Rama “2” si Lëshanjë e Edit parë

Sokol GJONI

Pas masakrës zgjedhore që kreu mbi zgjedhjet e përgjithshme të 25 qershorit 2017, Edi Rama, tashmë është në zenitin e qeverimit, duke eksperimentuar sipas paranojës së tij me qeverisjen e vendit, por dhe me institucione të ndryshme e deri tek përfaqësimi diplomatik i yni. Komunkimi publik, si arma më e fuqishme e tij, përtej një publicistike delirante dhe orgazmike, është shprehja më e qartë e pellgut dëshpërues në të cilin është zhytur kryeministri, veçanërisht, pas krimit elektoral të shitblerjes së votës, duke deformuar masivisht vullnetin e zgjedhësve. Ky akt i zhbërjes së standardit të arritur të organizimit të zgjedhjeve në Shqipëri, përveçse e linçon në arenën demokratike si kryeministër me rekorde negative në drejtim të përgatitjes së zgjedhjeve, është njëkohësisht dhe vula e fundosjes së qeverisjes së tij në planin integrues dhe përafrues me BE-në. Në shfaqjen butaforike të prezantimit të kabinetit të ri, kryeministri bufon, me krekosjen prej gladiatori, dhe i frymëzuar nga admirimi i pashoq për pleniumet e etërve të tij, u dha shqiptarëve absurdin e një ligjërate dy orëshe, ku mungonin tërësisht piketat dhe strategjitë qeverisëse, duke u fokusuar më së shumti në hallakatje perceptimesh dhe davaritje përgjegjësish të mandatit të parë. Asnjë formulim konkret për objektiva të qenësishëm në drejtim të sektorëve jetikë, mungesë qartësie në qasjet strategjike të zhvillimit ekonomik të vendit, si dhe ambiguitet në fokusin e diplomacisë dhe të raportit me vendet fqinje, kryesisht me partnerët strategjikë dhe aleancat integrale, e shndërruan dokumentin monologues të kryeminstrimit në paçavurë puniste.
Rama dhe të tijët, e dinë mjaft mirë peshën e përgjegjësive për dhunimin e standardit dhe kriminalizimin që i bënë zgjedhjeve të 25 qershorit, ndaj dhe kanë formatuar një qeveri që rreket të shpëtojë “lëkurën” e tyre, duke afirmuar një stisje harmoniale mes “ca” zullumqarëve të mandatit të parë dhe “ca” të tjerëve që vijnë nga trashëgimia e mendësisë politike atërore. Ky gërshetim, në dukje është ekuilibër politik brenda radhëve, por fsheh brenda vetes qëllime që lidhen drejtpërdrejt me pasoajt e dhunimit të zgjedhjeve. Paradoksalisht, pas 26 viteve, në krye të tempullit të demokracisë propozohet pikërisht “ai”, i cili mban në ndërgjegjen e tij urdhërin e dhënë për vrasjen e katër të rinjve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve, në një manifestim që organizohej më 2 prill të vitit 1991 në Shkodër, për dhunimin që iu bë zgjedhjeve të asokohshme. Riciklimi i figurës së tij, përveçse provokim dhe shantazhim për fatet e demokracisë dhe të institucioneve kushtetuese, përveçse një paralele historike me emra të njëjtë, është dhe fytyra e pafytyrësisë që ka kryeministri ynë në raport me të vërtetat historike dhe ngjarjet që kanë shënjuar rrugën e përgjaktë të demokracisë shqiptare. Kabineti “Rama 2”, në kushtet e dhunimit dhe të deformimit të vullnetit të zgjedhësve, nuk pritet të ketë prioritete që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, me përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe sipërmarrjes, me përmirësimin e cilësisë së shërbimeve ndaj qytetarit, me uljen e numrit të papunësisë apo dhe të zbutjes së varfërisë, nuk pritet të ofrojë skema efikase dhe lehtësuese ndaj shtresave në nevojë, por ka një fokus të mirëpërcaktuar në favor të ruajtjes së klientelës, si haraç për të gjithë burimin e parave të pista të përdorura para dhe gjatë fushatës. Rama është i vetëdijshëm kur artikulon togfjalëshin “mandat i vështirë”, pasi përtej kënaqësisë së të qenurit i vetëm në turravrapin e tij, ai e kupton se horizonti po ngushtohet dhe shumë shpejt do të rezultojë në theqafje, duke marrë mbi veten dhe mbi partinë që ai drejton mëkatin e pafalshëm të zhytjes së vendit në krizë ekonomike dhe politike. Shqipëria e halleve dhe problemeve të mëdha, nuk meriton dënglat e kryeministrit, i cili paturpësisht fyu dhe etiketoi me termin karakterizues të qeverisjes së tij përfaqësuesit tanë diplomatikë si të dështuar në diplomaci dhe me një ekzaltim venerian rikonfirmoi si të suksesshëm ministrin e Jashtëm. Këto kontraversitete, janë busulla e orientimit dhe filozofia e qeverisjes së “Ramës 2”, duke mënjanuar tërësisht qytetarin dhe problematikat e tij, pasi gjetkë e ka hallin kryeministri arlekin, pasi, ai i ka duart e zhytura thellë në krimin e shitblerjes së votës, pasojat e të cilit i shkurtojnë jetën qeverisjes së tij.
Establishmenti monisto-punist dhe derivatet e tij, kanë ngulitur rrënjë të fuqishme në konfigurimin e qeverisjes së vendit, duke rimodeluar konceptualisht sistemin kushtetues dhe rrëshqitjen në një autokraci orientale. Përballë këtyre udhëkryqeve të shumta, me të cilat proceset integruese të Shqipërisë janë më shumë se kurrë në zgrip të dështimit, imperative mbetet kanalizimi i reagimit qytetar drejt qasjes dhe yshtjes opozitare, përmes alternativës së PD-së. Kontekstet historike, ndonëse të largëta në kohë, sërishmi nxjerrin nga brazdat e dhjetorit të 90′ ngjashmëritë e kohës, ku ende sot, pas afro tre dekadash, shqiptarët ndjejnë nevojën e vokacionit “Liri-Demokraci” dhe kanë përgjegjësinë qytetare të “përmbysjes” dhe të mos lejimit të instalimit të klikës neo-puniste.

Artikulli paraprakI njëjti njeri pas dy impianteve të plehrave
Artikulli tjetërHashashi ishte vetëm fillimi