Ermal Fatajt do t’i duhet të qëndrojë në burg edhe 30 ditë të tjera si i dyshuar se aksidentoi për vdekje turisten 15-vjeçare Ksenia Riok, në Ksamil, 45 ditë më parë. Laboratori i Policisë Shkencore nuk ka mundur të përfitojë një profil gjenetik nga krahasimi i fijeve të flokëve të gjetura në skafin e Fatajt, me ato të viktimës.
Në raportin e dorëzuar në limitin e afateve ligjore, ekspertët kanë sqaruar se në këtë rast duhet të kryhet analiza e ADN-së mitokondriale. Kjo analizë nuk mund të kryhet në vendin tonë, pasi laboratori nuk disponon pajisjen. Për këtë arsye, prokurori ka kërkuar zgjatjen e afateve të paraburgimit me 30 ditë të tjera, derisa të gjendet një mundësi tjetër për të bërë krahasimin.
Nuk sqarohet nëse kjo analizë mund të bëhet në një laborator privat në vend apo do të dërgohet jashtë. 31-vjeçari Fataj do të vazhdojë të qëndrojë edhe një muaj tjetër në qeli. Ai e ka mohuar autorësinë e ngjarjes dhe i vetmi dyshim që e mban në burg është që fijet e flokut, të gjetura në helikën e skafit të tij, mund të jenë të viktimës.
Ngjarja e rëndë ku hum,bi jetën turistja ruse ndodhi më 21 korrik të këtij viti. Një prej dëshmitarëve deklaroi se 15-vjeçarja ruse u godit nga një motor uji që ishte brenda zonës së ndaluar për këto mjete. Sipas të pranishmit, pasi ka çarë vajzën dhe ka parë që në ujë kanë nisur shenjat e gjakut, drejtuesi i motorit të ujit është larguar me shpejtësi, ndërsa një person me një varkë të thjeshtë ka nxjerrë në breg trupin e viktimës. Dëshmitari rrëfen se 15-vjeçarja kishte 20 minuta që nga momenti që e pa ruajtësi i varkave dhe policia është vonuar gati gjysëm ore për të ardhur në vendin e ngjarjes.
“Në tragjedinë që ndodhi në tre ishujt e Ksamilit, vajza është goditur me jetsky brenda kufirit të ishullit dhe personi me motorin e ujit është larguar sapo ka parë njollat e gjakut. Policia po e fsheh faktin që ka qenë një jetsky në ujë. Një person që rri tek varkat që marrim çdo ditë e nxori viktimën nga uji. Ajo ishte e goditur dhe kishte mbi 20 minuta nga momenti që e kishte parë ky. Ai mori në moment policinë dhe ata vonuan gati gjysmë ore, ndërkohë që jetsky u fut brenda kufirit që nuk lejohet dhe që është vetëm për pushuesit që notojnë. Ai që e ka vrarë është zhdukur dhe policia asgjë s’po bën për ta kapur. Theksoj, që nga deti vajzën e ka nxjerrë ky që transportonte njerëz për në ishull me një barkë të vogël. Ajo kishte çarje në trup dhe goditje në kokë”, u shpreh atëherë pushuesi, i cili ishte i pranishëm në vendngjarje.