Të harrojmë Lacion

Trajneri i Milanit, Vinçenco Montela ende nuk e ka harruar makthin nga humbja e thellë me Lacion në kampionat. “Ndaj Lacios ishte një humbje e shëmtuar, dua tjetër Milan”, është shprehur Montela.
Montela, gjithmonë tifoz i Milanit, ka folur edhe për objektivat në Serinë A dhe Europa Lige. “Objektivi i parë është të kalojmë fazën, mundësisht si kokë grupi, më pas mund të mendojmë për të tjerat. Është e vështirë të luash në mbrojtje kundër tyre. Kritikat? Janë mëse normale, lëvdatat ndoshta ishin të tepërta, po ashtu ndoshta edhe kritikat, por nuk kam pasur asnjë shqetësim. Është e drejtë kështu, janë gjëra që herët apo vonë duhet të ndodhin”, u shpreh Montela para ndeshjes me Austrinë e Vjenës.
Ai ka folur edhe për rreshtimin e futbollistëve. Në rolin e mbrojtësit të djathtë do të jetë Abate. Për nga karakteristikat, ai pozicion është i ndërtuar për të nxjerrë në pah vlerat e Kontit. Andrea, megjithatë, përjetoi një moment historik nëntë ditë më parë: debutoi me Italinë kundër Izraelit dhe në të njëjtën ndeshje doli i dëmtuar nga fusha e lojës.
Shqetësimi në kavilje i mohoi të zbriste në fushë kundër Lacios në ndeshjen e fundjavës, gjithashtu e ka lënë jashtë edhe kundër Austrisë së Vjenës dhe nuk është ende e thënë që do të jetë i gatshëm për të dielën, kur në “San Siro” do të vijë si mik Udineze. Konti mbetet pra i padisponueshëm, por ndërkaq kthehet një titullar:
Romanoli do të jetë sërish në dispozicion të Montelës, jashtë fushave që prej transfertës në Maqedoni kundër Shkëndijës, precedenti i vetëm i sezonit ku trajneri kuqezi përdori modulin me tre në mbrojtje. Bashkë me të, repartin do e plotësojnë Bonuçi dhe njëri mes Muzakios e Zapatës (ky i fundit favorit). Në krahun e majtë do të vendoset Antoneli, Rodriguez qëndron në shtëpi.
Në mesfushë rikthehet gjithashtu një tjetër i rikuperuar, Bonaventura, i cili u aktivizua për më shumë se një orë edhe ndaj Lacios. Megjithatë, priten surpriza.
Në balotazh me “Xhek”, në momentet e fundit, është dhënë edhe Hakan Çalhanoglu, për të plotësuar mesfushën me pesë, duke parë se turku pëlqen të avancojë në sulm dhe të luajë në qendër. Thuajse e sigurt fanella si titullar për Frenk Kesin (i cili nuk ka momentalisht shokë reparti me të njëjtat karakteristika) dhe Lukas Biljan, që po gjen formën optimale.
Zgjedhja taktike e Montelës varet nga vendimet që do të merren në sulm. Në sulm, tri alternativa do të luftojnë për dy vende titullari dhe gara për fanellën duket tejet interesante: nisen në të njëjtin nivel Silva, Kaliniç dhe Suso, ky i fundit i provuar si sulmues i dytë. Ky është “çelësi”.

Artikulli paraprakShqipëria bie përsëri në renditjen e FIFA-s
Artikulli tjetërMemushaj, “luftë” për 18 mijë euro