Ceferin: Do shkurtojmë afatin e merkatos

“Jam në favor të shkurtimit të kohës së merkatos verore”. Ky është qëndrimi i presidentit të UEFA-s, Aleksander Ceferin në një intervistë për “The Times”. I vendosur për të revolucionarizuar ligjet e menaxhimit të futbollit europian thekson se, tashmë ka ardhur momenti që diçka të ndryshojë dhe UEFA po monitoron situatën me kujdes. “Në këndvështrimin tim nuk është normale që lojtarët ta nisin sezonin me një skuadër dhe ta vazhdojnë pak ditë më vonë me një skuadër tjetër. Në këtë pikë ka shumë paqartësi prandaj mendoj se duhet të shkurtojmë kohën e mbylljes së merkatos”, thekson slloveni.
Një deklaratë që i paraprin mbledhjes së 20 presidentëve të klubeve të Premier League, të cilët do të hedhin hapin e parë në këtë drejtim. Ata do të votojnë të enjten për të ndryshuar datën e mbylljes së merkatos në Angli. Sipas Ligës angleze të Futbollit, minimalisht 14 presidentë duhet të votojnë në favor të ndryshimeve që do ta mbyllnin merkaton e shitblerjes së futbollistëve përpara startit të Premier League. Nëse një praktikë e tillë do të ishte aplikuar edhe sezonin aktual, atëherë absurdi i rastit Alex Oxlade-Chamberlain nuk do të kishte ndodhur. Ish-sulmuesi i Arsenalit që u aktivizua në humbjen 4-0 në Liverpool, tashmë do të veshë fanellën e skuadrës së Klopp pasi finalizoi transferimin dhe në pjesën e dytë të sezonit do të sfidojë ish-skuadrën e tij me të cilën nisi rrugëtimin sezonal.

 

Artikulli paraprakPSG prezanton Mbape
Artikulli tjetër“Boom” abonimesh në Serie A, Milani kryeson