Akt i paprecedent i “Zogut” të Ramës, presion me protesta ndaj gjykatës

Tre aktivistë të shoqërisë civile që janë kundër ndërtimit të parkut tek liqeni janë sulmuar dje nga truprojat e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe më pas janë arrestuar nga policia.
Skandali ka ndodhur në mes të ditës në Rrugën e “Durrësit”, ku kryebashkiaku i Tiranës kishte mbledhur administratën e tij që të protestonte kundër gjykatave të vendit, për shkak të një vendimi që është dhënë kundër Bashkisë së Tiranës në lidhje me një ndërtim që është pezulluar në zonën e Tiranës së Re.
“Qytetarët për Parkun” janë një grup nga shoqëria civile, të cilët janë kundër betonizimit të parkut të liqenit, me arsyetimin se aty po ndërtohet një park fëmijësh.
“Protesta e Erion Veliaj me administratën e tij që dhunon dhe arreston 3 aktivistë të ‘Qytetarëve për Parkun’ S. M., A. S., dhe F.B.”, shkruhet në faqen e Facebook, ku shoqërohet edhe me pamjet ku truprojat e Veliajt sulmojnë të rinjtë.
Veliaj dhe disa deputetë protestojnë për ndërtimet e një kompanie që nuk është afër apo nuk ka lidhje interesash me grupe pranë kryetarit të bashkisë apo qeverisë. Ndërkohë, që “lapsi.al” ka të dhëna që ndërtime të tjera skandaloze, që po ngrihen madje në zona të njohura me vendim qeverie si park natyral pranë Komunës Petrelë, kanë marrë miratimin e kryebashkiakut. Pas këtyre ndërtimeve janë njerëz me pushtet. Një prej tyre mendohet të jetë edhe një deputet biznesmen që dje bërtiste më fort se të tjerët përpara Gjykatës së Apelit.
Gjykata nuk e ka përballuar presionin dhe vendimi është shtyrë. Protesta zgjati për më shumë se një orë dhe Rruga e Durrësit ka qenë e bllokuar gjatë kësaj kohe.

Gjyqtarja jep dorëheqjen

Gjykata Administrative e Apelit ka vendosur të shtyjë gjykimin në lidhje me lejen e pallatit 17-katësh pranë Kodrave të Liqenit Artificial.
Por Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit vendosi për pezullimin e punimeve për ndërtimin e pallatit.
Kompania që do të ndërtonte pallatin ka kundërshtuar pezullimin e punimeve nga ana e IKMT-së dhe për pasojë e ka paditur në Gjykatën Administrative.
Në mbrojtje të vendimit të IKMT-së ka dalë kryetari aktual i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Kryetari i Bashkisë protestoi dje para gjykatës, pasi sipas tij, njëra prej gjyqtareve kishte konflikt interesi me çështjen.
Gjykata ka vendosur që seanca tjetër gjyqësore të zhvillohet më 13 maj, ndërkohë që njëra nga gjyqtaret e trupit gjykues ka dhënë dorëheqjen nga çështja.

Protesta, Unioni: Po ushtrohet presion ndaj gjyqtarëve

Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar lidhur me protestën e organizuar nga Bashkia e Tiranës para Gjykatës së Apelit Administrativ kundër ndërtimit të pallatit 17 katësh tek diga e liqenit Artificial. Përmes një njoftimi për mediat, Bordi i këtij Unioni ngre shqetësimin për ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë thotë se ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë. “Në datën 11.05.2016 përpara godinës ku ushtron veprimtarinë e saj Gjykata Administrative e Apelit, u mbajt një protestë e cila filloi në orën 10:30 dhe zgjati deri në orën 13:15. Nga mediat kemi ardhur në dijeni se protestën e ka thirrur dhe organizuar Kryetari i Bashkisë Tiranë Z.Erion Veliaj. Duke respektuar të drejtën e protestës së gjithkujt, në format dhe mënyrat që parashikon ligji, ngremë shqetësimin tonë në lidhje me ushtrimin e trysnisë ndaj gjithë trupës gjyqësore të Gjykatës Administrative të Apelit lidhur me çështje konkrete, të cilat janë ende në gjykim. Ushtrimi në këto përmasa i trysnisë ndaj gjykatës, nga palë ndërgjyqëse, qofshin këto edhe institucione shtetërore është i paprecedentë. Mënyra e zhvillimit të kësaj proteste përpara godinës së gjykatës jo vetëm ka penguar funksionimin normal të veprimtarisë së Gjykatës Administrative të Apelit për disa orë, por ka cenuar në mënyrë të padrejtë imazhin e gjykatës”. Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë kërkon nga organet kushtetuese vendimmarrëse në lidhje me gjykatat, që të ushtrojnë autoritetin e tyre kushtetues dhe ligjor për të ndërprerë çdo lloj trysnie njo vetëm ndaj daj gjyqtarëve të Gjykatës Administrative të Apelit por edhe gjithë gjykatave të tjera. “Lutemi gjithashtu organizmave ndërkombëtarë, që veprojnë në Shqipëri të mbikëqyrin situatën dhe të ushtrojnë sadopak ndikimin e tyre, për eleminimin e çdo forme të presionit ndaj Gjykatës Administrative të Apelit në veçanti dhe gjithë gjykatave në përgjithësi, pasi ky fenomen i përsëritur po kërcënon rrezikshëm pavarësinë e sistemit gjyqsor në Shqipëri”.

