Mund të jetë vetëm një koinçidencë fatlume, por rezultati është gjithmonë i njëjti: në çdo aktivitet ku debuton, Marcus Rashford arrin të shënojë. Rituali përsëritet kudo: në kampionat, Europa League, në kombëtare dhe së fundmi në Champions. Në ndeshjen e parë që sulmuesi luajti në këtë kompeticion, ai realizoi në fitoren 3-0 të Manchester United përballë Baselit. Talenti anglez u aktivizua në fundin e ndeshjes dhe i mjaftuan shtatë minuta në fushë për të gjetur rrugën e rrjetës.
Rashford është ndryshe nga pjesa më e madhe e talentëve të rinj. Presioni i sfidave të mëdha nuk e prek, përkundrazi duket sikur e ndihmon të japë më të mirën. Në shkurt të vitit 2016 Manchester United duhej të mposhtte Midthyllandin për të vazhduar rrugën në Europa League dhe Van Gaal e aktivizoi si titullar 18-vjeçarin që nuk kishte luajtur asnjë minutë si profesionist.
Debutim i shkëlqyer, me Rashford që realizoi dy gola në fitoren 5-1 dhe u bë lojtari me moshën më të vogël që shënonte për “Djajtë e Kuq” në kupat e Europës, duke thyer rekordin e George Best. Skenari u përsërit edhe tre ditë më pas. Në debutimin në Premier League, sulmuesi realizoi dy gola në fitoren 3-2 përballë Arsenalit. Nga anonim, i destinuar për t’u shndërruar në një lojtar të madh.
Nëse në FA Cup sulmuesi shënoi vetëm në ndeshjen e dytë, ai u kthye në origjinë në Kupën e Ligës duke realizuar në debutimin në këtë turne ndaj Northampton Town. E njëjta gjë i kishte ndodhur pak muaj më parë në Youth League: gol në debutim dhe fitore 3-0 përballë PSV Eindhoven.
Marcus Rashford nuk zhgënjeu as me kombëtaren angleze. Më 27 maj 2016 shënoi në debutimin me “Tre Luanët” në miqësoren përballë Australisë. Katër muaj më pas, kur luajti ndeshjen e parë me përfaqësuesen e 21-vjeçarëve realizoi 3 gola në fitoren 6-1 me Norvegjinë. Arritje të mëdha, por që për talentin e “Djajve të Kuq” janë kthyer në diçka normale. Ashtu si ndodhi edhe në ndeshjen e parë të Champions. Në debutim, Rashford ka lënë gjithmonë gjurmë.