Katër parti: Kjo është demokraci e rreme

Më lejoni që në emër të partive tradicionale shqiptare që besojnë në filozofinë politike të konservatorizmit modern, të ftoj çdo shqiptar që mendon se ka ardhur momenti të respektojmë të vërtetën e së shkuarës si kusht për të ardhmen tonë, të marrë pjesë të shtunën, ora 11 në Spaç në një takim simbol të antikomunizmit, në ditën që shënon kryengritjen e parë kundër komunizmit në Shqipëri dhe në Europë.
Ne sot jemi njëlloj si dje, pushtetin e kanë të njëjtit njerëz ose bijtë e tyre, ata që ishin dje, të njëjtën filozofi drejtimi, atë të Marksit, festojmë datën e çlirimit të vendi tjetër ashtu si në socializëm, festojmë ditën e dëshmorëve, atë të komunizmit, sot në shkolla mësohet e njëjta histori politike me atë të diktaturës, e gënjeshtërt, sot shtiren se janë pro besimit fetar, dje po ata ndaluan predikimin e tij, pasurinë kombëtare dje e drejtonin në emër të shtetit, sot në emër të biznesit, fjalën e lirë dje nuk e lejonin, sot e kontrollojnë tërësisht, zgjedhjet dje detyronin votimin, sot kontrollojnë numërimin, mungesa e lirisë dje është zëvendësuar nga iluzioni i lirisë sot.
Sot jemi më të qartë se kurrë se, regjimi diktatorial nuk është shkatërruar, por vetëm është shndërruar në një demokraci të rreme me vese despotike, prandaj duhet ndryshuar sistemi mental i klasës drejtuese politike.
Ne besojmë se me ndryshimin e sistemit shoqëror duhet të ndryshojë sistemi i referimit nga dhuna tek liria. Ne besojmë se sistemi i vlerave në liri krijon një truall të përbashkët për njerëzit që mendojnë ndryshe.
Ne do të formësojmë një platformë dekomunistizimi të shoqërisë shqiptare, të cilës do t’i japim jetë nëpërmjet mekanizmit politik të partive tona mbështetur në besimin tuaj dhe në moralin tonë.
Ftoj të na bashkëngjitet çdo familje që ende mban mbi shpinë dhembjen e internimeve, të burgimeve, të pushkatimeve, të mungesës së një varri për të afërmit e tyre.
Ejani me ne të lutemi së bashku në monumentin e vuajtjeve të njerëzve tanë, por edhe për të treguar që ekzistojmë.

Unioni i shoqatave të ish-të përndjekurve politikë
Partia e të Drejtave të Mohuara
Partia Lëvizja e Legalitetit
Partia e Bashkimit Liberal Demokrat
Partia e Ballit Kombëtar Demokrat

Artikulli paraprakÇdo gjë normale
Artikulli tjetërLarg Messit Neymar një gjigant në fushë