Belgjika është skuadra e gjashtë që siguron biletën për në Botërorin 2018. “Djajtë” e drejtuar nga Roberto Martinez arritën një fitore të rëndësishme në Greqi 2-1, që i zyrtarizon në vendin e parë të Grupit H me 22 pikë në 8 ndeshje. Jan Vertonghen kaloi në avantazh miqtë në minutën e 70, por Zeca vendosi baraspeshën 3 minuta më vonë. Njeriu që siguroi biletën e botërorit për Belgjikën është Romelu Lukaku, që në minutën e 75 realizoi golin e fitores për Belgjikën. Në ndeshjet e tjera të këtij grupi, Bosnje-Hercegovina shkatërroi 4-0 Gjibraltarin. Edin Dzeko hapi serinë e golave dhe më pas Kenan Kodro dyfishoi për t’ia lënë radhën Senad Luliç. Sërish Dzeko në minutën e 85 realizoi edhe golin e dytë. Takimi tjetër mes Estonisë dhe Qipros po në këtë grup u mbyll me fitoren minimale 1-0 të vendasve.
Ndeshjet e së dielës në Grupin A dhurojnë një surprizë të madhe, barazimin e Francës në transfertën e Luxemburgut. Të besuarit e Didier Deschamps nuk arrijnë të shënojnë në fushën e skuadrës modeste, duke hedhur hapin fals dhe duke rihapur çështjen e vendit të parë në grup pasi shkon në kuotën e 17 pikëve, 1 më shumë se Suedia që shkatërroi 4-0 Bjellorusinë. Emil Forsberg në minutën e 18 zhbllokoi ndeshjen, ndërsa Christoffer Nyman 4 minuta më pas shënoi edhe golin e dytë. Marcus Berg e mbylli pjesën e parë me rezultatin 3-0, ndërsa Andreas Granqvist nga pika e bardhë e 11-metërshit vulosi suksesin e thellë të nordikëve. Nuk hasi vështirësi as Holanda që kaloi 3-1 Bullgarinë. Davy Proepper startoi festën në “Amsterdam Arena” që në fillim të ndeshjes, ndërsa Arjen Robben e ndali topin në rrjetë gjatë pjesës së dytë. 120 sekonda më pas Georgi Kostadinov rihapi ndeshjen, por sërish Davy Proepper në të 80-ën vulosi suksesin e skuadrës portokalli që mbetet në lojë për vendin e dytë me 3 pikë më pak se Suedia.
Në Grupin B, Zvicra ruan bindshëm kryesimin pas fitores 3-0 në transfertën e Letonisë. Seferoviç dhe më pas Dzemaili e Rodriguez i dhuruan një fitore të lehtë skuadrës së Petkoviç që udhëheq me 24 pikë klasifikimin, 3 më shumë se Portugalia që kaloi 1-0 Hungarinë me një gol të shënuar nga Andre Silva. Takimi tjetër mes Ishujve Faraoe dhe Andorras u mbyll me rezultatin 1-0.