Europa thërret Skënderbeun. Skuadra e Ilir Dajës i ka dhënë fund përgatitjeve në Korçë për përballjen me Dinamon e Kievit. Skena prestigjioze e grupeve të Europa League ofron një nivel të lartë vështirësie dhe në veçanti gjigantët e futbollit ukrainas. E di më mirë se kushdo tjetër këtë Ilir Daja, por 1300 km e udhëtimit për në Kiev nuk janë një shëtitje, me trajnerin që synon që Skënderbeu të shfrytëzojë shanset e tij, natyrisht duke kryqëzuar gishtat edhe për pak fat.
Tejet interesant fakti se dy nga “senatorët” e skuadrës korçare, Tefik Osmani dhe Kristi Vangjeli e njohin futbollin ukrainas falë eksperiencave personale me Matalurg Zaporizhia dhe Chronomorets. Rivalë të tjerë në Grupin B janë dhe Yang Boys e Partizan i Beogradit, por është e vështirë të planifikosh në letër se deri ku mund të arrijë Skënderbeu, ndoshta edhe për të evituar pritshmëri të ekzagjeruara. Nga përforcimet e kësaj vere në kampin korçar ka spikatur Soue, goli ende i mungon, por jo vlerësimi i trajnerit Daja që e pret të thyejë akullin në Kievin e largët. Përtej impenjimit europian, objektivi primar mbetet kampionati, rivalët janë të paralajmëruar.