Premtimi i Nespor: Do të shënoj shumë gola për Skënderbeun

Skënderbeu prezantoi në një konferencë për shtyp goditjen e ditës së fundit në merkaton verore, futbollistin çek Martin Nespor, i cili u vu nën urdhrat e trajnerit Daja në seancën stërvitore të kësaj të hëne. 27-vjeçari theksoi se i ishte bashkuar Skënderbeut, sepse është një ekip fitues, që u përshtat ambicieve të tij.
“Një faktor i rëndësishëm që më ka bindur për të bërë këtë kalim tek Skënderbeu ishte padiskutim aktiviteti Europian i ekipit. Kam dëgjuar fjalët pozitive për Skënderbeun dhe jam gati për të bërë më të mirën time këtu. Skënderbeu nga informacionet që kam është ekipi më i mirë i kampionatit dhe këto kanë qenë arsyet që më kanë bindur. Nuk është se ka qenë një zgjedhje e vështirë. Ishte dita e fundit e merkatos dhe menaxheri më foli për këtë mundësi. E mora menjëherë seriozisht dhe ja ku jam këtu”, u shpreh Nespor.
Nespor nuk e sheh si problem kohën që i duhet për t’u përshtatur te skuadra korçare, ku pritshmëritë për të janë shumë të larta. “Unë jam një sulmues zone dhe shënoj gola. Besoj se e kam eksperiencën e duhur për t’u ambientuar shpejt me klubin e ri. Miqtë e mi më kanë folur për Skënderbeun dhe për futbollin në Shqipëri. Kjo më bind më shumë se përshtatja ime do të jetë më e shpejtë dhe më e thjeshtë”, tha ai.
Te Skënderbeu, Nespor është afruar për të bërë diferencën në fazën sulmuese, por me Soue dhe James në dispozicion të Dajës, futbollisti çek duhet të djersisë shumë për të fituar vendin e titullarit.
“Te çdo skuadër ka konkurrencë dhe normalisht që kjo vlen edhe për Skënderbeun, për vetë faktin se është një ekip që do të luajë në Europë. Do të mundohem të shënoj gola, por sigurisht që është trajneri ai që vendos se nëse do të luaj unë ose Soue, apo të dy bashkë”, tha Nespor.
Në fund, një premtim i Nespor që rrit entuziazmin në radhët e tifozëve korçarë. “Jam i bindur që do të shënoj shumë gola me këtë fanellë. Loja që më përshtatet është ajo nga krahët dhe me harkime në zonë, prandaj mendoj se Skënderbeu është zgjedhje e mirë për mua”, përfundoi Martin Nespor.

Artikulli paraprakPele: Ronaldo? Flasim kur të arrijë 1283 gola!
Artikulli tjetërPolonia kërkon 1 miliard dollarë nga Gjermania si dëme lufte