Argjentina nuk shkoi dot më shumë sesa një barazim 1-1 me Venezuelën në shtëpi, duke bërë që të rrezikojë edhe vendin e pestë në grup që të çon në “play off”. Skuadra e Sampaolit nuk shkëlqeu dhe as individualitetet si Mesi, Di Maria, Dybala apo Icardi nuk dhanë atë që pritej. Gjithsesi, shtypi argjentinas shënjestroi yllin e Barcelonës pas kësaj ndeshjeje.
“Lojtari më i mirë në botë nuk mund të jetë thjesht një numër në fushë”, shkruan “Ole”. “Mesi nuk mund të luajë në një nivel kaq të ulët. Mungesa e lojtarëve të tjerë që flasin gjuhën e tij futbollistike në fushë nuk i heq përgjegjësitë. Leo luajti një pjesë të parë të pranueshme. E nisi shumë mirë dhe menduam se do të shpërthente, por nuk shpërtheu”, vazhdon “Ole”.
Argjentina rrezikon seriozisht pjesëmarrjen në Kupën e Botës 2018. Kombëtarja albiceleste dështon edhe në sfidën kundër Venezuelës duke humbur një mundësi të mirë për të fituar pozicione në klasifikimin e përgjithshëm të zonës COMNEBOL. Stadiumi “El Monumental” nuk e ndihmoi aspak ekipin e Jorge Sampaolit për të arritur fitoren, pasi Venezuela arriti të largohej me një pikë pas barazimit 1-1. Vendasit e nisën ndeshjen me treshen Icardi-Dybala-Mesi, por të parët që kaluan në avantazh ishin miqtë që në minutën e 50 zhbllokuan sfidën me Jhon Murillo.
5 minuta më vonë, një autogol i Rolf Feltscher shpëtoi Argjentinën nga turpi, por jo nga zona e rrezikut pasi bardhekaltërit mbeten në vendin e pestë me 24 pikë, një më shumë se Kili dhe në rast se gjatë dy ndeshjeve të fundit e humbasin edhe këtë pozicion, atëherë Kupa e Botës do të humbasë një nga skuadrat më të forta të planetit.
Skuadra e drejtuar nga Jorge Sampaoli nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 ndaj Venezuelës, duke qëndruar në vendin e pestë në klasifikimin e grupit të Amerikës Latine dhe tani i duhet që të fitojë patjetër dy ndeshjet e fundit me Perunë dhe Ekuadorin për të evituar “play off”-in.
Mbrëmje negative edhe për Kilin që u mund në Bolivi me rezultatin 1-0. Juan Carlos Arce nga pika e bardhë e 11-metërshit i dhuroi fitoren skuadrës vendase që gjithsesi nuk ka asnjë shans për të ëndërruar zonën kualifikuese.
Fitore të rëndësishme regjistroi Uruguaji në Paraguaj ku triumfoi 2-1 me gola të Federico Valverde dhe autogolin e Gustavo Gomez për t’u ngjitur menjëherë në vendin e dytë të klasifikimit me 27 pikë, 1 më shumë se Kolumbia që ndali në barazim 1-1 Brazilin. Golit të Willian në pjesën e parë iu kundërpërgjigj i përhershmi Radamel Falcao që evitoi humbjen për “Los Cafeteros”, të cilët janë gjithmonë e më pranë kualifikimit. Fitore shumë të rëndësishme arriti edhe Peruja në transfertën e Ekuadorit me rezultatin 2-1. Bardhekuqtë shënuan dy herë me Flores dhe Hurtado, ndërsa vendasit ngushtuan diferencën me Enner Valencia. 3 pikë që e ngjisin Perunë në vendin e 4 me 24 pikë dhe mbajnë të gjalla shpresat e kësaj skuadre për të siguruar një kualifikim historik në Kupën e Botës 2018.