Qeveria shqiptare finalizoi projektin e dhënies me koncesion të ndërtimit të inceneratorit të djegies së plehrave në Tiranë, i treti i këtij lloji në Shqipëri pas Elbasanit dhe Fierit. Mbyllja e procedurës tenderuese u shpall të hënën nga Ministria e Mjedisit në faqen online të Agjencisë së Prokurimeve Publike, përmes së cilës njoftohej kompania “Integrated Energy B.V.,” me seli në Amsterdam të Holandës se oferta e paraqitur prej saj është pranuar.
Sipas të dhënave të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, “Integrated Energy B.V” ishte pjesëmarrësja e vetme në tender, me një ofertë prej rreth 128 milionë euro investime për ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të plehrave për një periudhë 30-vjeçare.
Oferta zyrtare është rrudhur në krahasim me propozimin fillestar prej 140 milionë eurosh të kompanisë, përmes së cilit ajo tërhoqi interesin e institucioneve shqiptare dhe fitoi një bonus prej 8 pikësh.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se kompania e regjistruar në Holandë, “Integrated Energy B.V” zotërohet nga kompania shqiptare “Integrated Technology Services” sh.p.k si dhe kompanitë italiane “Paul Wurth Italia S.P.A” dhe “Energy Recuperator S.P.A.”
Aksionerët e kompanisë fituese të koncesionit ekspozohen në një relacion të Ministrisë së Mjedisit [Kliko për dokumentin] që mban datën 7 nëntor 2016-relacion, i cili u shoqërua me projektvendimin e Këshillit të Ministrave që i jepte një bonus prej 8 pikësh ofertuesit të pakërkuar “Integrated Energy B.V”.
“Integrated Technology Services” është një kompani me kapital 100 mijë lekë, e themeluar në nëntor të vitit 2010 nga aksioneri i vetëm, Klodian Zoto, sipas të dhënave të depozituara në Qendrën Kombëtare të Bizneseve.
Përveç aksioneve në koncesionin e ri të inceneratorit të Tiranës, “Integrated Technology Services” zotëron edhe 70 për qind të aksioneve në koncesionin e ngjashëm të Fierit.
Në relacionin e Ministrisë së Mjedisit, kompania me qendër në Xhenova, “Paul Wurth Italia S.P.A” përshkruhet si “një ndër gjigantët botërorë të ndërtimit dhe instalimit të furrave në të gjithë botën”. Ndërkohë, edhe kompania “Energy Recupator S.P.A” nuk operon për herë të parë në këtë fushë në Shqipëri.
Duke iu referuar projektit të paraqitur nga kompania fituese dhe relacionit të Ministrisë së Mjedisit, BIRN raportoi më parë se projekti premton mbylljen e venddepozitimit ekzistues të plehrave të Tiranës në Sharrë, ndërtimin e një impjanti për djegien e 550-800 tonëve plehra në ditë në fazën fillestare me premtimin për ta shtuar kapacitetin.
Gjithashtu, projekti parashikon krijimin e një venddepozitimi të hirit të prodhuar nga djegia me kapacitet 1.8 milionë metra kub dhe një impjant të trajtimit të ujërave të ndotura që do të krijohen nga procesi i përpunimit të plehrave.
Koncesionari argumentohet se do t’i nxjerrë fitimet e tij, duke arkëtuar një tarifë për depozitimin e mbetjeve nga bashkitë e Qarkut të Tiranës, nga shitja e energjisë elektrike të prodhuar nga djegia e plehrave si dhe nga rekuperimi i materialeve të riciklueshme.
Qeveria shqiptare ka dhënë më herët edhe dy koncesione të tjera për ndërtim të impjanteve të djegieve të plehrave në Elbasan dhe Fier, përmes dy kontratave koncesionare të financuara nga buxheti i shtetit. Për të dyja projektet, informacioni i ofruar nga autoritetet është minimal dhe konsultimi publik para nënshkrimit të kontratave duket se nuk është kryer. Në Fier, banorët e zonës ku është planifikuar ndërtimi i inceneratorit si dhe të vetë qytetit të Fierit protestuan ashpër, edhe gjatë muajve të fundit kundër ndërtimit të tij.
