi Bardhoshi, antropolog. Drejtuesi i fondacionit “Friedrich-Ebert-Stiftung”, z. Hantke, foli për rolin e grupeve rinore në qeverisjen vendore, si vlerë e shtuar për përmirësimin e qeverisjes vendore, ndërsa z. Bardhoshi pati një kumtesë interesante me titull “A mund të jesh evropian nëse jeton në Kamëz?”
Ndërkaq, kryebashkiaku Mziu foli për përfshirjen e grupeve rinore në qeverisjen vendore. “Ju falënderoj përzemërsisht për ftesën dhe për organizimin e këtij takimi te Pallati i Kulturës. Kjo pjesë e këtij paneli, me këtë përbërje, më sjell ndërmend grupimet e vogla që bënim në vitin ‘90 për përmbysjen e regjimit të asaj kohe dhe kuptohet rinia është jo vetëm për mua, por për këdo forca kryesore e cila promovon të renë”, u shpreh ndër të tjera Mziu, duke shtuar: “Kamza para 10 ditësh festoi 20-vjetorin e formimit si një qytet, qyteti më i ri i Shqipërisë, por edhe qyteti më i ri i Evropës.
Besoj se kjo është produkt i ndryshimeve që ndodhën në vitin ‘90 dhe produkt i pluralizmit e i përparimtares dhe sot Kamza jo vetëm që feston 20-vjetorin e saj, por është qyteti më i ri i Shqipërisë për nga mosha, ku dominojnë të rinjtë dhe unë, duke qenë edhe pjesë e viteve ‘90, vazhdimisht jam i interesuar për të qenë bashkë me të rinjtë për ta ndryshuar Kamzën, jo vetëm për shkak të moshës, por edhe për shkak të diversitetit, ashtu siç është edhe veprimtaria e sotme, të cilën e konsideroj një vlerë të shtuar për rininë, por edhe për qytetin”.
Më tej z. Mziu tha: “Duke qenë një pjesë e rëndësishme e Kamzës, rinia ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm këto vite që kanë kaluar, por jam i sigurt që kontributi i saj do të jetë edhe më i madh në vitet që do të vijnë. Prandaj unë e kam konsideruar një partner, pasi Kamza ka nevojë për të rinjtë”. Ndër të tjera, z. Mziu tha se mbetet i hapur për bashkëpunim të mëtejshëm me të rinjtë e qytetit për të gjitha problemet, shqetësimet apo organizimet dhe pjesëmarrjet e tyre si në veprimtari të ndryshme, ashtu edhe për përfshirjen e tyre në vendimmarrjen vendore.

Artikulli paraprakNuk votoj asnjë reformë pa e lexuar
Artikulli tjetërPapunësia sfidë, arsye e largimit të të rinjve nga Shqipëria