Jurgen Klopp nuk e konsideron dëshirën e artikuluar të Philippe Kutinjos për të shkuar tek Barcelona si diçka të pafalshme, madje ai thekson se situata është shumë e qetë e normale. Klopp deklaroi se braziliani Kutinjo ndihet mjaft mirë tek Liverpooli, si dhe shpjegoi arsyet e lënies jashtë të tij në ndeshjen me Manchester City-n. Në të vërtetë çështja Kutinjo u duk se komprometoi disi mbarëvajtjen e sezonit të Liverpoolit dhe spekulimet flisnin për një marrëdhënie të thyer mes tij dhe trajnerit gjerman, edhe pse oferta e Barcelonës ishte plot 114 milionë paund. Klopp u takua me 25-vjeçarin në seancën e parë stërvitore për lojtarin që pas dëmtimit të pësuar në muajin gusht, ku duhet thënë se numri 10 shkëlqeu dhe më pas menaxheri Klopp deklaroi se diskutimi i tyre ishte mjaft pozitiv, çka premton për një mbarëvajtje shumë të mirë.
“Mendoj se të gjithë bashkë e menaxhuam mjaft mirë situatën. Nuk është hera e parë që gjatë një merkatoje të ndodhin gjëra të tilla. Debatet ndonjëherë rezultojnë shumë konstruktive, kështu siç ishte në rastin tonë. Asgjë për të cilën është folur nuk është pafalshme, ndaj ne vijojmë të kemi një klimë shumë pozitive në grup. Nuk e di me saktësi për sa kohë ai do të vijojë të luajë me këtë klub, por për sa kohë të qëndrojë çdo gjë do të jetë e qetë”, u shpreh Klopp.
Kutinjo, i cili u aktivizua dy herë me kombëtaren braziliane për ndeshjet kualifikuese në Botëror, tashmë vijon me stërvitjen intensive dhe me shumë probabilitet do të rikthehet të veshë fanellën e kuqe gjatë javës së ardhshme për takimin e Champions League përballë Sevillas.
“U thashë djemve në dhomat e zhveshjes të mirëprisnin dy lojtarë të rinj në grup: Alex Oxlade-Chamberlain dhe Kutinjon. Siç mund ta kuptoni ata e mirëpritën shakanë. Philipp e dashuron futbollin ashtu si dhe këtë klub, ndaj mes nesh nuk ka asnjë problem. Gjithsesi, më duhej të merrja një vendim dhe me 7 ndeshje në tre javët e ardhshme mendoj se nuk kishte kohë të mjaftueshme për t’u stërvitur aq sa duhej, prandaj vendosa ta lë jashtë për ndeshjen me City-n në mënyrë që t’i përdorë ato 4-5 ditë për t’u stërvitur siç duhet. Kështu ai do të jetë i gatshëm për pjesën tjetër të sezonit. Kutinjo pranoi dhe biseda jonë ishte mjaft produktive”, përfundoi trajneri i Liverpoolit.
Manchester City dhe Liverpool përplasin brirët në ndeshjen e drekës të kësaj të shtune në orën 13:30 në “Etihad Stadium”, pas një starti të njëjtë të sezonit, ku të dyja skuadrat kanë shënuar nga dy fitore dhe një barazim në tri takimet e para të kampionatit.
Cityzens vijnë në këtë takim përballë një rivali direkt pas fitores in-enxtremis në fushën e Bournemouth, ku golin e 1-2 e realizoi Sterling në minutën e 7-të shtesë. 22-vjeçari në fakt do të mungojë ndaj ish-skuadrës së tij sepse u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë pak pasi kishte shënuar, ndërkohë një tjetër mungesë e rëndësishme për Pep Guardiolën është Vincent Kompany, që vazhdon të jetë i dëmtuar. Në dyshim për arsye fizike është edhe Gundogan.
“Të kuqtë” udhëtojnë me moral të lartë drejt Manchesterit, pasi shkatërruan 4-0 në “Anfield” Arsenalin. Jurgen Klopp ka lënë jashtë skuadrës për arsye fizike Kutinjon, ndonëse braziliani u grumbullua me Brazilin dhe u aktivizua si zëvendësues në dy eliminatoret me Ekuadorin dhe Kolumbinë. Clyne dhe Lallana janë dy vazhdojnë të kenë probleme fizike, ndërsa të gjithë futbollistët e tjerë janë 100% të gatshëm ndaj City-t. Elementët që kanë dhe loja që aplikojnë të dyja skuadrat sugjerojnë një përballje me ritëm të shfrenuar përgjatë këtij 90-minutëshi, ku spektakli është i garantuar.