Dyshimet për kompaninë fituese
Për kompaninë “Integrated Energy B.V” nuk ka informacion në internet. Kompania nuk ka faqen e saj, ajo gjendet e listuar vetëm si emër kompanie dhe adresë në faqen e internetit të Dhomës Holandeze. Por, krahas Integrated Energy B.V, partnere në këtë projekt rezultojnë dhe dy shoqëri të tjera. Në studimin e fizibilitetit për zonën e trajtimit të mbetjeve në Tiranë, hartuar në dhjetor 2016, thuhet se iniciatori dhe propozuesi i projektit për ndërtimin, operimin e një “Zona e Trajtimit të “Mbetjeve Tiranë–Z.T.M.T.” është shoqëria me propozim të pakërkuar “INTEGRATED ENERGY B.V.” shpk. Aksionerët e kompanisë janë “Integrated Technology Services sh.p.k.”, “Paul Wurth Italia s.p.a” & “Energy Recuperator s.p.a. Integrated Technology Services është një kompani shqiptare, me aksioner 100% Klodian Zoto, e cila është krijuar në vitin 2010 dhe ndërkohë operon në Elbasan, në Kantierin e impiantit të përpunimit të mbetjeve urbane. Në mars të vitit 2017, kompania, që deri atëherë kryente kryesisht “Shërbime kalibrimi si dhe ngritje laboratorësh, investimin, shërbime metrologjike”, ka shtuar si objekt të aktivitetit edhe “Ndërtime impiantesh teknologjike, impiante të prodhimit të energjisë së rinovueshme, landfillesh për përpunimin e mbetjeve urbane dhe të rrezikshme, ndërtime të impianteve të trajtimit të mbetjeve me djegie (incenerator).
Kush do të paguajë për mbetjet e Tiranës?
Një ditë më parë, Ministria e Mjedisit shpalli kompaninë guackë “Integrated Energy B.V”, kompania e vetme e cila bëri ofertë të pakërkuar, fituese të koncesionit 30-vjeçar për ndërtimin dhe përdorimin e impjantit të djegjes së plehrave në Tiranë, përfshirë dhe ndërtimin dhe menaxhimin e një landfilli të ri dhe një impianti për filtrimin e ujit, të gjitha nën projektin me emër “Zona e Trajtimit të Mbeturinave Tiranë (ZTMT).
Sipas relacionit shoqërues të Vendimit të Këshillit të Ministrave (VKM) të datës 7 dhjetor 2016, projekti për incineratorin e mbeturinave nuk mendohet të ketë efekt në buxhetin e shtetit:
“Zbatimi i projektvendimit nuk shoqërohet me shpenzime financiare për buxhetin e shtetit […] Vetë procedura koncesionare nëse do të ketë një ofertues fitues dhe një kontratë të lidhur, nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, pasi kemi të bëjmë tërësisht me një investim privat, madje buxhetit të shtetit do t’i shtohet vlera e Fee (tarifë) koncesinare që do të detyrohet të paguajë subjekti”.
Me fjalë të tjera, raporti parashikon që shteti do të përfitojë-përveç shërbimit edhe para nga koncesioni 30-vjeçar.
Realiteti, megjithatë, është shumë ndryshe.
Sipas studimit të bëshmërisë së projektit, duke cituar shifrat nga Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës, prodhimi i mbeturinave në rrethin e Tiranës në vitin 2014 ishte 0.9 kilogramë për person në ditë. Me 778,338 banorë, kemi rreth 700 ton mbeturina shtëpiake në ditë dhe 246,800 ton mbeturina në vit.
Projekti ZTMT, ku përfshihet dhe fabrika e përpunimit të mbetjeve do të jetë në gjendje të trajtojë menjëherë nga viti i parë i koncesionit 550-800 ton mbetje në ditë.
Fabrika e përpunimit të mbeturinave do të përbëhet nga katër linja përpunimi, me një kapacitet prej 230 ton për ditë secila dhe një kapacitet të përgjithshëm prej 920 ton për ditë. Linja e parë do të jetë funksionale pas 18 muajsh, e dyta pas 36 muajsh, e treta pas 50 muajsh dhe linja e katërt duhet të ndërtohet përpara se të kalojnë 72 muaj nga fillimi i koncesionit. Rrjedhimisht, do të duhen 6 vjet nga 30 vite të koncesionit që projekti të përfundojë e të funksionojë me kapacitet të plotë.
