Maskat kanë ushtruar terror në një familje në Bulqizë dhe kanë grabitur mbi 40 milionë lekë në Sarandë. Një banesë në Ksamil ka rënë pre e maskave, ku persona të panjohur i kanë vjedhur një personi një sasi të konsiderueshme parash. Policia thotë se, “mbrëmjen e djeshme, rreth orës 22:35, në Ksamil shtetasi Sh.M., ka telefonuar policinë se i është vjedhur banesa. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë në adresën e dhënë, ku kanë konstatuar se në banesën e shtetasit Sh.M., janë vjedhur një sasi vlerash monetare prej 3.5 milionë lekë të reja, 3000 euro, si dhe disa bizhuteri të ndryshme”.
Policia sqaron se në kohën kur ka ndodhur vjedhja, nuk kishte njeri në banesë. Grupi hetimor po vijon hetimet për zbardhjen, identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje. Materialet janë referuar në Prokurori për veprën penale “Vjedhja”, parashikuar nga neni 134 i Kodit Penal.
Një grabitës ka dhunuar dy të moshuar që ishin vetëm në shtëpi. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Viçisht, Njësia Administrative Gjoricë-Bulqizë. Sipas policisë, një person ende i paidentifikuar ka hyrë në banesën e shtetasit I.Xh., 74 vjeç, ku ka ushtruar dhunë duke përdorur sende të forta, ndaj tij dhe bashkëshortes së tij shtetases N.Xh.,70 vjeçe, ku më pas dyshohet se ka vjedhur një aparat celular. Në këto kushte shtetasi I.Xh., ka përdorur armën e zjarrit tip automatik ku ka qëlluar në drejtim të autorit, por pa pasoja. I moshuari si pasojë e dhunës së ushtruar ndaj tij ka marrë disa dëmtime në trup dhe ndodhet në spitalin e Bulqizës jashtë rrezikut për jetën. Policia nuk e ka kapur akoma autorin.