Hipokrizia e Veliajt, Kompania Gener 2: Protesta për projektin e firmosur nga Rama

Kompania “Gener 2”, e cila po zhvillon një projekt ndërtimi pranë pishinave të Tiranës, me distancë nga diga e liqenit, ka reaguar pas akuzave të kryebashkiakut Veliaj dhe protestës të organizuar dje nga ai me punonjësit e Ujësjellësit dhe pastruesit e Tiranës. Firma ka kërkuar që Veliaj të tërheqë akuzat, pasi gjithçka është me leje të rregullt firmosur nga Kryeministri Rama në vitin 2008 kur ai ishte kryebashkiak i Tiranës. Gjithashtu në deklaratën për media të “Gener 2” jepen të gjitha detajet e pronës, e cila nuk ështe në park, por një pronë private. “Pas sulmeve të shumta të kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj, shoqëria ‘Gener 2’ kërkon të përgënjeshtrojë deklaratat e tij në lidhje me integritetin e shoqërisë dhe administratorit të saj duke pretenduar për lidhje me trupin gjykues dhe paligjshmëri për zhvillimin e projektit. ‘Gener 2’ vlerëson maksimalisht pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe për këtë arsye nuk është shprehur deri tani, por ka ndjekur mjetet ligjore përkatëse. Z. Veliaj me deklaratat e tij populiste dhe aspak të denja për peshën dhe seriozitetin që kërkon roli i të qenit qytetar i parë i kryeqytetit të vendit, ndikon haptazi mbi pavarësinë e sistemit gjyqësor. Gjithashtu, ai dëmton seriozisht imazhin publik të kompanisë ‘Gener 2’ para partnerëve kombëtarë dhe ndërkombëtarë, duke cenuar interesat tona komerciale, në një kohë kur ‘Gener 2’ është një kompani me një histori 20-vjeçare, që ka të punësuar 964 individë”, thuhet në deklaratë.  “Fatkeqësisht, citon reagimi, z. Veliaj nuk e kupton se përtej interesave të tij klienteliste, mënyra joligjore që ai zgjedh të ndërhyjë dëmton imazhin e vendit tonë, duke thelluar përshtypjen te investitorët e huaj dhe vendas se të bësh biznes në Shqipëri është një lotari dhe se ndarja e pushteteve funksionon vetëm kur është në interes të qeverisë”. “I kërkojmë z. Veliaj si përfaqësues i Bashkisë Tiranë, institucion i cili vetë ka miratuar disa herë projektin tek diga e liqenit të distancohet nga interesat klienteliste dhe të lejojë organet kompetente të marrin vendimet e tyre në bazë të ligjit dhe fakteve. ‘Gener 2’ i rikujton z. Veliaj se ky projekt është zhvilluar në pronë private, jo park, jo zonë e gjelbër, jo zonë sportive, por zonë e miratuar për ndërtim nga Bashkia Tiranë, e kryesuar nga ish–kryetari i saj, z. Edi Rama”, thekson më tej kompania.
Historiku i projektit:
– Me vendimin Nr. 236, datë 27.11.2008 të KRRT Tiranë, (ish-kryetari i Bashkisë Tiranë, z. Edi Rama) është vendosur:
Të miratojë masterplanin lokal (planin e veprimit) të zonës U12-07 referuar kodit të zonimit të planit të ri rregullues, sipas projekt-idesë fituese të përzgjedhur në konkursin ndërkombëtar të zhvilluar për zonën prioritare C.
– Me vendimin Nr. 241, datë 27.12.2008 të KKRT Tiranë (ish-kryetar i Bashkisë Tiranë, z. Edi Rama) për dokumentin e zhvillimit lokal për nënzonën U12-07 a, është vendosur:
Të miratojë dokumentin e zhvillimit lokal për nënzonën U12-07 a sipas nëndarjeve të masterplanit lokal (planit të veprimit të miratuar me vendimin Nr. 236, datë 27.11.2008 të KRRT Tiranë. Ky projekt i miratuar nga Bashkia Tiranë (me ish-kryetar Bashkie, z. Edi Rama) parashikonte ndërtimin e objekteve me lartësi prej 35 deri 40 kate.
Kryetari i Bashkisë, Edi Rama ka hedhur firmën e tij mbi këtë projekt, në vitin 2008, duke e mbrojtur atë si një kryevepër të arkitekturës moderne, të projektuar nga studioja me famë botërore “Winy Maas”.
– Me vendimin Nr. 7651/29, datë 12.08.2013 të kryetarit të Bashkisë Tiranë, është vendosur “Miratimi i fazës I të planit të detajuar vendor të nënnjësisë 5/33”.
– Në zbatim të Ligjit Nr. 10119, datë 23.04.2009 “Për planifikimin e territorit” i ndryshuar dhe Ligjit Nr. 107/2014 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, Bashkia Tiranë nxori leje zhvillimore me Nr. prot. 9967/13, datë 14.10.2014, miratuar vendimin Nr. 9967/7, datë 01.08.2014 të kryetarit të Bashkisë Tiranë leje zhvillimore ndërtimi për “Kompleks me 5 struktura banimi dhe shërbimi (strukturat A, B, C, D dhe E) nga 1 deri në 17 kate me 3 kate parkim nëntokë”.