Sipas studimit të bëshmërisë, Bashkia do të paguajë 29.05 euro pa TVSH për ton/mbetje. Kjo vlerë arrin në 7 milionë euro për 246,800 ton mbeturina shtëpiake të prodhuara nga Tirana çdo vit dhe të përpunuara në ZTMT.
Llogaritja e këtij çmimi bazohet në supozimin se energjia elektrike e prodhuar nga fabrika e përpunimit të mbeturinave me kapacitet prej 3.85 Mwh për secilën linjë, do t’i shitet qeverisë shqiptare për rreth 133 milionë euro gjatë 30 viteve, ose rreth 4,5 milionë euro në vit. Natyrisht ky është një çmim shumë i lartë i shitjes së energjisë, prej 70 euro / Mwh.
Për krahasim, gjatë krizës aktuale të energjisë, qeveria ishte e detyruar të blinte energji në tregun ndërkombëtar me çmimin 57.4 euro/Mwh në fund të qershorit dhe 68.2 euro/Mwh në muajin korrik. Me fjalë të tjera, çmimi i supozuar nga “Integrated Energy B.V” është edhe më e lartë se çmimi i paguar nga qeveria në një situatë emergjence.
Por le të supozojmë se shteti me të vërtetë paguan këtë çmim të lartë, të fiksuar, duke argumentuar se fabrika e përpunimit të mbetjeve prodhon energji “që nuk dëmton mjedisin”, në një vend si Shqipëria që varet për energji elektrike totalisht tek hidrocentralet (nëse bie shi).
Në këtë rast, “Integrated Energy B.V” kërkon në vitin e parë të kontratës 6,4 milionë euro nga buxheti i shtetit, shifër që ngadalë bie në 2,3 milionë euro në vitin e 30-të të koncesionit, ndërsa tarifat e paguara nga Bashkia e Tiranës do të jenë 1 milion euro për vitin e parë dhe 5,1 milionë euro për vitin e 30-të.
Pagesat nga Bashkia supozohet të mbulohen nga taksa e pastrimit e vendosur për të gjithë qytetarët e Tiranës e paguar përmes faturës së ujit. Por mbani mend se vetëm 23% e qytetarëve të Tiranës paguajnë faturat e tyre të ujit, e kështu dhe taksën e pastrimit. Se nga ku supozohet të vijnë këto shifra është ende një mister.
Po ashtu në VKM shkruhet në mënyrë të qartë se, “procedura e koncesionit […] nuk do të ketë efekte shtesë në buxhetin e shtetit, sepse kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat. Por, në studimin e bëshmërisë shkruhet diçka tjetër:
“Kostot prej 29.5 eurosh për ton do të mbulohen nga buxheti i Bashkisë, kryesisht nga Bashkia e Tiranës. Kjo e fundit ka marrë përsipër, bazuar në tabelën në vijim, të kryejë financim nga fondet e veta, ndërsa pjesa e mbetur do t’i financohet Bashkisë së Tiranës nga Qeveria Qendrore.
Çfarë do të thotë? Kjo do të thotë që kemi të bëjmë me një investim tërësisht privat për ndërtimin dhe funksionimin e impiantit gjatë gjithë periudhës së kontratës, pra për 30 vitet. Kompania [që do të shpallet fituese] do ta ndërtojë atë me fondet e veta, një investim prej 128 milionë eurosh. Kapital tërësisht privat”.
Po, “kapital tërësisht privat” nëse qeveria është e gatshme të subvencionojë taksat që Bashkia e Tiranës nuk do mund t’i paguajë “Integrated Energy B.V”! Sigurisht, qeveria nuk po paguan direkt tek kompania, por koncesioni me siguri ka “një efekt shtesë” në buxhetin e shtetit – një total prej rreth 130 milionë eurosh.
Me fjalë të tjera, “efekti shtesë” në buxhetin e shtetit të koncesionit të ZTMT është më i madh se investimi “privat” prej 128 milionë eurosh, madje dhe pa përfshirë në të taksat e paguara nga Bashkia dhe energjinë që do i shitet qeverisë për një çmim shumë më të lartë.
Ky është një tjetër rast ku, qeveria, dhe për këtë arsye qytetarët e Shqipërisë, janë humbësit e mëdhenj të marrëveshjeve ku përfitojnë vetëm kompani private. Kur do të mësojë qeveria të përdorë makinë llogaritëse?
“Exit.al”