Masakrohet gazetari nga njeriu i Shullazit, qeveria nuk reagon

Gazetari i Telesport, Eduard Ilnica flet për gjendjen e rëndë ku ai mbeti i dëmtuar për shkak të dhunës së ushtruar nga Presidenti i “Kastriotit” Alban Vogli. I shtruar në Spitalin e Traumës, shenjat evidente në fytyrë dhe kokë lënë pak vend për koment. “Ishte përballje e rastësishme, më goditën menjëherë. Bëhet fjalë për një agresion nga 6-7 veta, që tentuan të më fusnin edhe në makinën tyre. Arrita të mbahesha në një dorezë te makina dhe ulërita jo vetëm nga dhimbjet, por edhe që ata të frikësoheshin, dhe kjo funksionoi”, tregon Ilnica.
Gjithçka ndodhi për shkak të detyrës, me dhunën në ndeshjen Korabi-Kastrioti që doli edhe nga fusha, duke zbritur në Tiranë, përpara mesnatës në zonën e Zogut të Zi. Nga agresorët e shumtë, gazetari Ilnica njohu vetëm presidentin e Kastriotit, Alban Vogli, edhe prej ngjarjeve të dhunës në Peshkopi.
Ilinica ka folur në një intervistë për Telesport, të realizuar nga gazetari Ilir Kadia. “Ngjarja ka lidhje me raportimin tim si gazetar në ndeshjen Korabi-Kastrioti. Në pasqyrimet e mia, duket si dikujt nuk i ka ardhur mirë që kam evidentuar dhe një fakt tjetër përveç dhunës së tifozëve që e kemi dënuar të gjithë. Në punën tonë gazetareske ne përpiqemi të nxjerrim të gjitha arsyet dhe shkaqet e një ngjarjeje, por mesa duket paskam shkelur në kallo njerëz që nuk e kuptojnë çfarë është gazetaria”, tha ai.
Gazetari ka rrëfyer edhe rrethanat e ngjarjes. “Kam parë një grup personash të udhëhequr nga Alban Vogli, emrin e të cilit e kam ndeshur për herë të parë vetëm në stadiumin e Korabit. Kurrë më parë nuk e kam njohur këtë njeri. E kam parë në stadium, kur ai ka kërcyer 4 metra për të hyrë në fushë, në momentin e shpërthimit të dhunës në fushë”, tha ai.

Po cili ishte shkaku i dhunës?

“Përmendja e emrit të tij në kronikën time, duket se është marrë personalisht prej tij. Unë nuk e kam njohur kurrë në jetën time dhe nuk kam patur asgjë personalisht me të. Kërkuan të më fusnin në makinën e tyre Fuoristradë. Mendova që po të futesha aty, mund të më eliminonin dhe fizikisht. Për dy minuta më kanë goditur pafund. Shyqyr Zotit shpëtova pa u futur në makinë, por jo nga grushtet e tyre që ishin pafund”, thotë Ilnica në intervistën e tij për Telesport.
Policia bëri të ditur se ndaloi presidentin e klubit të futbollit Kastrioti, Alban Vogli, i cili kanosi dhe dhunoi barbarisht gazetarin sportiv Eduard Ilnica mbrëmjen e së hënës në zonën e “Zogut të Zi” në kryeqytet. Dhunimi i gazetarit Eduard Ilnica besohet se ka lidhje me trazirat e ndodhura në fund të takimit mes Korabit dhe Kastriotit në fundjavë.
Ndërkohë, nuk ka patur asnjë reagim nga qeveria për dhunën e ushtruar ndaj gazetarit. As Partia Socialiste, as kryeministri Rama, as ministri i Brendshëm, as ministrja e Kulturës dhe Sporteve nuk kanë reguar ndaj dhunës së ushtruar ndaj gazetarit Ilnica.

OSBE dënon sulmin ndaj gazetarit Ilnica

Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, dënoi sulmin ndaj gazetarit Eduard Ilnica të hënën mbrëma në Tiranë, si edhe iu bëri thirrje autoriteteve shqiptare të realizojnë një hetim të shpejtë dhe të plotë të incidentit.
“E dënoj këtë sulm; dhuna ndaj gazetarëve nuk duhet të tolerohet”, u shpreh Mijatoviç. “E përshëndes reagimin e shpejtë të policisë dhe shpresoj që hetimi të japë rezultate dhe të çojë të gjithë fajtorët para drejtësisë”, tha ajo.
Mediat raportojnë se Ilnica është rrahur nga një grup personash dhe është shtruar në spital, pas një emisioni televiziv ku ai ka raportuar mbi dhunën e ushtruar gjatë një ndeshje futbolli në Peshkopi. Policia arrestoi një të dyshuar pak kohë pas sulmit.

