Një makinë ka rënë në ujërat e lumit Drin poshtë urës së Bahçallëkut në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm dhe si pasojë ka humbur jetën një person. Mësohet se viktima është Sokol Kulla i moshës 37 vjeç. Ndërsa raportohet se në automjet ka pasur edhe një shtetas tjetër.
Dyshohet se në makinën tip “Ford Fokus” kanë qenë 2 persona, të cilët po udhëtonin drejt Tiranës, ku kanë dalë nga rruga dhe kanë përfunduar në lumë në vendin e njohur si Ura e Bahçallëkut në Shkodër. Makina dyshohet se ka rënë 5 metra nën sipërfaqen e ujit. Është futur në një rrugë dytësore ku jetojnë banorë të komunitetit rom.
Paraprakisht dyshohet se shkak është bërë terreni i vështirë nga reshjet e shiut që kanë rënë gjatë mbrëmjes së djeshme. Nga rruga kryesore deri në rrugën në të cilën ka rënë makina është rreth 25 metra, prandaj dyshohet se kanë qenë me shpejtësi të madhe. Ndërkohë polumbarët janë duke punuar për nxjerrjen nga ujit të trupit tjetër.
Një aksident me pasojë vdekjen e një 64-vjeçari është regjistruar në orët e pasdites së djeshme në Kavajë. Ngjarja u regjistrua rreth orës 15:30 në dalje të qytetit. Mjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin L.E., 46 vjeç është përplasur me mjetin tip motor, pa targa, në aksin rrugor Kavajë–Rrogozhinë.
Si pasojë e përplasjes, drejtuesi i motorit, shtetasi N.S., 64 vjeç, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa bashkëshortja e tij Sh.S., 60 vjeçe, që ishte pasagjere në motor është dëmtuar rëndë dhe është dërguar për ndihmë mjekësore në spitalin e Durrësit.
Drejtuesi i “Benzit” është shoqëruar në ambientet e Policisë Kavajë për veprime të mëtejshme proceduriale. Grupi hetimor në vendngjarje po punon për përcaktimin e rrethanave dhe shkakut të aksidentit.