Izraeli në kaos përpara ndeshjes me Italinë. Eran Zahavi, protagonisti kryesor i asaj fitoreje të thellë me shifrat 3-0 që izraelitët arritën ndaj Shqipërisë në “Elbasan Arena” vitin e kaluar, në Grupin G kualifikues të Botërorit Rusi 2018-të, i ka dhënë lamtumirën ekipit përfaqësues vetëm një ditë përpara sfidës shumë të rëndësishme ndaj Italisë, që do të zhvillohet në Reggio Emilia. Të gjithë e mbajnë mend atë që bëri Zahavi në Shqipëri.
Në takimin ndaj kuqezinjve sulmuesi realizoi 11-metërshin e golit të avantazhit, falë dinakërisë së tij provokoi Etrit Berishën, me këtë të fundit që u largua nga fusha me karton të kuq, duke fituar një tjetër 11-metërsh, të cilin e humbi pasi u ndal nga Alban Hoxha, ndërsa dha edhe asistin e golit të 3-të. Krisja e Zahavit me Federatën izraelite të Futbollit ndodhi pas ndeshjes ndaj Maqedonisë, sfidë në fund të së cilës sulmuesi, i cili aktivizohet në kampionatin kinez u vërshëllye nga tifozët e pranishëm në stadiumin e Hafias.
Humbja 0-1 ndaj përfaqësueses ballkanase nuk u përtyp aspak nga fansat e Izraelit, të cilët nisën të kritikonin ashpër kapitenin, i cili i acaruar nga ky fakt hoqi nga krahu shiritin duke e hedhur në tokë. 30-vjeçari në intervistat pas ndeshjes bëri një tjetër veprim të gabuar, duke deklaruar se u kërkonte falje të gjithë atyre që e mbështesin dhe e duan, por jo tifozëve që e vërshëllyen në stadium. Gjestet e Zahavit nuk u pëlqyen aspak drejtuesve të federatës, të cilët e përjashtuan pa afat lojtarin. Por me të mësuar vendimin Zahavi nëpërmjet një postimi në Instagram publikoi tërheqjen e tij nga përfaqësuesja izraelite. Diçka që askush s’e priste dhe që e bën akoma edhe më të vështirë situatën te Izraeli para sfidës së kësaj të marte ndaj Italisë.
Riyad Mahrez mund të ishte një lojtar i Man. United për këtë sezon me operacionin që dështoi në momentet e fundit para mbylljes së merkatos. “Daily Star” zbulon se fantazisti algjerian kishte arritur akordin personal me Djajtë e Kuq, por për shumë arsye të tjera klubet nuk mundën të përfundonin transferimin. Për Mahrez u përfol edhe për një kalim te Barcelona dhe Chelsea, por për të dytin vit radhazi lojtari nuk arrin të largohet nga Leicester City.