Zonja e zotërinj!
Të përndjekur politikë të diktaturës komuniste!
Qytetarë të Shqipërisë që besoni ende te vlerat e lirisë e demokracisë!
Siç kemi njoftuar ditën e shtunë, datë 09 shtator 2017, në orën 18.00, Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë organizon një protestë para Kuvendit të Shqipërisë kundër zgjedhjes së kreut të ri të Kuvendit, që siç është njoftuar nga partia në pushtet do të jetë ish-ministri i fundit i Brendshëm i diktaturës komuniste, Gramoz Ruçi, si dhe rikthimit në qeveri të ish-anëtarëve të Sigurimit të Shtetit dhe pinjollëve të ish-kupolës komuniste në pushtet.
Zonja e zotërinj!
Shqipëria ndodhet përpara një rreziku real të ofruar nga një projekt e skenar makbethian të përgatitur e të ofruar nga Edi Rama, rikthimin në krye të shtetit të drejtuesit të organizatës kriminale Sigurimi i Shtetit. Ky skenar nuk është vetëm një fyerje për qindra mijëra viktima të terrorit komunist dhe qytetarëve të tjerë shqiptarë të dhunuar në të gjitha format nga diktatura komuniste, por një kërcënim real për lirinë, demokracinë e shtetin ligjor.
Ktheni pak kokën vetëm 27 vjet më parë dhe kujtoni diktaturën me terror, vrasje, burgje, kampe internimi të rrethuar me tela me gjemba, varfëri ekstreme etj., për të kuptuar se çfarë përfaqësojnë sot ata që na zgjidhen e emërohen drejtues të lartë të shtetit.
Diktatura po troket sërish dhe rikthimi i xhelatëve të saj në krye të shtetit është shenja e qartë e rikthimit të saj.
Prandaj ju ftojmë nesër, në ora 18.00 para Kuvendit të Shqipërisë për të kundërshtuar me protestën tonë qytetare rikthimin në pushtet të ish-drejtuesve të diktaturës komuniste!
Nëse ke ende dinjitetin e mjaftueshëm njerëzor mos e prano poshtërimin e ofruar nga politika në pushtet, dil e protesto bashkë me ne kundër komunizmit.
Mos hesht, nesër mund të jetë shumë vonë.
Mos bëni sehir! Protestoni sot kundër rikthimit në pushtet të drejtuesve të diktaturës ose largohuni para se ata të ndërtojnë sërish gardhin me tela me gjemba!
Nebil Çika
Kryetar i Shoqatës Antikomuniste të ish-të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë