Wenger kundër çmimeve të merkatos

Arsene Wenger e pranon se Arsenali do të paguajë një çmim shumë të lartë për Alexis Sanchez. Sakrifikimi i tij duke e lënë të lirë me kosto zero në fund të sezonit do të përkthehet në humbje për këtë klub, por gjithsesi, Wenger qëndroi i palëkundur deri në ditën e fundit të merkatos duke mos pranuar as ofertën e Manchester City për yllin e Topçinjve, kjo pas dështimit në tentativën për të marrë Thomas Lemar të Monacos si zëvendësues të tij.
Menaxheri francez llogarit se do t’i kushtojë plot 70 milionë paund zëvendësimi i Sanchez ose ndoshta edhe më shumë kur sulmuesi kilian të largohet verën e ardhshme. Për mosarritjen e transferimit të Lemar në Angli Arsenali pretendon se ishte vetëm faktori kohë ai që i penalizoi, por ka sugjerime se 21-vjeçari francez Lemar, nuk ka dashur të transferohet në një klub që është jashtë Champions League. Gjithsesi, Mesut Ozil është një tjetër nga yjet e Wenger kontrata e të cilit përfundon këtë vit. Alex Oxlade-Chamberlain ishte në të njëjtat pozita para transferimit te Liverpooli për 35 milionë, ditën e fundit të merkatos, arsyeton Wenger, i cili është kundër marrëveshjeve qindra milionëshe si ajo e Dembele-së tek Barcelona, që i konsideron jashtë çdo realiteti.
“Aktualisht kemi në Angli plot 107 lojtarë, kontratat e të cilëve përfundojnë brenda një viti, shton 67-vjeçari. Në një pikë të tillë lojtarët e shohin veten e tyre shumë më superiorë, për këto arsye. E para, kur kontratat e lojtarëve afrojnë drejt skadimit ata presin që t’u ofrohen automatikisht paga më të larta, e dyta është faktori merkato, që e ka rritur tavanin me çmime stratoferike për futbollistë që vërtet janë shumë të mirë, por që në fund të fundit asnjë klub nuk do të donte t’i pagunte aq shumë, vijon Wenger. Shifrat që luhen sot në botën e futbollit janë të frikshme, kanë kaluar çdo parashikim duke u distancuar tërësisht nga realiteti dhe e vërteta ku jetojmë”.
Në këtë drejtim Wenger jep shembullin e Dembele, një vit më parë vlente 15 milionë euro, sot 150. Sado mirë të punojë futbollisti dhe trajneri me të askush nuk shkon nga 15 në 150 milionë, shton 67-vjeçari. Llogaritë që bënin dikur klubet midis asaj që investon dhe atë që do të marrësh mbrapsht sot kanë rënë. Gjithë çështja është ke apo jo fonde, blen dot apo jo, përfundon Arsene Wenger.

Artikulli paraprakIniesta trondit Barçën
Artikulli tjetërPSG prezanton Mbape