Një risi në merkato mund të ndryshojë ekuilibrat në futbollin europian. Siç raporton e përditshmja britanike “The Sun”, skuadrat e kontinentit të vjetër janë dakord me propozimin për të hequr sesionin e merkatos dimërore, që i lejon klubeve ndërhyrjet dhe ndryshimet në organikë për pjesën e dytë të sezonit. Pas vendimit që u mor në kampionatin anglez të Premier Leagues, për ta mbyllur merkaton verore përpara startimit të këtij kompeticioni, zgjedhje kjo që u miratua thuajse nga të gjitha klubet euroapine, këto të fundit mund të ndjekin pikërisht gjurmët e anglezëve, çka do të sillte një panoramë tërësisht të re në futboll, një ndryshim madhor.
Heqja e merkatos dimërore do të ndryshonte lojën duke hapur letrat në tavolinë, pasi në këtë mënyrë shumë klube nuk do të kishin më jelekë shpëtimi, siç mund të konsiderohen përforcimet e janarit, për të përmirësuar gabimet e bëra apo për të superuar dëmtimet e mundshme të lojtarëve. Po sipas “The Sun”, klubet e mëdha europiane janë dakord me këtë propozim edhe pse vendimi zyrtar nuk pritet të merret tani shpejt. Pas prezantimit edhe të teknologjisë VAR, lidhur me videoarbitrazhin, duket se për futbollin ka nisur një kohë ndryshimesh.