Edhe pse senatori Bernie Sanders do ta humbasë garën për nominimin nga radhët e demokratëve, ai mund të ndjehet si fitues: ai mund të ndikojë në drejtimin e ardhshëm të partisë së tij më shumë dhe kështu edhe në të gjithë politikën amerikane. Kur Sanders shpalli vitin e kaluar kandidaturën e tij, ai konsiderohej si një çudi politike: një senator i pavarur nga Vermonti i vogël, i cili e përshkruan veten si një socialist demokratik. Dhe, edhe pse “socialist” në politikën amerikane është zakonisht një fyerje.
Por që nga zgjedhjet paraprake në muajin shkurt Sandersi po shfaqet si një forcë e madhe politike në fushatën zgjedhore amerikane. Ai fitoi në 18 shtete dhe renditet me rreth 300 vota delegatësh pas kundërshtares së tij dhe ish-Sekretares së Shtetit Hillary Clinton. Të martën (më 10 maj) ndoshta ai mund të fitojë edhe disa delegatë të tjerë në Uest Virxhinia (West Virginia). Ai konsiderohet aty si favorit.
Miliona dhurues të vegjël për Sandersin
Senatori ka vënë në lëvizje një fushatë të tërë, e cila mbështetet kryesisht nga të rinjtë dhe klasa punëtore. Që nga fillimi i fushatës së tij ai ka mbledhur 182 milionë dollarë (160 milionë euro) në formën e miliona dhurimeve të vogla individuale.
Pavarësisht humbjeve të tij të fundit në katër shtete në verilindje të Shteteve të Bashkuara Sandersi ka bërë të ditur se do të vazhdojë të qëndrojë në garë. Nxitjen për këtë atij ia dha një fitore e papritur në Indiana. Megjithatë, shanset e tij për të fituar nominimin po bëhen gjithmon e më të vogla. “Deri në nominim është një rrugë e përpjetë dhe te ngushtë”, thotë Neil Sroka, drejtor i komunikimit pranë grupit të lobit “Demokracia për Amerikën” që mbështet Sandersin. Ndërsa sa i përket numrit të delegatëve normalë që ka senatori pas vetes ai nuk është dhe aq keq në krahasim me Hillary Clinton, ajo ka pas vetes shumë më tepër të ashtuquajtur superdelegatë.
714 superdelegatët janë zyrtarë aktualë ose të mëparshëm dhe figura drejtuese të partisë, të cilët mund të votojnë pavarësisht votave në shtetet e tyre. Nëse i numërojmë pra superdelegatët, atëherë zonjës Clinton i mungojnë më pak se 200 vota për të siguruar nominimin dhe për të hyrë në nëntor në garë kundër kandidatit republikan Donald Trump.
Efekti i Sandersit
Sipas analisitit politik John Nichols edhe nëse humb kandidatura e Bernie Sanders nuk do të mbetet pa ndikim. Mbështetësit e Sandersit po përpiqen që të shtojnë presionin në mënyrë që në kongresin e partisë të arrijnë përmes votimit të delegatëve që janë pro tij një kurs majtas të partisë, tha Nochols në bisedë me DW-në.
Mesazhet populiste të Sandersit kanë bërë që tashmë që Hillari Klinton të marrë një kurs të majtë për çështje të tilla si tregtia, paga minimale dhe sigurimet shoqërore.
Kështu Clinton ishte në kohën e saj si Sekretare e Shtetit pro marrëveshjes për tregtinë e lirë në zonën e Oqeanit Paqësor, TTP-së. Kjo synonte heqjen e shumicës së kufizimeve për tregtinë dhe investimet në zonën e Paqësorit. Në zonën e tregtisë së lirë bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Japonia dhe dhjetë vende të tjera, por jo Kina. Në fillim të fushatës së saj Clinton nuk u shprehej me zë të lartë për këtë temë. Kurse Sandersi u shpreh kundër saj duke e quajtur si kërcënim për vendet pune në SHBA. Ndërkohë edhe KCinton është kthyer publikisht në kundërshtare të TTP-së.
Edhe në lidhje me pagën minimale, e cila për momentin është 7,25 dollarë ora, Klinton u shpreh për një ngritje prej 12 dollarësh, kurse Sanders për 15. Nju-Jorku dhe Kalifornia, dy nga zonat më të fushqime ekonomike në SHBA e kanë ngritur ndërkohë pagën mininale në 15 dollarë.
Sipas vëzhguesit Nichols “në qoftë se Hillary Clinton fiton shumicën e delegatëve, atëherë ajo nuk do t’i pranojë plotësisht parimet e Sanders. Por nëse ajo do të përfshijë disa aspekte, atëhere mund ta mbledhë partinë rreth vetes dhe ta bëjë atë më të fortë për zgjedhjet në vjeshtë.”