Procedimi penal i nisur ndaj Emiliano Shullazit dhe katër miqve të tij të akuzuar për gjobëvënie dhe kanosje është shoqëruar me jo pak kosto për Policinë e Shtetit. Fillimisht policia mori në mbrojtje biznesmenin Ylvi Beqja, i cili pranoi të kallëzojë në Prokurori kërcënimet e grupit të Shullazit, si edhe gjobat e paguara për ta. Në vijim mbrojtjen policore e kanë përfituar 10 vetë në total, familjarë dhe persona në marrëdhënie të ngushta me biznesmenin.
Një prej tyre, Besnik Musai, ish-shoferi i Beqjes, është një tjetër kallësues i krimeve për të cilët akuzohet grupi i kryesuar nga i dyshuari Shullazi. 27-vjeçari Musai, përveç marrëdhënies së punës, është edhe vëllai i një vajze të njohur si bashkëjetuese e Ylvi Beqjes. Në seancën e së martës, Musai dëshmoi para gjykatës se kishte gati një vit që kishte nënshkruar marrëveshje për mbrojtjen e tij dhe të familjarëve.
Por edhe pse nën mbrojtje, i riu rrëfeu një kërcënim me jetë dhe shpërthim të banesës, që kishin marrë ditën e diel prindërit e tij në Durrës. Sipas tij, dy persona të panjohur kishin kërkuar që të tërhiqej nga dëshmia, ndryshe do i kishte punët keq. Musai rrëfeu se kishte parë Emiliano Shullazin t’i vendoste pistoletën në bark Beqjes, pranë zyrës së noteres Alida Spahiu, kur do të nënshkruhej dhurimi i një pjese të ish-Hotel “Vollgës”. Ai përmendi edhe dorëzimin e një shume prej 80 mijë eurosh tek Gilmando Dani, si dhe planifikimin për dhënien e një gjobe tjetër prej 70 mijë eurosh.
Dëshmia e Ylvi Beqjes dhe Besnik Musait janë deri më tani provat më të forta të Prokurorisë në gjykimin ndaj Emiliano Shullazit dhe miqve të tij. Beqja ka pranuar para prokurorëve e më pas në gjykatë se i ka kërkuar ndihmë Emiliano Shullazit duke i premtuar 20 për qind të pronës. Më tej, nën kërcënim armësh dhe presioni psikologjik, ai i ka premtuar Shullazit 30 për qind të pronës, si edhe i ka dhënë atij shuma të ndryshme parash, gati 541 mijë euro në total.