Protestuesit –Veliajt: Hajdut, Velina i vërsul “Gencin e Balës”

Pankartat kundër betonit në Parkun e Liqenit ranë menjëherë në sy të simpatizantëve të Erion Veliajt, që u mblodhën para Gjykatës Administrative të Apelit. Socialistët ishin thirrur në protestë për pallatet tek diga e liqenit, jo për betonin brenda në park. Djemtë kundër betonit në park u larguan me forcë nga protesta e Veliajt. Pankartat iu janë grisur dhe ata janë larguar me dhunë, duke lënë pas hipokrizinë e një proteste që betonin e ndan sipas partive politike. Tre protestuesit e paparashikuar në protestë janë shoqëruar në polici.
Ndërsa Erion Veliaj kishte mbledhur para Gjykatës Administrative disa punonjës të Bashkisë për të protestuar kundër gjykatës që po shqyrtonte çështjen e ndërtimeve tek liqeni, disa protestues të tjerë u afruan dhe protestuan kundër ndërtimit të këndit të lojërave.
Por këta protestues, Veliaj nuk i ka pritur me policë bashkiakë kësaj here, por me gangot që kishte në dispozicion.
Një prej tyre është dhe “Genci i Balës”, i cili mbante detyrën për neutralizimin e personave që mund të sillnin bezdisje.
Më poshtë gjeni të zbardhur episodin dhe replikat:
Veliaj: Përshëndetje të gjithëve, afrohuni më këtej që të jeni më afër, të gjithë bashkë. E vlerësoj jashtë mase që….
Veliaj (i jep sinjal Gencit të Balës): S’ka problem, s’ka problem. Edhe PD-ja është e mirëpritur në fushatë.
Protestuesi: Nuk është e PD-së. S’jemi të PD-së. S’jemi të PD-së, hiqe dorën, mos shty.
Veliaj: Do t’i sqarojmë të gjitha. Nëse keni ardh për antiprotestën e PD-së, shkoni tek SHQUP-i, Saliu mungoi sot.
Protestuesi: S’jemi të PD-së, hajdut, s’jemi të PD-së.
Veliaj: Saliu mungoi sot tek ambasadorët, Reforma në Drejtësi do të bëhet. Reforma në Drejtësi do të bëhet. Gjyqtarët e korruptuar nuk do të vazhdojnë më.
(Genci i Balës nis e shtyn me forcë protestuesin)
Veliaj: Gjyqtarët nuk do të vazhdojnë më t’i shërbejnë bizneseve, aferave dhe gjithë kontrollit të SHQUP-it.

Arben Shahini

Artikulli paraprakShullazi në trafikun e drogës nga Turqia në Shqipëri
Artikulli tjetërBernie Sanders, një fitues i mundur