Reagon Shoqata e Gazetarëve

Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dënon me forcë dhunën fizike të ushtruar ndaj kolegut, gazetarit të Telesport Eduard Ilnica. “Gazetari Ilnica është goditur, keqtrajtuar dhe tentuar të merret peng nga presidenti i klubit të futbollit “Kastrioti”, Alban Vogli, për shkak të dokumentimit të akteve të dhunës të ndodhura në një ndeshje sportive mes dy ekipeve të futbollit. Dhunimi i një gazetari për shkak të detyrës është një ngjarje e rëndë, e shëmtuar dhe e papranueshme, jo vetëm si veprim i paligjshëm që vë në rrezik jetën e një njeriu, por edhe si akt që cënon drejtpërdrejtë lirinë e medias”, thuhet në reagimin e Shoqatës së Gazetarëve.
Shoqata e Gazetarëve Profesionistë përshëndet veprimin e shpejtë të Policisë së Shtetit me ndalimin e autorit të dyshuar të dhunimit barbar të kolegut Eduard Ilnica dhe u kërkon autoriteteve të larta shtetërore ta dënojnë me forcë këtë ngjarje kriminale.

Berisha: “Miku i Edvin Shullazit masakroi gazetarin Eduart Ilnica”

Ish-kryeministri Berisha ka reaguar pas ngjarjes në Tiranë, ku u rrah barbarisht gazetari Eduard Ilnica nga presidenti i ekipit Kastrioti. Në një postim në Facebook, Berisha shkruan se, gazetari u dhunua nga miku i Edvin Shullazit, Alban Vogli, ndërsa akuzon kryeministrin Rama dhe vëllain e tij se e zhytën futbollin shqiptar në mafien e zezë. “Edvin Shullazi, Olsi dhe ndrikull Jona zhytën futbollin shqiptar në mafien e zezë!”, shkruan Berisha.
“Të dashur miq, java që kaloi ishte java e përgjakjes, dhunës, masakrimit nga mafia e zezë e Edvin Shullazit, Olsit dhe ndrikull Jones, magjistares së basteve dhe rezultateve që na qetëson se ku do fitojmë. Këtë javë, arenat e futbollit u shndërruan në arenat e përleshjeve fizike, shitjes dhe blerjes së ndeshjeve nga horra dhe trafikantë të veshur me imunitet, siç ishte rasti i Ballës në ndeshjen me Butrintin, fëlliqësinë e të cilit, futbollistët e Butrinitit treguan me top dhe gisht”, shkruan Berisha.
Përleshje dhe përgjakje të egra në Tiranë, Pogradec, Peshkopi, rrahje trajnerësh në Durrës. Pra në një javë në Shqipërinë kanabiste të Edvin Shullazit pati përleshje dhe skandale në futboll më shumë se në Europë, Azi dhe Oqeani të marra së bashku.
“Kjo situateë dramatike në arenat tona të futbollit kulmoi me masakrimin e gazetarit të njohur sportiv Eduart Ilnica në një lokal të Tiranës nga miku direkt i Edvin Shullazit, Alban Vogli. Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe dhunën e egër të ushtruar ndaj gazetarit Ilnica nga kriminelët e pushtetit, i bëj thirrje Prokurorisë të veprojë me urgjencë dhe me të gjithë rreptësinë e ligjit, kundër mafies shtetërore që po zhyt futbollin në një katastrofë të vërtetë! Sb”, përfundon reagimin e tij Berisha.

Kush e dhunoi gazetarin Ilnica

Gazetari Eduard Ilnica është dhunuar nga kushëriri i Emiljano Shullazit. Denoncimi është bërë nga tre qytetarë nga Kruja, të cilët i kanë dërguar mesazhe ish-Kryeministrit Berisha. “Qytetarët dixhitalë informojnë se gazetarin Ilnica e masakroi dhe po e rrëmbente banda e Milit të Partisë! Sb’, shkruan Berisha në Facebook, duke publikuar edhe mesazhet e tre qytetarëve.
“Përshëndetje doktor, po shikoja se është postuar nga FIFA një foto e ekipit të Krujës menjëherë më erdhi në mendje një muhabet që kisha dëgjuar për këtë ekip. Në fakt ky ekip i përket kushëririt të Emiljano Shullazit, i cili e ka marrë këtë ekip me forcë. Duke marrë parasysh nga eksperjenca jote dhe kontaktet që ke me njerëz të brendshëm të shtetit, t’i mund të zbulosh më shumë për këtë çështje. Shpresoj të mos e lësh pas dore këtë çështje. Di se në ekip ishin investuar 300 mijë euro pak para se të grabitej ekipi”, i shkruan një qytetar Berishës.
“Doktor përshëndetje, personi që ka masakruar gazetarin e Telesportit është kushëri i Emiliano Shullazit. Këta janë edhe sponsorët e “Kastriotit” të Krujës! Babai i Emiljanos është fiks daja i presidentit të “Kastriotit” të Krujës!”, shkruan një qytetar tjetër.
“Përshëndetje i nderuar Berisha. Po të dërgoj foton se si është masakruar gazetari në mes të Tiranës mbrëmë në orën 22:20, nga presidenti i “Kastriotit”, që është kushëri i Shullazit. Shyqyr që je ti, që denoncimet i bën publike. Për një shkrim ja çfarë të gjen në shtetin e kriminelëve të Edi Ramës e Sajmir Tahirit. Eshtë bërë e frikshme të jetosh në këtë vend, ndaj të lutem mos publiko se kush të ka dërguar këtë mesazh. Po të dërgoj foton e gazetarit dhe intervistën e tij, që flasin qartë se nën thundrën e kujt jemi si popull!”, shkruan qytetari.

