Juventus me goditje të mëdha

4 ditë nga përfundimi i kësaj merkatoje fillojnë të projektohen goditjet për merkaton verës 2018. Motivi është i thjeshtë, skuadrat duhet të nxitojnë, pasi në xhiro janë të shumtë lojtarët europianë që nuk kanë rinovuar kontratat respektive, të cilat skadojnë pikërisht verën e ardhshme. Në këtë rast, parashikimi është fare i thjeshtë, pasi nëse lojtarë të tillë nuk do të zgjasin kontratat, atëherë ata do të jenë pre e lehtë për transferime. Me këtë situatë të shumta janë klubet që në muajin janar do të mendojnë për t’i shitur, nëse nuk duan që t’i humbasin ata në korrik me kosto zero.
Kështu, Juventusi po mendon për një emër konkret atë të Emre Can, të cilin e ndoqën përgjatë gjithë verës.
Objektiv që nuk u arrit dot prej bardhezinjve, pasi Liverpooli rezistoi pavarësisht kontratës së 23-vjeçarit që është drejt skadimit. Mesfushori gjerman ka vlerësimin maksimal të trajnerit Alegri, të cilin e karakterizon si një lojtar solid dhe që në sezonin e fundit është maturuar shumë, duke u bërë pjesë edhe e Kombëtares gjermane, por edhe një prej më të mirëve tek Liverpooli.
Për këtë arsye “The Reds” nuk do të donin të humbisnin shërbimet e tij, aq më tepër me kosto zero ndaj gjatë kësaj vere u munduan që të arrinin një rinovim dhe zgjatje të kontratës, por firma e Emre Can nuk erdhi kurrë. Kloop ka ende shprese tek ai, por mbetet për t’u parë çfarë do të ndodhë, pasi në këtë situatë që në muajin janar Juventus mund të trokas sërish tek “The Reds”, të cilët në këtë pikë nuk do të mund të kërkonin shifra të ekzagjeruara për një lojtar që pas 6 muajsh mund të largohej edhe gratis. E njëjta situatë edhe tek Schalke 04, ku Juventusi projekton me fanellën bardhezi një tjetër mesfushor gjerman.
Bëhet fjalë për Leon Goretzka, që deri më tani ka qenë mjaft i nënvlerësuar në nivelin ndërkombëtar edhe pse zotëron një dinamizëm dhe intensitet vërtet të rrallë. Tashmë për të interesohen dhe Bayern e Chelsea, ndaj gjatë kësaj vere Schalke i ofroi Goretzkas një pagë mbreti prej plot 7 milionë eurosh në sezon, një sforco vërtet e madhe për klubin nga Gelsenkirchen, por dhe këtu firma mungoi. Në fund, Juventusi do të dëshironte shumë që në mbyllje të karrierës së tij Iniesta të jepte një kontribut si për personalitetin edhe për klasin që përfaqëson tek ky ekip. Pra, nga Emre Can tek Goretzka, deri tek Iniesta, merkato e Juventusit për vitin 2018 duket se ka filluar të lëvizë.

Artikulli paraprakAsambleja e PPE, mbështetje Bashës për strategjinë e opozitës
Artikulli tjetërSimeone vazhdon me Atleticon