Pollo: Shullazi nr.2 brutalizoi gazetarin, ministri nuk hap gojë, Rama jo e jo

Kryetari i Komisionit parlamentar të Medias dhe Edukimit, Genc Pollo vizitoi dje në Spitalin e Traumës gazetarin e dhunuar barbarisht, Eduard Ilnica. Pollo u shpreh se, dhunimi i gazetarit përbën një kulm pas lajmeve për dhunë të shtuar në stadiume, por më e rëndë është mungesa e reagimit nga qeveria. Kreu i Komisionit të Medias u shpreh se kjo mungesë solidariteti nga qeveria është e patolerueshme dhe e pafalshme, kur sipas informacioneve të para dhunuesi ishte kushëriri i Shullazit. “Vizitova gazetarin Eduard Ilnica të dhunuar brutalisht dje në darkë nga një personazh që e mban veten për të fortë zone dhe shef sporti. Është një ngjarje kulmore në një sërë aktesh të dhunshme që kanë përfshirë stadiumet tona, por fatkeqësisht nuk kemi parë reagime nga autoritetet, duke filluar nga qeveria dhe ministria përgjegjëse për sportin. Sot, arriti kulmin dhe unë dëshiroj që Eduard Ilnica të shërohet sa më parë.
Të gjithë dëshirojnë që dhunuesit e tij të përballen ashtu siç duhet me ligjin. Po mendoj që askush nuk e kupton që as ministri i Brendshëm dhe as ministrja e Sporteve deri në këto momente nuk janë prononcuar. Nuk kanë dënuar dhunën brutale, nuk janë solidarizuar me gazetarin e plagosur rëndë. Ndoshta kjo ka të bëjë me personin dhunues, sepse sipas informacioneve të para është kushëri i Shullazit. Por është e pafalshme, e patolerueshme. Është një izolim në raport me një opinion publik të shëndetshëm që dhunën nuk e ka pjesë të kulturës së përditshme dhe shpresoj që ky apel, që është për të gjitha ata sportdashës që ta lënë sportin në atë që është në thelbin e vetë, një garë e fisme që nxjerr në pah anët më të mira të natyrës njerëzore, dhe t’i largohen çdo akti të dhunshëm nga cilido që mund të nxitet diçka e tillë, sepse kjo vërtet na turpëron të gjithëve, të gjithë sportdashësit dhe të gjithë njerëzit e tjerë”, tha Pollo.
Më tej, kreu i Komisionit tha se shpreson që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari në një kohë që liria e medias është përkeqësuar. “Shpresoj vërtetë që të jetë rasti i fundit i dhunimit të një gazetari. Liria e shtypit në Shqipëri është në përkeqësim dhe raportet ndërkombëtare e klasifikojnë lirinë poshtë e më poshtë. Dhunimi i një gazetari nga persona të lidhur me të pushtetshmit dhe mosdënimi publik i aktit, mossolidarizimi publik me viktimën e përkeqëson më shumë këtë liri të shtypit tashmë në rënie”, tha Pollo.
“Edhe një gazetar tjetër i dhunuar barbarisht pasi bëri detyrën, raportoi për dhunën në stadium. Në mes të Tiranës! Asnjë dënim apo solidarizim nga qeveria, ministri i Brendshëm, i Sportit. Si dhe më parë. Liria e shtypit poshtë”, deklaroi Pollo.

R.POLISI

Artikulli paraprakProkuroria nis hetimin, Roshi humbet mandatin, rrezikon burgun
Artikulli tjetërSot fakte tronditëse mbi lidhjet e Tahirit me trafikun e drogës